Spanja kualifikohet në gjysmëfinalet

Spanja është skuadra e parë gjysmëfinaliste e Europianit të 21-vjeçarëve që po zhvillohet aktualisht në Poloni. Pas atij suksesi të thellë 5-0 ndaj Maqedonisë, “La Roja” u shfaq një skuadër shumë e fortë edhe për Portugalinë, duke triumfuar 3-1 ndaj përfaqësueses luzitane për të siguruar pas vetëm 2 ndeshjeve vendin e parë në Grupin B. Në Gdynia ishin portugezët ata që e nisën më mirë sfidën, por në minutat e para fati nuk ishte me skuadrën e Rui Jorge, pasi tentativa potente e Prodence nga distanca u ndal nga shtylla. Atë që nuk realizoi dot sulmuesi luzitan e bëri më së miri Saul Niguez në minutën e 21-të. Mesfushori i Atleticos së Madridit që është edhe një nga futbollistët me më shumë eksperiencë te Spanja e 21-vjeçarëve, shmangu të gjithë ata që i dolën përpara dhe me një goditje nga limitet e zonës e ndali topin në fundin e rrjetës për një gol spektakolar.
Me Portugalinë të gjithën përpara në kërkim të barazimit në minutën e 65-të, Spanja realizoi edhe golin e avantazhit të dyfishtë me Sandro Ramirez-in që përfitoi nga një pasim perfekt i Gerard Deulofeu-t. Por 12 minuta më pas në të 77-tën, Bruma, blerja më re e Leipzigut, tregoi se skuadra gjermane ka bërë një goditje të mirë në merkato. Ish-lojtari i Galatasaray-it, me një kryevepër nga distanca rihapi sfidën, të cilën e mbylli përfundimisht një tjetër lojtar i ardhur në fushë nga stoli, pikërisht sulmuesi i Athletic Bilbaos Inaki Williams, që në të 93-tën shfrytëzoi shpejtësinë e tij për të shënuar golin e 1-3. Barazim 2-2 në ndeshjen tjetër të grupit. Serbia dhe Maqedonia ndanë nga një pikë mes tyre në derbin e nxehtë ballkanas që u zhvillua në Bygodzcz dhe tashmë të dyja përfaqësueset janë pothuajse të eliminuara nga kompeticioni. Serbët zhbllokuan shifrat me Gacinovic në të 24-tën, por në pjesën e dytë Maqedonia përmbysi gjithçka falë finalizimit të futbollistit me origjinë shqiptare Enis Bardhi nga pika e bardhë e penalltisë dhe realizimit të Gjorgjev. Në të 90-tën Serbia evitoi humbjen e dytë në Europianin e 21-vjeçarëve falë golit të Djurdjevic.

Artikulli paraprakEdhe çmimet e biletave të avionit i kemi më të shtrenjtat në rajon
Artikulli tjetërProcedohen 44 nëpunës, morën pjesë në zgjedhje