Skandali/Teatri Kombëtar do të prishet për të ndërtuar kullën me 43 kate

Në vend të teatrit planifikohet ndërtimi i një kulle me 43 kate, leja e të cilës do të jepet nga Rama dhe do të jetë në bashkëpronësi me një biznesmen nga rrethi i ngushtë i kreut të qeverisë. Plani parashikon zhvendosjen e teatrit në një magazinë, të cilës Rama i ka vendosur emrin “Turbina”. Deri tani qeveria nuk ka pranuar të japë asnjë detaj për atë që do të ndodhë me vendin ku sot është Teatri Kombëtar. Burime nga Bashkia sqarojnë se është përgatitur edhe projekti i kullës që do të ngrihet me 43 kate. Burime të tjera sqarojnë se investimi do të jetë pjesë e një grupi njerëzish të rrethit të ngushtë të Ramës pavarësisht se në publik do të dalë vetëm një nga biznesmenët. Pas këtij ndërtimi fshihet një pastrim i parave të pista kryesisht të drogës të akumuluara gjatë viteve të fundit nga njerëzit e afërt të Ramës. Ndërtimi i një kulle në vend të Teatrit Kombëtar ka qenë një plan i Ramës edhe gjatë kohës që ai ka qenë në krye të Bashkisë së Tiranës. Edhe atëherë Rama tentoi të zhvendosë Teatrin për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullës, por kjo hasi në protesta të forta të komunitetit të artistëve. Në atë kohë në krye të qeverisë ishte Berisha, i cili u doli në krah artistëve dhe deklaroi se nuk do të lejojë ndërtimin e kullës. Tani që Rama është edhe në krye të qeverisë edhe në krye të Bashkisë sikurse dhe ka edhe paratë e drogës me vete për ta ndërtuar, projekti duket më afër se kurrë për t’u realizuar.

“Turbina” në ndërtesën e ish-Laboratorit Hidroteknik
Rama ka folur për herë të parë për shqetësimin e ngritur nga artistët për Teatrin Kombëtar. Kryeministri nuk u ka kthyer përgjigje drejtpërdrejt aktorëve, por komentuesve në Facebook dhe ka deklaruar se projekti i tij do të vazhdojë dhe nuk pranon leksione nga askush. Sipas tij, debati për të mbrojtur godinën e rrënuar të teatrit, është pa asnjë vlerë e asnjë kuptim sot.
Qytetari: E degjove Robert Ndreniken Edo? Po Bujar Asqeriun? Folen nga plasja shpirtit… keshtu jemi pothuaj te gjithe, edhe pse te japim voten qe te mos fitoje me ai Qoftelargu!
Rama: Jo Andi nuk i kam degjuar dhe nuk e di cfare plasje kane, po di qe debati per te mbrojtur godinen e rrenuar teatrit, eshte nje debat i stervjeter, i sterlodhur dhe pa asnje vlere e asnje kuptim sot! Sa ka bere qeveria ime per teatrot, muzetë, stadiumet ne vetem 4 vjet nuk i kane bere te gjitha qeverite bashke ne 25 vjet! Nuk mjaftojnë? Aspak. Por ama leksione te asnjë lloji s’na jep dot askush dhe ne keto kater vjet do bejme ende me shume, perfshire edhe Teatrin e Ri Kombetar, duan s’duan ata qe s’dine çfarë duan!

Artistët nuk pranojnë takim me ministren në Ministri
Protestës së artistëve të Teatrit Kombëtar i janë bashkuar dje edhe artistët e Shkodrës dhe Vlorës, si dhe institucioneve të tjera kombëtare kulturore, Cirku Kombëtar dhe Teatri i Kukullave. Artistët e Teatrit hynë me forcë dje në godinën e Teatrit Kombëtar, pasi dera e Teatrit ishte kyçur me urdhër nga lart. Artistët janë ngritur në protestë kundër zhvendosjes së Teatrit, siç parashikohet në pr/ligjin e kundërshtuar prej tyre. Ata kanë protestuar sërish dhe me shumë vështirësi kanë mundur të hyjnë deri në hollin e Teatrit Kombëtar. Ata kërkojnë transparencë për gjithçka dhe kërkojnë takim me Kumbaron. “I bëjmë thirrje ministres Kumbaro që t’u përgjigjet kërkesave tona, të bëhet çdo gjë transparente, pasi e-mailet që supuzohet të jenë dërguar, nuk na kanë ardhur”, u shprehën artistët.
Artistët kërkojnë që me ministren e Kulturës të takohen vetëm në Teatrin Kombëtar. Ftesa e Mirela Kumbaros për bisedë me ta është të mërkurën në orën 16:00, në institucionin që ajo drejton, pa praninë e mediave, por që është kundërshtuar nga artistët. Qëndrimin e tyre e dhanë pas një konference-protestë të mbajtur në hollin e Teatrit Kombëtar. “Jo në zyrë, por në teatër. Të presim zonja ministre”, tha Arben Derhemi.
Për shkak se dera për në sallën e Teatrit Kombëtar ishte e mbyllur, pasi fillimisht aktorët e regjisorët e teatrit duhet të pajiseshin me leje nga Drejtoria e Teatrit Kombëtar, protesta u mbajt në holl. Asaj iu bashkuan edhe dramaturgë, aktorë e regjisorë nga Shkodra dhe Vlora dhe institucioneve të tjera kombëtare kulturore, Cirku Kombëtar dhe Teatri i Kukullave.

“Neve na fusin në vërën e miut, atje te hidrocentrali”, tha Bujar Asqeriu. “Nuk kemi foni, nuk kemi ndriçim, nuk kemi karrige, nuk kemi ngrohje. E megjithatë bëjmë Teatër”, tha Rita Gjeka. “Kontratat e punës që pretendon ministrja e Kulturës që ka sjellë një risi në këtë vend, janë litari që u është vënë në fyt të gjithë artistëve”, tha Shegushe Bebeti.
Peticioni për anulimin e vendimit për zhvendosjen e trupës së Teatrit Kombëtar te “Turbina” është firmosur deri më tani nga mbi 4 mijë qytetarë, ndërkohë që u hodh propozimi që në adresë të Parlamentit, artistët të nisin një kërkesë të argumentuar për anulimin e projektligjit për artin dhe kulturën.
Në lidhje me ndërtimin e Kullës, Kumbaro tha më herët se po mbarojnë punimet në qendrën e artit e pagëzuar me emrin Turbina. “Salla aktuale e teatrit do të vazhdojë të jetë funksionale edhe për trupën e Teatrit edhe për trupa të tjera. Teatri Kombëtar do të vazhdojë të jetë në funksion deri ditën që do të na vijë projekti, por trupa e tij do zhvendoset në një mjedis shumë komod dhe ne këtë gjë e kemi dakordësuar më herët me artistët”.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërFirma pa asnjë lek në llogari bankare ndërtojnë kullat në Tiranë, çfarë rrezikojnë qytetarët