Skandali “Xhafaj”/ Kush është prokurori “40 vjeçar nga Kruja” që ka takuar “aktorin” Alizoti

Fredi Alizoti, personi që po përdoret nga Policia dhe Prokuroria për të përgënjeshtruar përfshirjen e Geron Xhafaj në trafik narkotikësh, deklaron në një bisedë të lirë, të përgjuar nga bashkëbiseduesi i tij, se është marrë me makinë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, për të takuar prokurorin e Krimeve të Rënda, të cilit do i tregonte variantin e servirur nga policia.
Alizoti, në videon e publikuar në emisionin “Opinion” të Tv Klan, mbrëmjen e së Martës, nuk ka përmendur emrin e prokurorit të Krimeve të Rënda. Gjithësesi ai ka dhënë disa elementë identifikuar. Alizoti shprehet se “prokurori ishte nga Kruja, një çun i ri, te 40, 40 e ca vjeç”.
Ja çfarë thotë, më konkretisht për këtë episod, Fred Alizoti, në video-përgjimin e publikuar nga deputeti Ervin Salianji në emisionin e Blendi Fevziut:
Tjetri – Të të marri Drejtori Pergjithshëm ty në makinë është skandaloze njëjherë.
Fredi – Ore mos të gjej ça kam në shpi. Unë u habita o vlla.
Tjetri – Edhe? Numër policie është ai?
Fredi – Numri i këtij o vlla, privat.
Fredi – Prokurori ishte nga Kruja, nje çun i ri ai, te 40, 40 e ca vjeç.

Në Prokurorinë për Krime të Rënda janë aktualisht në funksion rreth 20 prokurorë. Për shkak të numrit të tyre jo të lartë, jo vetëm prokurorët, por edhe gjyqtarët, policët, avokatët e të tjerë persona që i lidh puna me Prokurorinë për Krime të Rënda, arrijnë të identifikojnë lehtësisht se cili është “prokurori nga Kruja, rreth 40, 40 e ca vjeç”.
Këtë prokuror, thotë Alizoti në video-përgjim, e ka takuar jashtë ambjenteve të Prokurorisë, në të cilën “dëshmitari” kishte mbërritur me automjetin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Më tej, Alizoti shprehet se në ambjentet jashtë Prokurorisë për Krime të Rënda ka takuar, në të njëjtën kohë, edhe Taulant Ballën, kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Nga këto dëshmi të dhëna prej tij në bisedë të lirshme, pa e ditur që ka qenë në regjistrim, Fred Alizoti ka dhënë një variant tërësisht të ndryshëm nga ai që ka Prokuroria. Kjo e fundit, në bazë të disa përgjimeve që Alizoti ka kryer me disa persona të tjerë, pa asnjë lidhje me hetimin për Agron (Geron) Xhafaj, ka arritur në konkluzionin se nuk ekziston vepra e “trafikut të narkotikëve” kryer nga vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, por vepra penale e “kallëzimit të rremë”, kryer nga denoncuesi i trafikut.
Por, faktet e dhëna në bisedën e lirshme të Alizotit, të publikuara në “Opinion” , rrëzojnë plotësisht hetimin e deritanishëm të Prokurorisë për Krime të Rënda, duke shënuar një kthesë të rëndësishme, në të cilën përfshihen zyrtarë shumë të lartë shtetërorë, ndër të cilët Taulant Balla dhe kryepolici Ardi Veliu.

“Boldnews.al”

Artikulli paraprakPesë provat në krim të Taulant Ballës
Artikulli tjetërTë vërtetat që do të fundosin tiraninë