Strakosha flet si lider: Mendjen te Sampdoria

Është vetëm 22 vjeç, por mund të konsiderohet një lider i vërtetë. Thomas Strakosha nuk është më një risi për Lazion dhe futbollin italian, por pjekuria që ai po tregon si brenda ashtu edhe jashtë fushës së blertë është një detaj që bën diferencën për portierin shqiptar. Tifozët e konsiderojnë një pikë të palëvizshme në skuadrën e tyre edhe për shumë vite të tjera, ndërsa vetë Strakosha është përfshirë tërësisht në projektin bardhekaltër.
Gjatë një mbrëmjeje bamirësie në kryeqytetin italian ku morën pjesë edhe disa lojtarë të tjerë të skuadrës, Strakosha u ndal në mikrofonin e “Mediaset”, ku fillimisht foli për ecurinë fantastike të këtij sezoni. “Kemi treguar se jemi një skuadër e fortë, por do të jetë një sezon shumë i vështirë sepse skuadrat janë përforcuar. Ne nuk duhet të ndalemi këtu dhe tashmë mendojmë vetëm për Sampdorian”, thekson numri 1 i Lazios. Në vijim, ai ndalet edhe tek hapat e parë të karrierës dhe marrëdhënia e tij me të atin, Foto Strakosha. “Duke e parë të luante më emociononte shumë. Vishja përherë fanellën dhe dorashkat e tij dhe në ato momente lindi pasioni”, shton Strakosha.

Artikulli paraprakConte përfundon në tribunë!
Artikulli tjetërAlegri “dorëzohet”