Skandal, Veliaj kthen rrugën në oborr të hotelit të Frrokut

Edi Rama vijon me shpërblimin e Mark Frrokut për shërbimet që ky i fundit i bën kryeministrit në fushata elektorale dhe jo vetëm. Ditën e djeshme, Kreu i Departamentit të Pyjeve, Mjedisit dhe Turizmit pranë Partisë Demokratike, Jamarbër Malltezi, ka publikuar një foto në rrjetet sociale ku shihet se si sheshi ku më parë ka qenë busti i “Adem Jasharit”, në hyrje të rrugës së ambasadave po kthehet në lulishte, madje për këtë arsye është prishur dhe rruga që lidhte hyrjen e ambasadave me rrugën e “Durrësit”.  Bëhet fjalë për një shesh përpara hotel “Napolit”, ku po hidhen qindra mijëra euro nga Bashkia Tiranë, e drejtuar nga Erion Velija për ta kthyer atë në oborr të hotelit në pronësi të Mark Frrokut. Rruga që ka qenë dikur nuk ekziston më aty, duke i ardhur kështu në ndihmë Frrokut për të pasur dhe një oborr para hyrjes së hotel “Napolit”, ish-hotel “Pensioni”. Një aferë korruptive dhe klienteliste që bëhet me paratë e taksapaguesve, si një mea culpa që Rama kërkon të bëjë para aleatit të tij, shok armësh në vjedhjen e votave në zonën e Lezhës dhe Mirditës. Vëllait të Arben Frrokut, vrasësit të komisar Dritan Lamajt. “Frrokun e dënojnë për ndërtim pa leje, ndërsa qeveria kthen tokën publike tek busti “Adem Jashari” në kopsht/oborr privat të ndërtimit të paligjshëm të Frrokut!!! Ky Edvini i duhet veç dreqit!” shprehet Malltezi në reagimin e tij. Në fakt, sheshi përpara hotelit të Frrokut ka dhe pronarë, të cilët presin me vite të tëra kompensim, pasi janë shpronësuar një herë nga komunizmi dhe një herë nga Bashkia për interesa publike. Por me sa duket këto interesa publike, qenkan ato të Frrokut, Prengës, Roshit dhe të gjithë të tjerëve që ai solli në politikë për të mbajtur pushtetin nën dhunën e manipulimit dhe vjedhjes së votës.

Ndërtimi pa leje

Nuk është hera e parë që Rama e favorizon Frrokun në bizneset e tij. Lulishtja që ndërton Veliaj me urdhër të tij, është akti i fundit. Frroku ka qenë i përkëdheluri i Ramës dhe më parë, kur është favorizuar në ndërtimet pa leje që ka bërë në këtë zonë. Në prillin e vitin 2015, Dallëndyshja e INUK do të bënte spektaklin e radhës, duke dërguar në këtë ndërtesë fadromat për të prishur një kat shtesë pa leje që kish zënë trotuarin. Por një urdhër i dytë i ktheu fadromat mbrapsht. Në media do të publikohej lajmi se, “pronarët ishin shprehur se janë të ndërgjegjshëm dhe do e prishin vetë katin pa leje”. Por deri ditën e djeshme, datë 22 prill 2017, ndërtimi i katit të parë që kish zënë trotuarin nuk ishte prishur, megjithëse Frrokut i është ngritur akuzë nga Prokuroria për ndërtim të paligjshëm. Pra, njeriu që premton se do të bëjë shtet, dhe do të luftojë informalitetin, duket se në rastin e Frrokut i është lagur fitili i dinamitit, ai fitil që hidhte në erë shtëpitë e fukarenjve në çdo cep të vendit, por nuk prish dot një ndërtim me fasadë xhami, i cili zuri me përdhunë trotuarin tek rruga e “Durrësit”. Madje jo vetëm kaq, por për të mbajtur në këmbë ngrehinën e Frrokut, po derdh miliona lekë të taksapaguesve, duke hequr trotuarë e rrugë për ta bërë “pedonale”, e cila nuk do jrtë asgjë tjetër vetëm se fasada zbukuruese e hotelit të mikut dhe aleatit të tij nga bota e krimit.

Dy standarde, si e ka vënë në rresht vrasësi qeverinë

Ndërtesa është në mes të Tiranës dhe për të nuk flet askush. Mark Frroku ka deklaruar se e ka blerë atë nga Tom Doshi për diçka më shumë se 7 milionë dollarë. Ky i fundit, deklaroi para ca kohësh në Gjykatë se e ka rimarrë sërish në pronësi, të njëjtën pronë që ja shiti ortakut të tij. Nuk dihet nëse ka transaksion se Doshi ja ka kthyer paratë Frrokut, apo Frroku është treguar aq zemërgjerë sa për tju shmangur sekuestros ka deklaruar se ja ka falur hotelin Doshit. Por ajo që është e sigurtë në të gjithë këtë histori, është dy standardizimi që aplikohet kur bëhet fjalë për ndërtime që i kryen Frroku apo Doshi, dhe kur i kryejnë qytetarët. Për të parët vihen në dispozicion të gjitha resurset e shtetit, që nga ALUIZNI me Artan Lamen që i legalizoi pa ngrohur mirë karrigen, katin pa leje të Doshit në hotelin që do ja shiste Frrokut, tek Erion  Veliaj, i cili zgjidh qesen për t’i ndërtuar lulishten, tek Dallandyshja, e cila bën sikur nuk shikon ngrehinën e  Frrokut, siç nuk pa atë të Sadri Abazit e kështu me radhë. Ndërsa për të dytët për qytetarët është gjuha e forcës, dinamitit dhe e burgut. Si rasti i atij babait të Kavajës, i burgosur për një çati pa leje, e cila i kushtoi humbjen e jetës së dy fëmijëve që po shkonin ta vizitonin në Burgun e Rrogozhinës. Me pak fjalë, ky është vizioni i shtetit që po ndërton Edi Rama.

Vrasësi Frroku nga burgu: Unë dhe Rama, dy aleatët e Merkelit

Mark Frroku ka deklaruar nga burgu bindjen e tij të përhershme për Edi Ramën, duke u shprehur se këta të dy janë dhe aleatët e vetëm të kancelares gjermane, Angela Merkel në Gjermani. Me anë të një deklarate për median, Frroku megjithëse i dënuar me 7 vite e 6 muaj burg, shprehet i bindur në fitoren e zgjedhjeve nga ana e Edi Ramës, dhe se është rreshtuar krah forcave që e duan Shqipërinë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Nga ana tjetër, veç besnikërisë për Ramën, aleancës së palëkundur me Merkelin bie në sy sërish shqetësimi i Mark Frrokut për Reformën në Drejtësi. Në fakt,  duket se Frroku është personi i fundit që duhet ta përmendte këtë çështje, por në shtetin e Edi Ramës, duket se kriminelët dhe njerëzit e kërkuar nga drejtësia janë ata që i ha meraku më shumë për këtë çështje, ashtu si dhe liderin e tyre. Ja se çfarë thotë njeriu që ndodhet pas hekurave të burgut, por që Rama e solli si risi politike, duke pasur paturpësinë politike që ta bënte dhe përfaqësues të njerëzve “Partia Kristian Demokrate distancohet plotësisht nga deklaratat e kryetarit të Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, për bashkimin e demokristianëve sëbashku në çadrën e ashtuquajtur të lirisë. Ne, Partia Kristian Demokrate i bëjmë me dije opinionit publik se kemi qenë, jemi dhe do të vazhdojmë të jemi përkrah qeverisë dhe koalicionit qeveritar të Aleancës për Shqipërinë Europianë. PKD është e vendosur të rreshtohet përkrah atyre, të cilët e duan Shqipërinë dhe punojnë të palodhur për çdo ditë, për një të ardhme më të mirë për vendin tonë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ne jemi parti politike që përfaqësojmë ndër të tjera spektrin kristian demokrat, ku me shumë mundime arritëm të përfaqësohemi në Parlamentin shqiptar me deputetin tonë. Kujtojmë se jemi partia e vetme e spektrit kristian demokrat, e cila mori mandat deputeti nga vota popullore dhe jo nga manovrat politike, duke u përfshirë në listat e partive të vjetra. PKD njofton opinionin publik se, demokristianët e vërtetë janë të bashkuar pranë forcës tonë politike, pasi elektorati demokristian i ka kapacitetet e duhura për të bërë dallimin ndërmjet atyre, të cilët e duan integrimin e vendit në BE dhe atyre që duan ta çojnë Shqipërinë në destabilitet ashtu si kanë bërë edhe më parë. Demokristianët e vërtetë e bëjnë fare mirë dallimin e atyre të cilët bëjnë të pamundurën të realizohet Reforma në Drejtësi dhe atyre, të cilët janë të zhytur në krime dhe korrupsion, ku të mbërthyer në çadër po bëjnë të pamundurën për të frenuar vazhdimin e Reformës në Drejtësi, e cila do t’i zbardh faqen vendit tonë në dekadat që do të vijnë. Demokristianët e vërtetë mbështesin ambasadorin amerikan, ambasadoren e BE-së dhe të gjithë faktorin ndërkombëtar, që njëzëri janë distancuar nga veprimet e papërgjegjshme të opozitës së sotme. Demokristianët e vërtetë janë në krah të kancelares Angela Merkel dhe ministrit të Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel, të cilët si përfaqësuesit më të mëdhenj të kristian demokratëve ne Europë e treguan se e duan Shqipërinë më shumë se Lulzim Basha dhe opozita e tij e çadrës. E theksojmë se demokristianët shqiptarë janë të bashkuar pranë Partisë Kristian Demokrate, e cila së bashku me koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane të kryesuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë do të vazhdojnë me vendosmëri për përfundimin e reformave të nisura, për integrimin dhe anëtarësimin e vendit në BE si dhe për ndërtimin e një Shqipërie që duam, duke bërë te mundur një të ardhme më të mirë për ne dhe për fëmijët tanë”, thuhet në deklaratën nga burgu të Mark Frrokut, deputetit të Ramës.

Rama po përgatit lirimin e Mark Frrokut në prag të zgjedhjeve

Nga rrjedha e ngjarjeve duket se Edi Rama po përgatit lirimin e Mark Frrokut nga burgu, dhe pse jo përpara zgjedhjeve. Akuza më e rëndë me të cilën Frroku rrezikonte të dënohej me 16-20 vite burg u rrëzua. Nuk përjashtohet mundësia që në vendimin e marrë nga gjykatësit e çështjes, të ketë ndikuar dhe Rama me vettingun e tij të famshëm. Gjykata e Tiranës, vendosi ta dënojë me 7.6 vite burg për tre akuza. Pastrim parash, fshehje pasurie dhe ndërtim të paligjshëm (ndërtimi vazhdon të jetë ende aty). Avokatët kanë vendosur që çështjen ta çojnë në Apel, dhe në rast se Apeli merr vendim për ulje dënimi, atëherë Frrokut i llogaritet koha e paraburgimit prej dy vjetësh. “Ne i kemi paraqitur të gjitha provat në Shkallë të Parë dhe mendojmë se në Apel do ta zhbëjmë këtë pjesë të vendimit. Gjykata nuk ka vepruar drejtë për kryerjen e aktit të ekspertimit mbi pasurinë e Frrokut. Ndërsa akuza për vrasjen e Aleksandër Kurtit në 1999 në Belgjikë, ishte akuzë e ndërtuar mbi thashetheme dhe që në fillim të herës, e kishim thënë që nuk kishte prova për vrasje”, u shprehën avokatët mbrojtës. Prokuroria e Tiranës në konkluzionet e saj pati kërkuar 25 vite burg për Mark Frrokun. Gjatë gjykimit, togat e zeza rrëzuan dëshmitë e disa oficerëve belg, të cilët u pyetën në Gjykatën e Tiranës. Ata patën deklaruar se Frroku, së bashku me Kristjan Marinaj kishin vrarë Aleksandër Kurtin. Edhe Marinaj u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës për vrasjen. Mark Frroku u prangos më 2 prill 2015 dhe prej asaj dite qëndron në qelitë e paraburgimit 302, ndërsa dënimi ndaj tij me 7.5 vite pritet të marrë formë të prerë, pasi të shprehet dhe Gjykata e Apelit. Ndërkohë burime pranë organit të akuzës, konfirmojnë se Prokuroria pritet të apelojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, në lidhje me vrasjen e Aleksandër Kurtit në 1999 në Belgjikë. Hetimet ndaj Mark Frrokut nisën pas kërkesës së Interpol Belgjikës për arrestimin e tij në lidhje me vrasjen e Aleksandër Kurtit.
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burg ish-deputetin Mark Frroku për tre akuza të ngritura nga Prokuroria, por jo për atë të vrasjes së Aleksandër Kurtit në Belgjikë, e cila ishte edhe më e rënda. Sipas vendimit të togave të zeza, ish-deputeti Mark Frroku u shpall i pafajshëm për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në vitin 1999, në Belgjikë. Por nga ana tjetër, e njëjta gjykatë e shpalli fajtor Frrokun për 3 akuza të tjera; atë të fshehjes së pasurisë, pastrim i produkteve të veprës penale dhe ndërtimit të paligjshëm. Ndërkohë, trupi gjykues i kryesuar nga Klorinda Çela përveç dënimit me burg, dënimin plotësues për të mos u zgjedhur për 4 vite në funksione publike. Menjëherë pas vendimit të togave të zeza, avokatët mbrojtës të ish-deputetit Frroku thanë se do e apelojnë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë., Vladimir Meçe dhe Tonin Prendi.

Artikulli paraprakFillon dhe zgjedhjet e paparashikueshme
Artikulli tjetërLindita Nikolla “je vetëm”, arsimtarët i ke përballë!