Start pozitiv për shqiptarët në ‘17

Fundjava ka rezultuar e çuditshme për disa nga legjionarët kuqezi. Në Serinë A, rezultati i ka buzëqeshur vetëm Elseid Hysajt, pasi Napoli mori një fitore të pastër ndaj Pescarës. Në San Paolo nuk ka munguar dueli kuqezi, pasi përballë mbrojtësit shkodran ka qenë mesfushori vlonjat Ledian Memushaj, njëkohësisht kapiten i Pescarës. Të dy futbollistët kanë bërë një paraqitje të mirë, dhe po të mos ishte për gabimet e bëra nga secili prej tyre, vlerësimi në fund të ndeshjes mund të ishte në maksimum për ta. Memushaj gaboi në pasim në minutën e 85 dhe menjëherë Napoli nisi kundërsulmin që solli golin e 3. Ndërkohë në sekondat e fundit të shtesës, Pescara fitoi një penallti të dyshimtë pas një ndërhyrje të Hysajt ndaj Caprarit. Pavarësisht këtyre gabimeve, vlerësimi si për mbrojtësin e të kaltërve ashtu dhe për kapitenin e delfinëve ka qenë i kënaqshëm nga mediat italiane.
Në këtë sfidë në stol i gatshëm për trajnerin Massimo Oddo ka qenë edhe mbrojtësi 18-vjeçar Leonardo Maloku. Me notë të mirë është vlerësuar edhe portieri Etrit Berisha, pavarësisht faktit që shkaktoi penalltinë e kthyer në gol nga Ciro Imobile. Ndaj ish-skuadrës së tij, gardiani zikaltër la përshtypje të mira, sidomos me pritjet e bëra në goditjet e Luis Albertos dhe pikërisht Imobiles. Tek bergamaskët, Berisha së bashku me Petagnën, Freuler dhe Spinazzola kanë marrë notën më të lartë. Asnjë minutë nuk pati për Federik Veselin në sfidën Sampdoria-Empoli. Edhe në këtë duel është preferuar francezi Laurini përpara mbrojtësit kuqezi, që duhet të presë mundësinë e tij për të mos e lëshuar vendin në formacion. Në Greqi, ka debutuar me fanellën e Levadiakos mesfushori Qazim Laci. Edhe pse pak ditë ka me skuadrën e re, 21-vjeçari ka zbritur në fushë në 15 minutat e fundit.

Artikulli paraprakRihapet La Liga, por kalendari favorizon Realin
Artikulli tjetërZyrtarisht te Bayerni