Somali, grupi terrorist Al-Shabab ekzekuton pesë njerëz

Militantët e grupit Al-Shabab në Somali kanë ekzekutuar pesë vetë, përfshirë një djalë 16-vjeçar, të cilin e akuzuan për spiunime për forcat qeveritare keniane, amerikane dhe somaleze.
Djali dhe katër burra u ekzekutuan publikisht nga një skuadër zjarri të dielën në qytetin Idale, 60 kilometra në jug të Baidoas, pasi një gjykatës i al-Shababit i dënoi ata në bazë të siç thuhet, rrëfimeve të tyre. Gjykatësi nuk bëri publike provat e akuzave kundër viktimave.
Al-Shabab ka ekzekutuar gjithsej 22 vetë këtë vit – nëntë në bazë të akuzave për spiunazh, ndërsa të tjerët të akuzuar për krime që variojnë nga përdhunimi e deri tek keqmenaxhimi financiar.
Grupi i lidhur me al-Kaidën është përpjekur për më shumë se një dekadë për të përmbysur qeverinë e Somalisë dhe për të imponuar versionin e saj të rreptë të ligjit islam në kombin e Bririt të Afrikës.
Sipas gjykatësit, të pesë të ekzekutuarit akuzoheshin për spiunazh mbi lëvizjet e milicisë al-Shabab dhe se ishin munduar të gjenin kontaktet telefonike të udhëheqësve të al-Shababit.
Gjykatësi tha se, një nga burrat gjithashtu pranoi se po përpiqej të mësonte vendndodhjen e trupave keniane të kapura nga al Shababi në janar të vitit 2016 gjatë sulmit në bazën ushtarake El Adde.
Në gusht, al-Shabab ekzekutoi një nga ushtarët kenian, por besohet se grupi ende mban disa të tjerë si pengje.
Djali 16-vjeçar i ekzekutuar të dielën u identifikua si Jibril Salah Haji Mohamed. Gjyqtari i al-Shababit e akuzoi atë se kishite punuar me forcat qeveritare somaleze për tre muaj.
Të afërmit e një prej të ekzekutuarve mohoi se ai ishte spiun. Yonis Aden Hassan thotë se kushëriri i tij, Abdiaziz Ibrahim Mohamed, ishte një njeri i pafajshëm që zotëronte një kamion që operonte mes Mogadishu dhe Baidoas.
Ai i tha shërbimit somalez të “Zërit të Amerikës” se, al-Shababi mori në fillim kamionin e kushëririt të tij në vitin 2014 pranë fshatit Jimcadda në rajonin e Gjirit dhe më pas kërkoi që ai të vente për ta marrë kamionin. Hassan thotë se, kur Muhamedi arriti në fshat, ai u arrestua dhe nuk u pa më.
Hassan tha se, familja mësoi për vdekjen e tij dje vetëm pas ekzekutimit. “Ata nuk i dhanë trupin e tij të afërmve të tij kështu që nuk e dimë se si ai vdiq”, thotë Hassan, i cili punon si një zyrtar i administratës në rajonin e Gjirit.

Artikulli paraprakSanksionet ndaj Koresë së Veriut
Artikulli tjetërBE, çfarë do të sjellë presidenca bullgare