Skandal/ Veliaj i jep tender të dënuarit me burg për korrupsion me tendera

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka shndërruar në praktikë tashmë që të shpërndajë fonde publike për persona të dënuar. Pas ndryshimit të planit rregullues të qytetit, në favor të të dënuarit për nark-trafik, Edmond Bego, Lali Eri i ka shpallur fitues të një tenderi për ushqime kompaninë “Dogel”, pronari i së cilës u dënua vetëm pak javë më parë me 2 vjet e gjysëm burgim për “korrupsion aktiv”.
Kompania ‘Dogel” rezulton fituese e tenderit për blerje fruta-perime për Konviktet e Shkollave të Mesme, Tiranë, institucion nën varësinë e Bashkisë së Tiranës. Tenderi është zhvilluar në fund të Tetorit 2018, kohë kur pronari i “Dogel”, Elidjan Laskaj, ishte në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, ku ishte i pandehur për “korrupsion aktiv”.
Elidjan Laskaj u arrestua në Korrik të vitit 2016, në vijim të një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria për Krime të Rënda për korrupsionin në tenderat e ushqimeve të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Laskaj, së bashku me administratorët e disa kompanive të tjera akuzoheshin se, në bashkëpunim me drejtues të Burgjeve, kishin krijuar një skemë fiktive për fitimin e tenderave dhe ndarjen e të ardhurave. Administratori i “Dogel”, pas disa javësh në arrest, doli nga paraburgimi dhe hetimi ndaj tij vijoi në gjendje të lirë.

Në nëntor 2018, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e shpalli përfundimisht fajtor dhe e dënoi me dy vjet e 6 muaj burgim, duke ia pezulluar dënimin në “shërbim prove”.
Pavarësisht se administratori i “Dogel” është dënuar për “korrupsion aktiv”, kjo nuk e ka penguar aspak administratën e Lali Erit për ta shpallur fitues të tenderit për furnizimin me fruta-perime të konvikteve të Shkollave të Mesme të Tiranës.
Në këtë tender kanë marrë pjesë 7 kompani, 2 prej të cilave i kanë pasur administratorët të arrestuar së bashku me Elidjan Laskajn për “korrupsion aktiv” në tenderat e burgjeve. Konkretisht, në tenderin për ushqimet e konvikteve të Shkollave të Mesme kanë marrë pjesë edhe kompanitë “Nelsa” shpk dhe “Dajti Park 2007” shpk.
Administratori i “Nelsa”, Nexhmi Balla (sot administratore është Lizeta Balla) dhe ai i “Dajti Park 2007”, Ylber Kalaja, janë dënuar gjithashtu në nëntor 2018 me nga 2 vjet e 6 muaj burg secili, në përfundim të procesit gjyqësor për korrupsionin në tenderat e ushqimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Këta persona, aktualisht të dënuar, por jashtë qelisë, ribashkohen sërish në tenderat e zhvilluar nga Bashkia Tiranë.

/Boldnews.al

1 12 1

2 5 1

3 5 1

Artikulli paraprakTrump fajëson Rezervat Federale për “dhjetorin e zi” të Wall Street-it
Artikulli tjetërMashtrimi vazhdon, Rama devijon kërkesat e studentëve!