Skema si ti biesh qylit me “Rrugën e Kombit”

Nga Ergys Mërtiri

Rruga e Kombit, një skemë fantastike si mund t’i biesh qylit
Nuk mjafton të marrësh falas një aset publik, për t’i nxjerrë atij para. Duhet dhe një garanci për fitimin, në rast se del i pazoti për ta vjelë mirë. Për këtë mendon shteti shqiptar, shteti më bujar në botë.
Sipas kontratës që qeveria ka bërë me koncesionarin për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit”, nëse rruga nuk arrin të nxjerrë fitimin e parashikuar prej 8-9 milionë euro, shteti del garant për t’i kompesuar kompanisë fitimin e munguar. Nëse fitimi e tejkalon këtë shumë, ai do të ndahet mes palëve, ku shteti merr 60 përqind, ndërsa privati 40.
Pra, në Shqipëri ti mund të marrësh qyl një rrugë që ka kushtuar 1 miliard dollarë, të vësh një tra dhe t’ia rrjepësh kokën kujtdo që e ka zënë halli të kalojë aty, duke i marrë çdo mjeti me 4 rrota 5 euro vajtje dhe 5 për ardhje. Në këmbim, do të duhet të mbushësh disa gropa me asfalt, të kujdesesh për të ruajtur trafikndarëset dhe të hedhësh ndonjë kamion kripë, kur bie borë.

Në rast se je i paaftë për t’ia nxjerrë mirë fitimin kësaj, mos u mërzit, paguan shteti! Fitim i sigurt, pazar i qëruar.
Situata është interesante. Shteti po na thotë që është i paaftë për ta mirëmbajtur rrugën dhe se këtë mund ta bëjë vetëm një kapitalist. Por ky kapitalisti, nuk është dhe aq i tillë, pasi nuk operon plotësisht në terma ekonomikë input-autput, për të optimizuar fitimet në raport me kostot. Prandaj dhe i duhet që të suportohet nga shteti në një ndërkëmbim të ndërsjelltë të shtetit në privat dhe privatit në shtet.
Skema shpërfaq një tjetër rrugë të tretë, krejt origjinale, midis socializmit dhe kapitalizmit, ku ortakëria e shtetit me privatin ofrohet si një shpikje brilante për maksimizimin e fitimeve private mbi një aset publik. Në terminologjinë e rilindjes social-kapitaliste shqiptare kjo quhet: PPP, një mënyrë elegante sesi Pushteti Përdhunon Popullin, të cilit do t’i duhet të paguajë në fund, si përherë, suksesin e radhës të kësaj qeverie.

 

Artikulli paraprak9 milionë euro taksa për RTVSH, duan rritje edhe me 50% të tjera!
Artikulli tjetërSkenar ukrainas për ndarjen e Kosovës!