Spitalet pa ilaçe, Beqaj firmos tenderin e radhës për zhvatjen e 1.4 miliardë lekëve

Beqaj firmos vjedhjen e radhës përmes një tenderi skandaloz prej jo pak, por prej 1.4 miliardë lekësh për blerjen e një teknologjie që bën kontrollin e gjakut të dhuruar në një kohë kur në spitale mungojnë gjëra më jetike siç janë ilaçet. Koncesionet apo partneritete private, me afat shumëvjeçar që tejkalojnë mandatin e qeverisë, po pasohen edhe me tendera “paradhënie”, disavjeçar, për shërbime të ndryshme. Pas një rasti të ngjashëm nga Policia e Shtetit, denoncohet një tjetër rast, tenderi 3-vjeçar, këtë herë nga e “kudogjendura”, Ministri e Shëndetësisë. Në buletinin më të fundit të Agjencisë së Prokurimeve Publike, një njoftim i autoritetit kontraktor, Ministria e Shëndetësisë/QKTGJ, bën të ditur çeljen e procedurave të hapura me objekt prokurimi, “Furnizimi i një sistemi për kryerjen e testimeve me metodologjinë NAT për detektimin e HCV/HIV/HBV në gjakun e dhuruar pranë QKTGj-së”. Përpos fondit limit në total – 139.800.000 (njëqind e tridhjetë e nëntë milion e tetëqind mijë) lekë pa TVSH vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, ky njoftim bën të ditur se fituesi i tenderit siguron përfitime jo të vogla, për 3 vjet rresht, nga “asetet” financiare të Ministrisë së Shëndetësisë. Ky super tender i Beqajt vjen vetëm një muaj pasi Ministria e Shëndetësisë ka realizuar në datën 9 mars dy tendera me vlerë të konsiderueshme, fondi limit i të cilëve arrinte në 339 milionë lekë ose mbi gati 3 milionë dollarë. Objekti ka qenë “Blerje materiale mjekimi të përgjithshme për nevojat e institucioneve spitalore” në tenderin e parë dhe “Blerje materiale mjekimi konsumabël dhe kirurgjikale për nevojat e institucioneve spitalore” në tenderin e dytë. Por në të dy tenderat ka patur një koinçidencë të çuditshme. Në tenderin e parë, atë për “Blerje materiale mjekimi të përgjithshme për nevojat e institucioneve spitalore” kanë marrë pjesë 6 kompani. Por vetëm njëra prej tyre ka paraqitur ofertë financiare, ndërsa 5 kompanitë e tjera nuk kanë paraqitur fare ofertë. Si rezultat tenderi, me fond limit 168 milionë lekë, është fituar nga ofertuesi i vetëm bashkimi i shoqërive “Montal sh.p.k” dhe “Biometrics Albania”, për vlerën 164.4 milionë lekë ose vetëm 2 për qind poshtë fondit limit. Dyshimet shtohen për faktin se e njëjta skemë është përsëritur edhe në tenderin e dytë atë të, “Blerje materiale mjekimi konsumabël dhe kirurgjikale për nevojat e institucioneve spitalore”, i zhvilluar në po të njëjtën ditë, pra më 9 mars. Edhe në këtë tender kanë marrë pjesë 7 kompani, por çuditërisht vetëm njëra ka paraqitur ofertë, ndërsa 6 të tjerat nuk kanë dhënë asnjë ofertë financiare. Si rezultat tenderi me fond limit 171.7 milionë lekë është fituar nga ofertuesi i vetëm, bashkimi i operatorëve ekonomikë “O.E.S Distrimed” dhe “Euromed”. Edhe ky tender është fituar me një çmim vetëm 1.2 për qind nën fondin limit. Në të dy rastet Ministria e Shëndetësisë ka shpallur fitues ofertuesit e vetëm.

Vendimi, Beqaj centralizoi tenderat

Më 28 dhjetor 2015, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka nxjerrë një urdhër që u heq të drejtën të gjitha spitaleve rajonale anembanë vendit për të realizuar procedura tenderimi mbi shumën e 800 mijë lekëve për blerjen e barnave ose të materialeve mjekësore. Urdhri është përqendrim dhe monopolizim i paprecedent i kompetencave të spitaleve rajonale, të cilat jo shumë vite më parë fituan disa të drejta për vetëmenaxhimin e tyre në kuadër të procesit të decentralizimit dhe rritjes së eficencës, raporton “Hashtag.al”. Beqaj ka ngritur një grup pune që do të shërbejë si njësi prokuruese për të gjitha spitalet, do të jetë kjo njësi që do të marrë kërkesat e spitaleve mbi nevojat që ato kanë për barna dhe mjete spitalore dhe më pas i njëjti grup pune do të zhvillojë dhe procedurat e tenderimit për të gjitha ato blerje që janë mbi 800 mijë lekë. Në grupin e punës prej 4 personash spikat dhe prezenca e zonjës Shpresa Bello, e cila është dhe kunata e drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj.

A.Shahini

Artikulli paraprakMungojnë ilaçet, mungojnë pajisjet, s’ka shëndetësi, ka biznes Rama-Beqaj
Artikulli tjetërMark Crawford: Investitorët amerikanë po largohen nga Shqipëria