Skandal, personeli në fushatën e Ramës, Qendra Shëndetësore mbyllur

Emisioni investigativ “BOOM”, në RTV “Ora News” ka bërë një vëzhgim të pjesëmarrjes së administratës në fushatën zgjedhore. Grupi i xhirimit ishte në Qendrën Shëndetësore 1 në Lushnje, ku stafi i këtij institucioni brenda orarit të punës kishte shkuar në një takim elektoral të Partisë Socialiste në qytetin e Fierit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama. Në fakt jashtë orarit të punës kjo është një gjë mëse e pranueshme dhe normale, por ajo që është shqetësuese është se takimi ishte brenda orarit të punës. Orari zyrtar i punës në këtë Qendër Shëndetësore është deri në orën 20:00 të mbrëmjes, por në orën 18:00 aty nuk kishte asnjë punonjës. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka nxjerrë një urdhër sipas të cilit ndalohen burimet njerëzore të administratës publike të çdo niveli të marrin pjesë në fushatën zgjedhore të qershorit. Por nga një kërkim i bërë në rrjetet sociale, rezulton se disa prej titullarëve të institucioneve kanë postuar disa nga aktivitetet elektorale, një pjesë e të cilave janë zhvilluar në orarin zyrtar të punës. Pak ditë më parë, gazeta denoncoi se si punonjësit e Spitalit të Lushnjës dhe punonjësit e shkollave me urdhër nga lart ishin nxjerrë për t’u transportuar drejt Fierit, ku Rama kishte hapjen e fushatës elektorale të PS atje.

Edhe përfshirja e administratës në fushatë dënohet deri në 4 vite burg

Përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, me ndryshimet e reja në Kodin Penal, do të dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri në 4 vjet.
Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.
Gjithashtu, do të forcohen rregullat për të mbikëqyrur financimin e partive dhe ndalimin e financimeve të paligjshme.
Të gjitha këto masa dhe ndërhyrje, bëhen për të garantuar qytetarët shqiptarë nga presionet dhe shitblerja e votës dhe garë të ndershme për partitë politike në fushatën zgjedhore.
Shitblerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme.
Do të dënohet nga 1 deri në 7 vite burg marrësi dhe dhënësi i kartave të identitetit.
Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike do të jetë vepër penale dhe të dënohet deri në 5 vjet burgim.
Konkretisht marrëveshja e 18 majit parashikonte ndryshimin e Kodit Penal për forcimin e politikës penale nëpërmjet ashpërsimit të sanksioneve, krijimit të veprave të reja penale, kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni.
Forcimi i kuadrit ligjor të financimit të partive politike nëpërmjet rregullimit dhe kufizimit të shpenzimeve zgjedhore, përfshirë ato materiale, kostove dhe transparencës në lidhje me to.
Përmirësimi i standardeve të pasqyrimit të fushatës elektorale në media.
Një tjetër pikë e rëndësishme është ndryshimi i ligjit për financimin e partive. Sipas propozimit të PD-së, partitë politike nuk duhet të përfitojnë më financime nga subjektet private, por vetëm nga financat publike. Megjithatë, kjo çështje është ende në diskutim mes palëve politike. Pas miratimit të kësaj pakete në Parlament, që do të jetë në funksion të zgjedhjeve të afërme, reforma zgjedhore do të pasohet nga një ndërhyrje më e thellë në legjislacionin elektoral, që pritet të nisë në muajin shtator dhe që synon rritjen e standardeve zgjedhore në Shqipëri.

Artikulli paraprakNishani vlerëson me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” senatorin Bob Dole
Artikulli tjetërSpastrime te Barça