Skandali, Mimi 97 milionë lekë çdo muaj kompanisë për radarët fantazmë

Doza e akuzave për Ministrinë e Mbrojtjes si të përfshirë në skandalin e radarëve detarë, po shtohen. Radarët, sipas vetë një raporti të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, kanë qenë jashtë funksionit dhe në këtë mënyrë kanë përfituar trafikantët e kanabisit, që dërgojnë tonelata lëndë narkotike nga brigjet shqiptare në drejtim të Italisë. Për LSI lënia e radarëve jashtë funksionit ka qenë e qëllimshme. Nënkryetari Luan Rama i vijoi akuzat sot duke publikuar dokumente, sipas të cilave, edhe pse radarët kanë qenë jashtë funksionit, Ministria e Mbrojtjes i ka paguar 97 milionë lekë çdo muaj kompanisë që ishte kontraktuar për t’i mirëmbajtur.

Akuzat e Luan Ramës

Skandali me radarët dhe gjeneralët e korrupsionit! Ministria e Mbrojtjes i paguan çdo muaj 97 milionë lekë kompanisë private për mirëmbajtjen e radarëve që nuk punojnë! Radarët e instaluar për të vëzhguar hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë prej më shumë se dy vjet nuk punojnë! Thënë me “gjuhën” ushtarake, Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare (SIVHD) nuk është operacional! Mosveprimi i strukturave përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është kriminal!
Sepse lënia jashtë funksioneve operacionale e sistemit të radarëve, ka cënuar drejtpërdrejtë sigurinë kombëtare!
Instalimi i serverit të kamerave që vëzhgon veprimtarinë e institucioneve ushtarake tek kompania private e kontraktuar për mirëmbajtjen e radarëve, është cënin i rëndë e flagrant i normave më elementare të sigurisë dhe të ruajtjes së informacionit!
Në një vend normal demokratik, vetëm kaq do të mjaftonte për ta konsideruar të gjithën një skandal të madh dhe që qeveria të jepte dorëheqjen! Ministria e Mbrojtjes i paguan çdo muaj 97 milionë lekë kompanisë private që është kontraktuar të mirëmbajë Sistemin e Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, edhe pse sistemi nuk është operacional!
Vetëm për një vit, prej korrikut 2015 deri në korrik 2016 i janë dhënë firmës private 1 miliard e 150 milionë lekë për një punë që nuk e ka kryer! Dhe si të mos mjaftonte kjo, në shkurt të këtij viti, pra në shkurt 2017, Komanda e Forcave Detare ka prokuruar një fond prej 370 milionë lekë shtesë, për punime dhe pajisje, që i janë dhënë të njëjtës firmë, e cila në fakt duhej t’i instalonte si detyrim kontraktual, pasi është paguar çdo muaj me 97 milionë lekë, për një punë të pakryer!
Por skandali i korrupsionit të gjeneralëve nuk është vetëm kaq!
Ka shpërdorim të frekuencave ushtarake, ka instalime private të pajisjeve të firmë në repartet ushtarake!
Në vlerësimin tim jemi përpara një veprimtarie kriminale; organizim mafioz për defektimin e sistemit, cënim me vetëdije të sigurisë së njerëzve në det, cënim të elementëve thelbësorë të sigurisë kombëtare! Çfarë presin institucionet e zbatimit të ligjit?!

Artikulli paraprakPD i drejtohet Calaverës: ONM të mbajë në kontroll tendencën e qeverisë për të diktuar Vettingun
Artikulli tjetërBomba e FMN: Si Rama ka çuar vendin në gropë