Smajlaj duartrokitet në Beograd

Beogradi duartroket himin shqiptar dhe kampionin e ri të Europës në kërcim së gjati në salla të mbyllura, Izmir Smajlaj. Pas triumfit në kryeqytetin serb, ku u pozicionua i pari me distancën 8 metra e 8 centimetra, atletit shkodran iu dorëzua medalja e artë e Kampionatit Europian për salla të mbyllura, “Beograd 2017”.
Smajlaj hipi në shkallën më të lartë të podiumit, duke shijuar një sukses të jashtëzakonshëm, jo vetëm personal, por historik për atletikën shqiptare. Emocionet e kësaj arritjeje e shoqëruan Izmir Smajlajn jo vetëm në podium, por edhe në prononcimin për mediat, ku 23-vjeçari ia dedikoi medaljen të gjithë shqiptarëve.
Me medaljen e artë europiane, Izmir Smajlaj ngriti flamurin shqiptar në Beograd për herë të dytë në harkun e një jave, pasi më parë u shpall edhe kampion i Ballkanit në kërcim së gjati për salla të mbyllura.

Synoj medaljen e artë në Botëror
Të mësuar me medaljet e shumta, shqiptarët janë treguar indiferentë ndaj suksesit të Izmir Smajlaj, që pas kthimit të tij nga Beogradi me medaljen e artë në qafë është pritur vetëm nga familjarët dhe shokët e tij. Në mbërritjen e kampionit të Europës në kërcim së larti në salla të mbyllura, mungonin titullarët e Ministrisë së Sportit apo edhe tifozët për të uruar atletin për këtë rezultat historik. Megjithatë 23-vjeçari shkodran është shfaqur i emocionuar duke ia dedikuar të gjithëve këtë arritje historike.
“Falënderoj të gjithë, familjen time dhe shokët e mi. Kisha besim tek vetja dhe kjo ishte një garë e fortë. Sot jam i emocionuar kur shoh të gjithë shokët këtu. Medalja shkon për të gjithë shqiptarët”, u shpreh Smajlaj.
Suksesi i Smajlajt merr një jehonë akoma më të madhe pasi disiplina e kërcimit së larti është një garë që prej vitesh nuk po nxjerr atletë elitarë. Izmiri tregon axhendën e përgatitjeve të tij përpara këtij evenimenti, si dhe fton shtetin shqiptar të kthejë sytë nga atletika, madje duke bërë edhe një premtim.
“Jam stërvitur për 4 javë në Stamboll dhe më pas në ‘Loro Boriçi’, shpresoj të bëhet më mirë. Falënderoj shtetin që ktheu sytë nga atletika, por nëse bën akoma më shumë premtoj se do të jem kampion bote”, tha ai.
Suksesi i Smajlajt ka qenë diçka e parandjerë nga trajneri i tij, Vildan Tufi, që e priste një kërcim mbi 8 metra.
“Kam besuar gjithmonë tek Izmiri, madje dikujt i dukej e pamundur kur kam thënë se do të kërcejë mbi 8 metra”, u shpreh ai.
Në muajin gusht zhvillohet në Londër kampionati Botëror i Atletikës, evenimenti më i rëndësishëm pas Lojërave Olimpike. Presidenti i Federatës shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli shprehet optimist se nga Britania mund të vijë një tjetër medalje për Smajlaj. “Nëse do të stërvitet mirë, do të dalë kampion bote në Londër. Izmiri i ka mundësitë për të marrë medalje në Londër”, përfundoi ai.

Artikulli paraprakPS në minorancë, bllokohet Komisioni i Ekonomisë
Artikulli tjetërThomas Strakosha: Dua të shkruaj historinë time