Skandali me naftën Virgin, arrestohet në Gjermani Xhillari, Prokuroria kërkoi dje 15 vjet burg

Arrestohet në Frankfurt të Gjermanisë, Ardian Xhillari, biznesmeni i shpallur në kërkim për skandalin me naftën virxhin. Arrestimi i Xhillarit është bërë nga Interpoli gjerman, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar. Pritet të nisin procedurat për ekstradimin e Xhillarit në Tiranë, ku do të përballet me akuzat e drejtësisë shqiptare.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës paraqiti dje konkluzionet përfundimtare në çështjen gjyqësore ndaj biznesmenit Ardian Xhillari, duke i kërkuar Gjykatës dënimin e tij me 15 vite burg. Sipas Prokurorisë, në vitin 2014 në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Tea Construction and Petroil”, Xhillari ka bërë transportin fiktiv të një sasie prej 4.4 milionë litra naftë nga një depozitë në Kodër Mëzez, Tiranë për në magazinën doganore në Ballsh.
Ky transport rezulton të jetë bërë vetëm në letër, pasi sasia e karburantit të ndaluar për shitje në gjendje të papërpunuara, sipas Prokurorisë, është hedhur në treg. Përmes kësaj skeme, përpos fitimeve, Xhillari dyshohet të ketë shmangur të paktën 242 milionë lekë taska.
“Ky shtetas me dashje direkte ka realizuar të ardhura në mënyrë të paligjshme, të cilat nuk i ka deklaruar, nuk ka paguar detyrimet tatimore me gjithë mundësinë financiare që kishte, si dhe ka riqarkulluar të ardhurat e krijuara në mënyrë të paligjshme nëpërmjet sistemit bankar”, thuhej në pretencën e Prokurorisë, ku u kërkua deklarim fajtor i Xhillarit për akuzat e “fshehje së të ardhurave”, “mospagimit të taksave” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Prokuroria kërkoi për të edhe dënimin plotësues të heqjes së drejtës së ushtrimit të detyrave drejtuese për një periudhe 10-vjeçare.
Për të njëjtat akuza Prokuroria kërkoi dënimin e shoqërisë “Tea Construction and Petrol” në cilësinë e personit juridik me 5 milionë lekë gjobë.
Organi i akuzës kërkoi deklarimin fajtorë edhe ish-zv/drejtoreshën e Doganave, Lula Njebza dhe ish-kryetarit të Doganës Tiranë, Erarbër Teneqexhiu për akuzën e “shpëdorimit të detyrës” dhe dënimin e tyre me nga 5 vite burg si dhe 3 vjet heqje të të drejtës për ushtrimin e funksioneve publike. Sipas Prokurorisë, ish-zyrtarët e doganave përmes veprimeve dhe mosveprimeve të tyre i kanë mundësuar biznesmenit Xhillari transportimin fiktiv të naftës virgine. Alban Xhillari u gjykua në mungesë, pasi ai iu fsheh drejtësisë.

Artikulli paraprakÇifti nga Kruja bashkë në krye të trafikut të drogës në Bolonja
Artikulli tjetërU arrestua bashkë me Seitin, Koçerri kërkon të dalë nga qelia