Situata financiare e KESH, 2.4 miliardë lekë më pak të ardhura

Mungesa e reshjeve të shiut ka përkeqësuar situatën financiare të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, ndërsa sipas të dhënave të kësaj kompanie, të bëra me dije për TV SCAN, rezulton se kjo u reflektua në uljen e të ardhurave me 2.4 miliardë lekë se parashikimet. Gjithashtu, shpenzimet e KESH u rritën me 5.1 miliardë lekë si rrjedhojë e detyrimit që kjo kompani ka ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për kompensimin financiar për shkak të thatësirës dhe pamundësisë së prodhimit të sasisë kontraktuale të energjisë. Në këtë kuadër, gjatë muajit shtator, OSHEE arriti të siguronte 94% të sasisë së kërkuar, ndërkohë 6 për qind e sasisë së mbetur u mor pikërisht nga KESH. Gjithashtu, për këtë vit Korporata ka shpenzuar edhe 2.9 miliardë lekë për importin e energjisë, që ishin shpenzime të paparashikuara e që u financuan nga Banka Botërore në kuadër të kredisë për rimëkëmbjen e sektorit. Ndërkaq, pas 3 vitesh bilanci pozitiv, KESH regjistroi humbje për periudhën janar-qershor të këtij viti me rreth 325.5 milionë lekë. Sipas të dhënave të publikuara, përkeqësimi i rezultatit financiar të kompanisë ka ardhur kryesisht nga rënia e prodhimit të energjisë, me rreth 26 për qind. Kriza energjetike, e ardhur si pasojë e thatësirës detyroi edhe qeverinë të ndryshojë buxhetin e shtetit, duke dhënë 3 miliardë lekë shtesë për këtë sektor.

Artikulli paraprakPrekë Cali ka mbetur vetëm
Artikulli tjetërShqipëria rrezikon të paguajë miliona euro në arbitrazh