Socializmi duhet të vdesë me Kastron

John McTernan
CNN – Një diktator ka vdekur. Qytetarët e një tjetër vendi mund të jenë tashmë gati të braktisin ideologjinë e diskredituar dhe ekonomikisht shkatërruese të komunizmit. Tani, qytetarët mund të shpresojnë të kenë fjalë të lirë, media të lirë dhe të drejtat e njeriut do të rikthehen në rendin e ditës.
Ky është natyrisht një moment për t’u festuar, por jo për të majtën. Për ta, vdekja e Fidel Kastros është një event trishtimi. Merrni për shembull, Jeremy Corbynin, liderin e Partisë Laburiste të Britanisë së Madhe, i cili tha: “Vdekja e Fidel Kastros shënon ndarjen nga jeta të një figure të jashtëzakonshme në historisë moderne, të pavarësisë kombëtare dhe të socializmit të shekullit XX”.
E vërteta është që vetëm fraza e fundit e kësaj deklarate mund të konsiderohet e saktë. Kastro nuk është gjë tjetër veçse një pikë në oqeanin e historisë botërore, një burrë që e ktheu vendin në shërbëtorin e tij dhe të Bashkimit Sovjetik – jo në një vend të pavarur siç pretendon Corbyn. Megjithatë, Kastro arriti me sukses t’i demonstrojë botës për më shumë se pesë dekada se një ekonomi socialiste arrin të bëjë vetëm një gjë: të sjellë mjerim për një komb të tërë.
Kanë vërshuar mesazhe ngushëllimi nga burimet më të parashikueshme si: presidenti Maduro i Venezuelës, Morales i Bolivisë dhe Correa i Ekuadorit, të cilët u shfaqën tepër të hidhëruar nga vdekja e Kastros. Por çfarë tregojnë këto lavde të neveritshme të së majtës për një nga diktatorët më brutalë, për një burrë që ka ekzekutuar mijëra e mijëra kubanezë?
Shpjegimi i parë është antiamerikanizmi. Për shumicën e figurave të majta rregulli është i thjeshtë: “Armiku i armikut tim, është miku im!”. Me Fidel Kastron si armik të betuar të Shteteve të Bashkuara, ai duhet të mbështetej në çdo formë dhe për çfarëdo që bënte. Pa asnjë ironi në mes, jepen lavdërime pafund për letëgjatësinë e liderit kubanez dhe për faktin se i ka rezistuar kaq shumë presidentëve amerikanë, duke injoruar tërësisht faktin se gjatë regjimit të tij të gjatë nuk ka mbajtur kurrë zgjedhje.
Shpjegimi i dytë është ideja se qëllimi justifikon mjetin. Sistemet e edukimit dhe të shëndetit në Kubë lavdërohen si tepër të mirë, sikur suksesi i tyre justifikon abuzimet me të drejtat e njeriut që theksohen rregullisht nga Amnesty International dhe intitucione të tjera vëzhguese të pavarura.
Në fakt, bota e mbushur me shembuj pa fund të vendeve që arrijmë me sukses të kombinojnë ekselencën në kujdesin shëndetësor dhe sistemin e edukimit me demokracinë. Në fakt, Kuba përpara revolucionit kishte një normë shumë herë më të ulët të vdekjeve të foshnjeve krahasuar me pjesën tjetër të Amerikës Latine.
Kjo nuk duhet të duket si diçka e çuditshme sepse Kuba ishte një vend me gjendje ekonomike relativisht të mirë, madje të ardhurat mesatare të vendit ishin të krahasueshme me ato të shteteve të jugore të Shteteve të Bashkuara. U desh një punë e jashtëzakonshme dhe një përkushtim ndaj komunizmit dhe sipërmarrjeve shtetërore për të shkatërruar të ardhmen e begatë që ishte parashikuar atëherë për Kubën.
Megjithatë, asnjë prej këtyre pozicioneve nuk e shpjegojnë plotësisht hidhërimin e madh të së majtës për Fidel Kastron. Shpjegimi i tretë dhe më shqetësuesi për këtë mbështetje të shfaqur për diktatorin është adhurimi i së majtës për dhunën. Revolucionet dhe diktaturat janë brutale dhe të dhunshme. Për njerëzit që adhuronin Kastron, dhuna nuk ishte nënprodukt fatkeq dhe i vajtueshëm i ndryshimit, ishte esenca e adhurimit të tyre.
Uniforma ushtarake, kulti i Ce Gevarës janë dy aspekte të këtij adhurimi. Ka edhe një aspekt atavik në dashurinë e të majtës për Kubën, një vend i lidhur ngushtë me ndjenjën se rrëzimi i dhunshëm i pushtetit është rruga më e lehtë drejt fitores, më lehtë se nevoja për fituar zemrat dhe mendjet e qytetarëve në zgjedhje demokratike.
Vdekja e Fidel Kastros duhet të jetë edhe vdekja e çdo besimi që ka mbetur tek e majta si një formë e dallueshme organizimi ekonomik dhe politik. Ky event duhet të përdoret në të kundërt si një mundësi për të festuar “sundimin e drejtësisë sociale”. Kjo nuk duhet vetëm të ngrejë pikëpyetje mbi të majtën, duhet të jetë burim turpi për të.

Artikulli paraprakFillon, më afër me Rusinë, më ashpër me terrorizmin
Artikulli tjetërAksident i katërfishtë në autostradë