Sms-të që implikojnë truprojën e Tahirit në vrasjen për drogën

Zbulohen të tjera detaje për përfshirjen e truprojës së ministrit Tahiri, Elvis Rexha, në vrasjen për drogën në Shëngjergj të Tiranës. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar disa sms ku zbardhen bisedat e përfshirjes së bodigardit të Tahirit në vrasjen e Besnik Pudjas para dy javësh në një magazinë droge në Shëngjergj. “Këtu më poshtë keni disa sms që dëshmojnë implikimin e badiguardit dhe sekserit të Saje qorrit, Elvis Rexha dhe të vetë policisë në krimin e shëmtuar, vrasjen dhe zhdukjen e gjurmëve të krimit në Shëngjergj nga policia. sb”, shkruan Berisha në Facebook.
Në sms-të e publikuara nga ish-Kryeministri Berisha shkruhet se, badiguardi i Tahirit ka shumë telefonata me viktimën e drogës në Dajt. “Ky Elvisi i qorrit ka shumë telefonata me atë viktimën në Dajt se ishin shokë dhe bashkë e kishin arën, prandaj i ka zhdukur policia telefonin dhe provat”, shkruhet në sms.
Ndërsa në një sms tjetër shkruhet se, këta kanë pastruar vendin për të shpëtuar Elvisin. “E përmendi halla e vet se fliste me një shok të vetin që ishin ortakë me emrin Elvis. Ka patur shumë bar aty, por e ka marrë policia, po më thoshte një çun. Policia u ka lënë afat 12 orë që të pastrojnë vendin, ku ka qenë edhe vetë Elvisi aty”, shkruhet në sms-të e publikuara nga Berisha.
Një ditë më parë ish-Kryeministri Berisha publikoi mesazhin e një oficeri policie, i cili hidhte dyshime serioze se, vrasja është porositur nga Elvis Rexha, që është badiguardi dhe kryesekseri i ministrit Saimir Tahiri. Berisha shkruan se, të gjitha manipulimet, fshehjen dhe zhdukjen e provave të vrasjes së Besnik Pudjas i ka bërë drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj me porosi të Saje qorrit dhe e raportoi si vetëvrasje.
Oficeri i policisë i shkruante Berishës, “Besnik Pudja personi që u gjet i vrarë në hangarët e hashashit në fshatin Kallogjesh në Shëngjergj është mik dhe lidhje e ngushtë e Elvis Rexhës, badiguardit dhe sekserit më të ngushtë të Sajmir Tahirit dhe e di e gjithë zona. E gjithë vendngjarja dhe servirja e rrethanave të rreme për këtë ngjarje është bërë me porosi të drejtorit të Tiranës, Ervin Hodaj, që të mos dalë e vërteta që mbas këtyre parcelave dhe kësaj ngjarje kaq të rëndë të mos dalë në dritë emri i Elvis Rexhës, që është kaq shumë i implikuar në atë zonë me parcelat e hashashit”. Megjithëse ky lajm u publikua nga mediat ditën e djeshme, nuk pati asnjë reagim nga ministri Tahiri.
Policia  në njoftimin e saj më 7 tetor, ditën edhe kur u gjet i pajetë Besnik Pudja bëri të ditur se, “shtetasi Besnik Pudja, 36 vjeç ka vrarë veten me pistoletë në një stan në Shëngjergj”, por mbi këtë ngjarje kanë dalë në pah mashtrimet e Policisë së Tiranës. Disa ditë pas ngjarjes në media të ndryshme tregoheshin fakte, që të çonin drejt një vrasjeje të pastër.
Grupi hetimor që po vazhdon hetimet për të zbardhur vrasjen e 36-vjeçarit Besnik Pudja në kapanonin e hashashit në fshatin Kollagjesh të Shëngjergjit ka dalë në konkluzionin se, kemi të bëjmë me vrasje dhe jo vetëvrasje. Hetuesit thonë se, Pudja është qëlluar me pistoletë pas veshit dhe plumbi i ka dalë në sy.
Ekspertiza ka hedhur poshtë mashtrimin e policisë me fakte të reja, duke provuar se Pudja e ka marrë plumbin poshtë veshit të djathtë dhe i ka dalë në sy, për të goditur më pas shokun e tij, Alges Liçin. Trajektorja nuk përkon me atë që thotë policia. Edhe organi i akuzës ka nxjerrë zbuluar Policinë e Shtetit. Sipas Prokurorisë, Pudja është gjetur i shtrirë me fytyrën sipër, me duart e vëna pranë xhepave të xhupit. Gishti tregues i dorës së majtë i është gjetur i hapur në formë të harkuar, siç qëndron zakonisht në këmbëzën e një arme. Kjo, sipas ekspertëve, tregon se ai mund të ketë bërë qitje me dorën e majtë në momentin e vrasjes. Por plumbin ai e ka marrë në anën e djathtë, pas koke. Ekspertët thonë se është e pamundur që ai të ketë qëlluar me të majtën në anën e djathtë të kokës, pas veshit.
Policia nuk raportoi për gëzhojat e kallashnikovit që janë gjetur në vendin ku u gjet i vrarë Besnik Pudja. Njoftoi se viktima u gjet në një stan, ndërkohë që trupi i 36-vjeçarit u gjet në hangarin me hashash. Të gjitha këto veprime kanë qenë të qëllimshme nga policia për të fshehur vrasjen.

Artikulli paraprakGardisti, grabitës serial i karburanteve në Tiranë
Artikulli tjetërPër komunistët e rinj të luksit