Skënderbeu në Beograd

Klubi serb i Partizanit të Beogradit u ka bërë thirrje publike disa herë tifozëve të vet për të qenë tepër të kujdesshëm me sjelljen para, gjatë dhe mbas ndeshjes me Skënderbeun shqiptar, në Ligën e Europës. Edhe trajneri Miroslav Dukiç, në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, dërgoi një mesazh të mirë të paqes jo vetëm për tifozët, por për të gjithë rajonin. Përgjigjja e Dukiç erdhi pasi një gazetar shqiptar bëri pyetje në gjuhën serbe, nëse ai pret probleme sot.
“Jo, unë nuk pres ndonjë problem. Asnjë prej nesh nuk kanë nevojë për këtë, ne kemi nevojë vetëm për spektaklin e futbollit në mes të Skënderbeut dhe Partizanit. Ne duam të flasim vetëm për futboll dhe jo për ndonjë gjë tjetër. Nuk kemi nevojë për probleme, ne duhet të jemi miq. Ne të gjithë kemi vuajtur në këtë rajon për shkak të këtyre problemeve, ndaj duhet të afrohemi dhe të kthehemi te miqësia. Pas ndeshjes të flasim vetëm për bukurinë e futbollit”, tha Dukiç.
Trajneri serb iu përgjigj një numri pyetjesh për incidentet e mundshme, por edhe për incidentin e famshëm me dron, në ndeshjen mes dy kombëtareve: “Ju jeni pjesa më e mirë serbe dhe partizanase nëse shprehni dhe mbështetni ekipin tuaj dhe nuk e fyeni kundërshtarin”. Duke u fokusuar te prognoza e ndeshjes, te loja e të tijve dhe cilësia e kundërshtarit, trajneri i Partizanit të Beogradit shtoi: “Jemi të vetëdijshëm që ndaj Skënderbeut, nesër, luajmë një nga dy ndeshjet më të rëndësishme në grup. Na pret një duel i vështirë, sepse Skënderbeu është i fortë dhe mjaft agresiv.
Megjithatë, ne duam vetëm fitoren. Na duhet spektakël futbollistik në një ndeshje të madhe. Besoj dhe shpresoj që të jetë një ndeshje korrekte dhe e bukur. Duke iu rikthyer asaj që ndodhi para tri vitesh, them se e pësuan futbollistët dhe kombëtarja, që nuk pati mundësi për t’u kualifikuar. Do të mundohemi t’ua kthejmë mikpritjen shqiptarëve. Nuk do të jetë faktor lodhja fizike. Nuk kemi justifikime, do të luajmë në sulm. Stojkovic besoj se do të jetë gati. Kemi patur një dëmtim gjatë stërvitjes së fundit, por të shohim si do të jetë situata”.
Lojtarët e Skënderbeut kanë mbërritur në Beograd në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Një ekspeditë nga Shqipëria arriti në kryeqytetin serb për të luajtur ndeshjen e Ligës së Europës, ndaj Partizanit vendës. Ky ballafaqim do të zhvillohet sot, në orën 19:00, në kuadrin e raundit të katërt të fazës në grupe të këtij kompeticioni europian. Pas tri ndeshjeve të luajtura në Grupin B, bardhezinjtë e Beogradit janë të tretët, me dy pikë, ndërsa e fundit është skuadra e Skënderbeut, me një pikë. Young Boys është i dyti, me tri pikë, ndërsa Dynamo Kiev renditet e para, me shtatë pikë.
Arlind RAMA

Artikulli paraprakMaradona sulmon sërish Sampaolin: Thërret Icardin për shkak të Wandës
Artikulli tjetërTakaj: Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë!