Strakosha: Pres rinovimin me Lazion

Tomas Strakosha është një prej emrave më të rinj në radhët e Kombëtares Shqiptare dhe në sfidën kundër Izraelit, ai do të ulet në stolin e rezervave. Gardiani kuqezi që këtë sezon numëron 3 ndeshje si titullar në Serinë A me skuadrën e Lazios, mbërriti në vendlindje me buzëqeshjen e stampuar në buzë për shkak të momentit pozitiv që po kalon.
“Stërvitem për një tjetër shans pas tre ndeshjeve titullar me Lazion. Ndihem mirë jam i kënaqur që jam në Kombëtare”, u shpreh Tomas Strakosha. Strakosha e pranon gjithashtu se dëshira e tij e vetme është vazhdimi i karrierës në Romë. “Te Lazio janë të kënaqur prandaj po bisedojmë për rinovimin e kontratës. Ndihem shumë mirë te Lazio dhe dëshiroj të vazhdoj aty”, tha ai.
Në 12 nëntor ndaj Izraelit, Strakosha do të qëndrojë për herë të parë pranë Skuadrës Kombëtare edhe pse emri i tij  nuk është i ri në listën e De Biasit. Ai u grumbullua edhe për sfidat e para të eliminatoreve, por aktivizimi në radhët e Kombëtares Shpresa e largoi përkohësisht nga skuadra e parë.

Artikulli paraprakBerlusconi President Nderi i Milanit
Artikulli tjetërRaportet SHBA-BE pas zgjedhjeve