S’ka teknologji dhe forcë pune të kualifikuar

Raporti i Konkurrueshmërisë 2015-2016 i realizuar nga Forumi Botëror Ekonomik e rendit Shqipërinë në vendin e 97 (3.97 pikë) nga 120 në total për sa i përket eficiencës së tregut të punës. Hong Kongu, Kanadaja, Danimarka janë vendet që renditen në krye të këtij klasifikimi. Në Shqipëri, ekspertët thonë se orët e gjata në punë nuk e justifikojnë gjithmonë nivelin e produktivitetit. Sipas tyre baza e krahasimit është struktura e kapitalit dhe burimet njerëzore të kualifikuara. Sa më të trajnuar dhe profesionalë të jenë burimet njerëzore dhe sa më e përparuar të jetë teknologjia, aq më eficient është tregu i punës.
“Vërtet një grek apo shqiptar punon më shumë se një gjerman, por rezultati në punë nuk është i njëjtë dhe kjo matet me produktin. Teknologjia nuk është e njëjtë e po kështu as forca e punës”, thonë ekspertët shqiptarë. Sipas tyre, investimet në të dy këto aspekte do të rrisnin produktivitetin në vendin e punës. Nga ana tjetër, studimet tregojnë se është e nevojshme që qeveritë të adresojnë çështje që mbështesin punën me orare fleksibël. Sa më shumë njerëzit të punojnë, aq më pak kohë u dedikojnë ata aktiviteteve të tjera dhe kjo cenon raportin mes punës dhe cilësisë së jetës, që vlerësohet si faktor që ndikon në produktivitet.
Ruajta e balancës mes punës dhe jetës po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Studimet tregojnë se rreth 46% e menaxherëve në botë punojnë më shumë se 40 orë në javë dhe 4 në 10 thonë se orët janë shtuar përgjatë pesë viteve të fundit. Orët e gjata të punës, mjediset që nuk inkurajojnë rritjen në karrierë, mungesa e fleksibilitetit janë ndër shkaqet që studimet rendisin, për dorëheqjet nga puna.

Artikulli paraprakNgecin fondet e BE për bujqësinë, përdoren vetëm 23% e planit vjetor
Artikulli tjetërShqiptarët, të parët në Europë për orë pune, të fundit për para