Stoltenberg: Shqipëria të plotësojë detyrimet që ka ndaj NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i kërkon qeverisë shqiptare të plotësojë detyrimet e saj ndaj Aleancës si dhe të rrisë investimet e saj në mbrojtje. Stolenberg e përcolli këtë mesazh gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp me Presidentin Bujar Nishani, me të cilin zhvilloi dje një takim.
Nishani diskutoi me Stoltenberg mbi çështje të ndryshme me interes për Shqipërinë dhe Aleancën në këto momente shumë kritike.
Gjatë konferencës për shtyp, Stoltenberg u shpreh që Shqipëria duhet të rrisë investimet në fushën e mbrojtjes për të kontribuuar më shumë. “Ja kam kërkuar këtë edhe qeverisë shqiptare që ta rrisë mbrojtjen në vitin 2016. Sikurse po përpiqet të japë kontributin për mbrojtje, ashtu edhe ne po përpiqemi ta rrisim mbrojtjen në NATO. Sigurisht që Shqipëria ka kapacitete, por duam ta shikojmë edhe më tej praninë e Shqipërisë në NATO. Presim që Shqipëria të investojë më shumë në mbrojtje”, u shpreh kreu i NATO.
Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërinë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për kontributin në luftën kundër ISIS. “Keni biseduar për të forcuar marrëdhënien tonë dhe për të zgjeruar bashkëpunimin. I jam mirënjohës Shqipërisë për kontributin në aleancën tonë. Vlerësoj edhe kontributin e Shqipërisë për të luftuar ISIS. Ju luani një rol të rëndësishëm në ndihmën ndaj NATO-s për të realizuar angazhimet e saj. Shqipëria ka ndihmuar për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Muajin tjetër do të ndërmarrim një hap të rëndësishëm për nënshkrimin e protokollit të Malit të Zi, pasi ky vend ka bërë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në NATO.
Kreu i Shtetit e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s se, Shqipëria do të mbështesë çdo iniciativë dhe përpjekje të Aleancës për t’u modernizuar dhe përshtatur me ndryshimet e ambientit të sigurisë, si dhe shprehu besimin, se Samiti i Varshavës do të ofrojë zgjidhje afatgjata veçanërisht në planin e zhvillimit të kapaciteteve. Duke u ndalur në përgatitjet e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Varshavë, Presidenti Nishani u shpreh se ky Samit po mbahet në një moment shumë kritik për zhvillimet ndërkombëtare, dhe shprehu besimin se aty do të arrihen pritshmëritë në kuadër të përballimit të kërcënimeve dhe sfidave aktuale.
“E sigurova Sekretarin e Përgjithshëm se Shqipëria do të mbështesë çdo iniciativë dhe përpjekje të Aleancës për t’u modernizuar dhe përshtatur me ndryshimet e ambientit të sigurisë, si dhe shpreha besimin se Samiti i Varshavës do të ofrojë zgjidhje afatgjata veçanërisht në planin e zhvillimit të kapaciteteve. Por sigurisht që zhvillimi i kapaciteteve dhe realizimi i ambicieve të Aleancës nuk mund të jetë i mundur pa një angazhim serioz dhe përmbushje të angazhimeve financiare nga të gjitha vendet anëtare, përfshirë dhe Shqipërinë. Në këtë aspekt theksova se Shqipëria, në vijim të angazhimeve të Uellsit, do të vijojë trendin e rritjes së buxhetit të mbrojtjes deri në përmbushjen e angazhimeve të saj”, tha Nishani.
Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu mbështetjen për vijimin e politikës së dyerve të hapura të NATO-s, duke konfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për pranimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë në Aleancë, në interesin më të mirë të forcimit të paqes dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor. Kreu i Shtetit inkurajoi gjithashtu rritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe Kosovës, si një garanci e shtuar në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë.
“Shpreha mbështetjen pa rezerva për vijimin e politikës së Dyerve të Hapura të NATO-s, duke konfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për pranimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë në Aleancë, në interesin më të mirë të forcimit të paqes dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor. Bashkëpunimi rajonal dhe kriza e refugjatëve zunë një vend të veçantë në bisedën tonë. Theksova se Shqipëria është e vendosur për të vijuar me politikën e saj të fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit, si dhe se do të japë të gjithë kontributin e nevojshëm për kapërcimin e krizës së refugjatëve, në kuadrin e një zgjidhje të bashkërenduar evropiane dhe proporcionalisht me mundësitë dhe kapacitetet e saj”, tha ndër të tjera Nishani.
Edhe në këtë takim u trajtua edhe bashkëpunimi rajonal dhe kriza e refugjatëve dhe Presidenti Nishani theksoi se, Shqipëria është e vendosur për të vijuar me politikën e saj të fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit, si dhe se do të japë të gjithë kontributin e nevojshëm për kapërcimin e krizës së refugjatëve, në kuadrin e një zgjidhje të bashkërenduar evropiane dhe proporcionalisht me mundësitë dhe kapacitetet e saj.
“Kjo është hera e dytë që vizitoj Selinë e NATO-s gjatë mandatit tim presidencial dhe ishte një kënaqësi e veçantë takimi me ju, i cili vjen vetëm pak muaj nga takimi ynë në Tiranë, gjatë vizitës suaj në Shqipëri në muajin dhjetor 2015. Takimi i sotëm më dha mundësinë të shpreh edhe njëherë mirënjohjen në emër të të gjithë shqiptarëve për mbështetjen shumëdimensionale që Autoritetet dhe vendet anëtare të NATO-s i kanë dhënë Shqipërisë gjatë procesit dhe pas anëtarësimit, si dhe të bisedoj me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për çështje të ndryshme me interes për Shqipërinë dhe për Aleancën”, tha Nishani.
Nga ana tjetër, Nishani bëri të ditur se, një prej temave kryesore të bisedës ishte Samiti i ardhshëm i Varshavës, për të cilën u shkëmbyen mendime lidhur me momentin kritik kur realizohet ky Samit, si dhe pritshmëritë në kuadër të përballimit të kërcënimeve dhe sfidave në kufijtë jugorë dhe lindorë, si dhe rreziqeve nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Arben Shahini

Artikulli paraprakERE konfirmon abuzimet e qeverisë, çmimi i energjisë u rrit me rreth 13 për qind
Artikulli tjetërKE: Në Shqipëri, konsumi i qytetarëve ka rënë, borxhi publik është rritur