Skandal, biznesmeni Karçini që urdhëroi vrasjen me pagesë dënohet vetëm 5 vjet burg

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë dje vendimin për bandën e tritolit që drejtohej nga Julian Sinanaj. Ajo që ra në sy ishte fakti se biznesmeni Ilir Karçini, i cili urdhëroi vrasjen me pagesë të biznesmenit rival, Piro Bare u dënua me vetëm 5 vite burgim. Karçini u arrestua me kërkesë të Prokurorisë në shkurt të vitit 2014, pasi u provua se ai i kishte paguar 120 mijë euro killerit Julian Sinanaj për të vrarë biznesmenin Piro Bare. Fatmirësisht porosia e Karçinit nuk u realizua dot nga Julian Sinanaj, pasi ai u arrestua me armën gati dhe foton e shënjestrës në xhep, dy ditë para se të kryente ekzekutimin e planifikuar. Me këtë dënim tepër të ulët, Karçini pritet të dalë nga burgu. pasi e ka kryer pjesën më të madhe të vuajtjes.
Julian Sinanaj u dënua me burgim të përjetshëm, por për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë dënimi i tij mbetet 35 vjet burg. Në total për këtë bandë janë dhënë 85 vite burg. Andon Mëhillaj u shpall fajtor për 5 vepra kriminale, mes tyre edhe për “grup të strukturuar kriminal”, e për këtë Gjykata pranoi pretencën e Prokurorisë, duke i dhënë dënimin më të rëndë nga të gjithë, atë të dënimit të përjetshëm.
Por Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi kërkesën e organit të akuzës për burgim të përjetshëm edhe për kushëririn e tij, Genis Mëhillajn, ende i kërkuar nga Drejtësia. Ai u dënua me 10 vite burgim, duke u konsideruar fajtor për moskallëzim krimi për ekzekutimin e Veizajt dhe jo si porositës, por edhe si njeriu që kishte siguruar mjete për vrasje të tjera.
Dy të pandehurit e po ashtu bashkëpunëtorë të drejtësisë, Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona u dënuan gjithashtu respektivisht me 35 vite burgim i pari dhe 8 vite burgim i dyti, shok i tij. Megjithëse të klasifikuar si vrasës me pagesë, ata përfituan nga statusi i të penduarve.
Ndaj Sinanajt, Gjykata radhiti 14 episode kriminale, për të cilat u shpall fajtor. Ngjarje që e shohin si autor, që nga vrasja e Sokol Veizajt, Agron Çelës, tentativa për të vrarë biznesmenin Pirro Bare, apo edhe vendosja e lëndëve plasëse në makinën e ish-Prefektit të Vlorës, si dhe në shtëpinë e ish-deputetit Ardian Kollozi.
“Gjykata e dënoi Sinanajn me burgim të përjetshëm, dënim i cili i zbret në 35 vite burgim për shkak të statusit. Sipas Kodit Penal, caktojmë masën e sigurisë për një periudhë prej 30 vitesh për të. Vuajtja e dënimit për të pandehurin fillon që nga dita e arrestimit në flagrancë dhe do të kryhet në një nga institucionet e ekzekutimeve të vendimeve penale sipas marrëveshjes me Drejtorinë e Mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, tha gjykatësja Flora Hajredinaj.
Por ndërsa Julian Sinanaj, së bashku me Ndriçim Gjokonën, e pritën në heshtje vendimin dhe të rrethuar nga Policia e Drejtorisë së Mbrojtjes së bashkëpunëtorëve, të tjerët në kafaz kërkuan të shikohej dokumentacioni, pasi dosja, sipas tyre, është e fryrë.
Dënimet e dhëna nga Gjykata: Julian Sinanaj, 35 vite burgim, Ndriçim Gjokona, 8 vite burgim, Andon Mëhillaj, burgim i përjetshëm, Genis Mëhillaj, 10 vite burgim, Marion Mitro, 19 vite burgim, Albin Meçaj, 8 vite burgim dhe Ilir Karçini, 5 vite burgim.

Artikulli paraprakProkuroria kërkon arrestimin e zyrtarit të Ujësjellësit të Tiranës
Artikulli tjetërArat me drogë në Pukë në pronësi të kreut të Bashkisë dhe Policisë