Skenari rumun i arrestimeve politike me Reformën në Drejtësi

“Capital Research Center”
Fushata e George Soros për të promovuar vizionin e tij të demokracisë së “Shoqërisë së hapur” mori vrull në mesin e viteve 2000. Investimi i filantropistit perëndimor në “zhvillimin demokratik” europianolindor filloi që të shpërblehet nga mesi i viteve 2000. Megjithëse miliarderi i majtë George Soros humbi rreth 27 milionë dollarë në orvatjen e tij për të larguar Presidentin George W. Bush, ai arriti sukses më të madh në ish-bllokun lindor: kandidatët e favorizuar prej tij fituan zgjedhje dhe OJQ-të e tij të “lyera” mirë ndihmuan që të mundeshin kundërshtarët nëpërmjet aktivizimit politik. Ndërkohë, aktivistë të OJQ-ve dhe të “Shoqërisë së hapur” të Sorosit qëndronin gati për t’i mbushur këto vende në qeveritë europianolindore.
E diplomuara në Central European University dhe ish-aktivistja e OJQ-ve, Monica Macovei na jep shembullin e parë sesi aktivistët e lidhur me Sorosin fituan pushtet në Europën Lindore. Në vitin 2004, Presidenti rumun Traian Băsescu e zgjodhi Macovei që të shërbente si ministre Drejtësie në qeverinë e tij. Gjithashtu, ai zgjodhi Renate Weber, Presidenten e Këshillit të Fondacionit, si këshilltaren e tij konstitucionaliste dhe legjislative. Macovei dhe Weber qenë aq shumë të lidhura me njëra-tjetrën nëpërmjet OJQ-ve të lidhura me Sorosin, sa që edhe shkuan bashkë në ditën e parë të punës në kryeqytetin rumun.

Korrupsioni dhe Bashkimi Europian
Për qeverinë e re rumune, përgatitjet për të hyrë në Bashkimin Europian rezultuan që të ishin sfida më e madhe. Open Society Foundation (OSF) e Sorosit luajti një rol kyç në futjen e shteteve passovjetike në Bashkimin Europian. OSF-ja i delegoi vetes detyrën e ndihmimit të vendeve kandidate dhe vlerësimin e gatishmërisë për të hyrë në Bashkimin Europian nëpërmjet botimit të raporteve në zonat brenda qeverive dhe kulturave që ata i gjenin problematike. Në korrikun e 2002, revista rumune “Dilema” e quajti një prej botimeve javore të saj “Besimi në drejtësi”, duke botuar sondazhe nga Fondacioni Soros (midis të tjerëve) që pretendonin se 90% e rumunëve besonin se korrupsioni ishte rritur apo kishte mbetur njëlloj qysh nga zgjedhjet e mëparshme.
Kjo ndihmoi në nxitjen e partisë në pushtet që të krijojë Zyrën Kombëtare Antikorrupsion (PNA) e pavarur. Andrei Pleșu, themeluesi i “Dilema”, ishte një filozof i lidhur me Soros dhe më pas këshilltar i Presidentit Băsescu. Pleșu ndihmoi që të organizohej Grupi për Dialogun Social (GDS).
Në 1990, Sorosi u takua me GDS-në nëpërmjet kontaktit rumuno – hungarez, Salat Levente dhe i paraqiti një ofertë që ata nuk mund ta refuzonin: ai do t’i dhuronte grupit 1 milion dollarë që do të ndihmonin të ndërtohej një rrjet OJQ-shë i favorshëm për të në Rumani. Por “duke mos e kuptuar rëndësinë e resurseve për suksesin e ideve”, shkruan një tjetër themelues i GDS-së, grupi e hodhi poshtë ofertën për të ruajtur një imazh pavarësie.

Megjithatë, Alin Teodorescu, një prej anëtarëve kryesorë të tij, qëndroi në kontakt me Sorosin dhe e ndihmoi atë që të ngrinte Fondacionin Soros më pas po atë vit. Bile Teodorescu shërbeu edhe si presidenti i parë i tij. Pleșu ju bashkua më pas Weber dhe Levente në këshillin drejtues të Fondacionit.
Raporti i vitit 2002 i Bashkimit Europian – që doli 4 muaj pas botimit të sipërpërmendur të numrit të “Dilema” – identifikoi korrupsionin si problem parësor që e pengonte pranimin e Rumanisë në organizatë. Raporti nënvizonte se “vëzhgues të pavarur” konkludonin se “nuk kishte pasur asnjë reduktim të konsiderueshëm të korrupsionit gjatë periudhës raportuese”. Ai theksonte 343 personat e dënuar për korrupsion në 2001 – më pak se në 1999.
Këta vëzhgues gjoja të “pavarur” nuk duket se kishin marrë në konsideratë faktin se mund të kishte pasur më pak korrupsion në 2001 sesa në 1999. Në vitin 2004, për të treguar se po bënte progres, qeveria rumune e uli pragun financiar për investigimin e fitimeve të paligjshme. Raporti atë vit i Komisionit Europian e lavdëronte përpjekjen, por argumentonte se kishte gjasa që ta fokusonte PNA-në në krimet e thjeshta, duke nënvizuar se deri më tani kishte çuar në 86 dënime me burg, shumica e të cilave krime të vogla. “PNA-ja duhet të sigurojë se mbetet e fokusuar në mandatin e saj thelbësor e investigimit të korrupsionit në nivelin e lartë”, mëshonte raporti. Duhet të kapeshin disa peshq të mëdhenj.

Një postbllok kushtetues
Ndërkohë, Macovei qëndronte më shumë se gati që të përgjigjej. Por në fillim të mandatit të saj, ajo hasi në një postbllok. Gjykata Kushtetuese rumune vendosi se, për shkak që PNA-ja ishte nën autoritetin e Ministrisë së Drejtësisë, ajo nuk mund të investigonte parlamentarë për shkak të imunitetit të tyre. Modeli kushtetues i shekullit të XIX-të i Rumanisë parasovjetike ishte i modeluar sipas Kushtetutës belge dhe siguronte mbrojtje të kufizuar ligjore të stilit perëndimor për parlamentarët e saj. Pas rrëzimit të komunizmit, Kushtetuta e re e Rumanisë u dha imunitet të plotë parlamentarëve, duke i ruajtur edhe nga hetimet penale. (Eventualisht, vendi e amendoi këtë klauzolë problematike në 2003, duke lejuar që të hetoheshin apo paditeshin për probleme jo të lidhura me fjalën, megjithatë vetëm nëpërmjet zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm pranë Gjykatës së Lartë).
Për ta zgjidhur problemin e imunitetit dhe ecur përpara me hetimet për korrupsionin, Băsescu e vendosi PNA-në nën autoritetin e Prokurorit të Përgjithshëm… ama pa i dhënë kontroll të plotë. Macovei, e cila e kishte kritikuar vazhdimisht PNA-në, më pas i dha Freedom House – një tjetër OJQ e financuar nga Sorosi – rreth 40000 euro për të kryer një audit të agjencisë.
Jo për t’u habitur, miqtë e saj të Freedom House e gjetën PNA-së kishte një performancë të ulët. Më pas qeveria e ktheu PNA-në në Drejtorinë Kombëtare Antikorrupsion (DNA) dhe Ministria e Drejtësisë e Macovei – në vend të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (CSM) – mori përgjegjësinë mbi Prokurorin e Përgjithshëm dhe Kryeprokurorin e DNA-së.
Si rezultat, media dhe OJQ-të në Rumani ia dolën që t’i shmangnin me sukses ligjvënësit që e kundërshtuan agjencinë e re antikorrupsion në aspektin e të drejtave civile. Macovei largoi drejtorin dhe prokurorë jomiqësorë të PNA-së dhe i zëvendësoi ata me njerëz besnikë ndaj saj dhe administratës së re. Me Macovei në krye të drejtësisë, akuzat e nivelit të lartë u rritën ndjeshëm.

Mënyra e Macovei
Monica Macovei, ministre e Drejtësisë dhe një kuadër i shkollës së aktivizmit të “Shoqërisë së hapur” të George Soros, kishte të listuar objektivat e saj të zyrtarëve qeveritarë të supozuar si të korruptuar. Të akuzuarit përfshinin 9 gjykatës dhe prokurorë, 8 parlamentarë dhe 2 ministra kabineti. Ajo paditi deri edhe zëvendëskryeministrin e Presidentit Basescu. Kryeministri në largim Adrian Năstase shkoi në burg për keqpërdorim të fondeve publike në 2012. Edhe ky investigim nisi nën Macovei.
Por paraqitja e këtyre trofeve të nivelit të lartë Komisionit Europian bartëte shpërblime potencialisht më të mëdha sesa thjesht ndihmë për Rumaninë që të hynte në Bashkimin Europian. Në një intervistë me uebsajtin EUPolitix në majin e 2006, Macovei la të nënkuptohej interesi i saj për t’u bërë komisionerja e parë e Bashkimit Europian nga Rumania. Duke i bërë jehonë shtypit gjerman, “Bucharest Daily News” raportoi më 21 shtator 2006, se, me hyrjen e Rumanisë dhe Bullgarisë në Bashkimin Europian në 2007, “trupa e komisionerëve do të duhej të zgjerohej, duke përfshirë 2 anëtarë më shumë”. Raportimet e paraqisnin Macovei si një kandidate të fortë për pozicionin e Drejtësisë për shkak të përndjekjes së politikanëve të fuqishëm nga ana e saj.

Shpërdorim detyre
Për ta zgjeruar rrethin e korrupsionit, Macovei e zgjeroi shumë konceptin e “shpërdorimit të detyrës”. Në vend që të mbështeteshin tek votuesit që t’i vinin përgjegjësisë në kutitë e votimit, zyrtarët që performonin dobët apo neglizhentë, klasa e re prokuroriale e Rumanisë – sigurisht, e përzgjedhur nga klasa e OJQ-ve dhe e financuar nga Soros e kompani – tani mund t’i dërgonte ata direkt në burg. Megjithëse hyri në fuqi, pasi Macovei u largua nga posti, Kodi i Ri Penal i Rumanisë më shumë se e dyfishoi dënimin për shpërdorim detyre, duke e çuar nga 2 në 7 vjet dhe bile fshiu edhe fjalën “qëllimisht” ku i referohej akteve të dëmshme.
Pasojat mund të ishin të tmerrshme. Ministri i Shëndetësisë, Eugen Nicolăescu mësoi në televizion se Drejtoria Kombëtare Antikorrupsion (DNA) kishte hapur një hetim ndaj tij për shpërdorim të supozuar detyre. Hetimi citonte një rinegociim që kishte ndodhur 8 vite më parë, kur Llotaria Rumune kishte rinegociiuar një kontratë me një kompani greke për makina shtesë. Hetuesit argumentonin se marrëveshja i kishte kushtuar kompanisë rumune – dhe, për pasojë shtetit rumun – para dhe ia vinte në ngarkim këto humbje Nicolăescu dhe dy aksionerëve të tjerë që kishin miratuar rinegociimin.
Agjencia Kombëtare e Integritetit (ANI) qe një tjetër gjetje e Macovei. Kjo agjenci e re në thelb trajtonte të gjithë nëpunësit civilë dhe anëtarët e familjeve të tyre si të dyshuar për korrupsion. ANI-ja u kërkonte atyre që të deklaronin të gjitha asetet dhe gjithçka që kishin shitur brenda vitit të mëparshëm. Asnjë ligj i tillë nuk ekzistonte ndokund në Bashkimin Europian, të cilin, si për ironi, Macovei e trajtonte si standardin e artë e ligjit e të drejtësisë. Ajo bile mburrej se ANI-ja përfundonte duke prekur “rreth 500000 njerëz në total”.

“Kjo tingëllon e çuditshme në Gjermani apo në Francë, ku deklarime të tilla janë konfidenciale dhe regjistronin institucionin”, pranon Macovei. “Në Rumani, kjo nuk funksionon. Nëqoftëse në Rumani ne e regjistrojmë konfidencialisht në një institucion, është njëlloj sikur nuk ekziston”. Megjithatë, shumë prej këtyre institucioneve, si banka apo kompani automobilistike, janë shumëkombëshe me qendër në Europën Perëndimore. Nëqoftëse degët vendore i shkatërrojnë rregullisht regjistrimet, siç sugjeron ajo, atëhere njeriu duhet të habitet se pse ajo nuk e ngriti problemin me këto kompani.
Sipas transkriptimeve të bëra gjatë debatit publik lidhur me ligjin të siguruara nga Shoqëria për Drejtësinë, Macovei ftonte vetëm anëtarë OJQ-shë për të diskutuar krijimin e ANI-së, duke përjashtuar gjykatës dhe prokurorë që do të duhej ta zbatonin atë dhe të cilët politika do t’i prekte më së shumti.
Gjithashtu, ajo bëri ndryshime të ndryshme “progresive” në Kodin Penal nëpërmjet Parlamentit: duke kufizuar aksesin për avokatët gjatë seancave dëgjimore dhe duke lejuar prokurorët që të përgjonin dhe survejonin pa leje paraprake. Kur Komisioni i Drejtësisë së Parlamentit deshi të diskutonte “reformat” e saj, ajo u irritua aq shumë me ta se po përpiqeshin ta ndalnin “progresin” sa që u largua menjëherë nga mbledhja dhe përplasi derën.

Big Brother?
Metodat e Macovei zemëruan çdo sektor të qeverisjes, përjashto degën miqësore ekzekutive. Gazeta konservatore “Ziua” argumentonte se ajo ishte “ministrja më e llastuar që kishte pasur ndonjëherë Rumania”. Lideri i minorancës në koalicionin qeverisës e Băsescu ju referua taktikave të saj si “jokushtetuese” dhe “staliniste”. Edhe Fondacioni Soros shprehu shqetësimin se disa prej propozimeve të saj mund të çonin në një shtet policor. Mircea Ciopraga në Dhomën e Ulët të Parlamentit argumentoi se masat dhe propozimet e reja çonin rrezikshëm prapa në ditët e komunizmit: Njerëzit kanë preokupime më urgjente lidhur me shërbimet sekrete.
Specifikisht, kontroll më të madh mbi aktivitetet e tyre dhe zbulimin e krimeve të ish-Securitates komuniste, trashëgimtarë të së cilës janë, pjesërisht, shërbimet sekrete aktuale. Rumania as nuk kaloi një 11 shtator, as nuk ka shanse objektive që të ndodhë një gjë e tillë. Nuk ka aspak nevojë për një Patriot Act.

Por Macovei ia arriti ta anashkalojë Parlamentin nëpërmjet të sapokrijuarës Drejtori për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit (DIICOT). Nëpërmjet një urdhëri të jashtëzakonshëm, administrata autorizonte agjencinë që të interceptonte biseda telefonike, të survejojnë individë dhe të kishte akses në llogari bankare pa leje paraprake.
Masa nuk shkaktoi revoltë të gjerë publike për shkak të mandatit të kufizuar të agjencisë për t’u marrë vetëm me kërcënime dhe sigurisë kombëtare dhe krim të organizuar. Por në mbledhjen e tij të parë pas zgjedhjes së Băsescu, Këshilli i Lartë i Mbrojtjes Kombëtare (CSAT) të vendit e kishte deklaruar tashmë korrupsionin si një çështje të sigurisë kombëtare, diçka që vetëm Parlamenti kishte tagrin kushtetues që ta bënte.

Kjo i dha DIICOT-it dhe Shërbimit të Inteligjencës së Brendshme të Rumanisë autorizimin për të vendosur të dyshuarit për korrupsion në të njëjtën kategori me të dyshuarit për terror të brendshëm. Gjithashtu, kjo hapi rrugën për bashkëpunim sekret SRI – DNA – një tjetër paligjshmëri nën Nenin 7 të Ligjit 303/2004, që i ndalon prokurorët nga bashkëpunimi në çdo mënyrë me agjentë të shërbimit sekret. Veç kësaj, publiku nuk dinte asgjë për Vendimin Nr.17 të 28 shkurtit 2005 të CSAT-it. Ai mbeti sekret deri në janarin e 2017, kur gazeta “Evenimentul Zilei” siguroi një kopje të vendimit.
Shpesh Macovei u thoshte vëzhguesve perëndimore se, megjithëse Rumania kishte ligje të mira, ajo kishte nevojë për njerëz të mirë në pozicionet që merreshin me zbatimin e këtyre ligjeve. Por edhe pse ajo nuk abuzoi asnjëherë me postin e saj, masat që ajo avancoi – shpesh nëpërmjet një dekreti të jashtëzakonshëm pa inputin e Parlamentit – krijuan një sistem që ministrat e Drejtësisë dhe prokurorët e ardhshëm mund ta shkelnin lehtësisht në emër të luftës kundër korrupsionit.

Kur Senati kaloi një rezolutë jodetyruese që bënte thirrje për dorëheqjen e saj për korruptim të drejtësisë dhe interferim me Parlamentin, OJQ-të e lidhura me rrjetin e Sorosit u ngritën në mbrojtje të saj. Ato e dinin se mund të kishin Bashkimin Europian nga ana e tyre në çdo përplasje të brendshme politike për shkak se kontrollonin aksesin thuajse ekskluziv me veshin e tij. Megjithëse Komisioni i Bashkimit Europian në fund vendosi që të mos ndërhyjë, zëvendëspresidenti i Bundestagut gjerman paralajmëroi se largimi i Macovei mund të shkaktonte masa ndëshkuese nga ana e Bashkimit Europian ndaj Rumanisë për braktisje të përpjekjeve reformuese.

Ndërkohë, shtypi europianoperëndimor e lavdëronte pafund Macovei në përpjekjen e saj fisnike për ta nxjerrë Rumaninë nga Mesjeta. Sipas gjermanes “Sonntags Zeitung”, ajo përfaqësonte “Rumaninë tjetër, të mirë”. Çmimet e saj të shumta përfshinin 2008 European Woman of the Year nga Shoqata Ndërkombëtare për Promovimin e Gruas Europiane. Eventualisht Senati e inkriminoi Băsescu në 2007 dhe Macovei shpejt u zëvendësua me besnikë të tjerë të Băsescu. Megjithatë, karriera e saj nuk përfundoi këtu. Ajo arriti të fitojë një vend në Parlamentin Europian në 2009.
Kur u konfrontua në një intervistë të vitit 2011 në televizionin publik rumun për përqindjet e tmerrshme fajësuese të prokurorëve, Macovei fajësoi gjykatësit e korruptuar që po dështonin në bërjen e punës së tyre. “Ka disa gjykatës që i miratojnë arrestimet”, tha ajo. “Mirë për ta! Ne shohim se ka disa gjykatës që dënojnë. Mirë për ta!”. Por dënimet e vonuara mbetën një kritikë serioze e raporteve vlerësuese 2-vjeçare të Komisionit Europian. “Kjo është arsyeja se pse hymë në Bashkimin Europian. Të luajmë me rregulla, sipas rregullave të tyre!”. “Jo sipas tonave?”, e pyeti intervistuesi.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakNigel Farage i shpall luftë Sorosit në Britani: Më në fund po merremi me të
Artikulli tjetërZyrtare nga Greqia: Ramës i morëm në tavolinë dy parcelat e naftës dhe gazit në det