Spanja me “Plan B” kundër Italisë

Spanja dhe Italia do të sfidojnë njëra-tjetrën që në fazën e 1/8-ve të Euro dhe trajneri i iberikëve, Vicente Del Bosque po harton një plan sekret për të kaluar pengesën e kaltër. Sipas asaj që raporton gazeta “AS”, trajneri kampion Europe në fuqi ka rimodeluar skuadrën e tij me dy sulmues krahu dhe tre mbrojtës. Kjo lëvizje duket deri diku e detyruar për Del Bosquen, i cili kërkon t’i kundërpërgjigjet kolegut të tij, Antonio Conte, i cili ka si skemë kryesore mbrojtjen me treshen Barzagli-Bonucci-Chiellini dhe dy lojtarët e krahëve më të tërhequr, Florenzi e Giaccherini.
Në këtë mënyrë, Spanja përqendron më shumë forca në krahë ku Morata do të veprojë në të majtë, ndërsa Aduriz në qendër. Një alternativë tjetër është lëvizja e Iniestas në të majtë dhe Silvas në të djathtë, të cilët mund të lëvizin drejt qendrës në finalizimin e aksioneve. Gjithsesi, sipas “AS”, Italia do të jetë e limituar kryesisht në mbrojtje, pasi shumë lojtarë kanë marrë kartonë të verdhë dhe rrezikojnë të humbasin sfidën e radhës në rast kualifikimi. Në këtë mënyrë, Spanja do të kërkojë ta impostojë lojën në duelet një për një për të vënë sa më shumë në vështirësi të kaltërit dhe një lojtar tjetër që mund ta bëjë këtë është sulmuesi i ri Lucas Vázquez, por edhe Pedro Rodriguez.
“Për të fituar ndaj Italisë, Spanjës i nevojitet shumë karakter dhe në këtë pikë hyn në lojë edhe mesfushori Koke, një lojtar i disiplinuar që mbulon shumë mirë hapësirat e mëdha të mesfushës. Gjithsesi, është Del Bosque ai që do të thotë fjalën e fundit në seancën stërvitore të së dielës, një ditë përpara sfidës vendimtare të europianit, por është pothuajse e sigurt që Spanja anti-Itali do të ketë një fytyrë ndryshe ose më saktë, në “Stade De France” kampionët në fuqi do të tregojnë se kanë edhe një plan B për ‘kockat e forta” të këtij europiani.

Artikulli paraprakKryeministrit dhe horrave të tij
Artikulli tjetërYjet e Realit, protagonistë në Euro 2016