Sistemi energjetik, KLSH: Ka abuzime në kurriz të qytetarëve

Sistemi energjetik i mbytur në borxhe. Ka abuzime që rëndojnë në kurriz të qytetarëve. “Sistemi energjetik gjendet prej kohësh në një krizë financiare të trashëguar nga periudhat e mëparshme. Ai ka një mungesë të theksuar eficence, si rezultat i detyrimeve të akumuluara midis shoqërive publike të sektorit dhe kredive të shumta të marra për përballimin e kësaj krize”. Në këtë përfundim ka arritur Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas raportit të KLSH, pasqyrat financiare të KESH, OSHEE dhe OST, tregojnë se detyrimi total, i regjistruar zyrtarisht në bilancet e kompanive në fjalë deri më datën 20 shtator 2016, ishte 80.6 miliardë lekë. OSHEE gjatë vitit 2015 dhe 2016 ka rritur nivelin e arkëtimeve, detyrimi i papaguar i OSHEE ndaj KESH për blerjen e energjisë elektrike është 50.9 miliardë lekë. Ndërkohë, detyrimi i OSHEE ndaj KESH për huatë afatgjata është 11.3 miliardë lekë.
Pasqyrat financiare të KESH, OSHEE dhe OST, tregojnë se borxhet e ndërsjella kapin vlerën e  588 milionë eurove. Raporti i KLSH thotë se edhe strategjia e ndjekur nga operatori privat i shpërndarjes CEZ, solli një përkeqësim të treguesve financiarë dhe një rritje të detyrimeve të ndërsjella, ndërmjet shoqërive të sektorit energjetik, duke vështirësuar operimin normal të këtyre shoqërive. Bilancet financiare të tri operatorëve të sistemit energjetik kanë ardhur nga mosrespektimi i marrëveshjeve dhe procedurave ligjore nga ana e kompanive, çka ka sjellë dhe akumulimin dhe rritjen e detyrimeve të ndërsjella, të cilat i kanë vënë në vështirësi këto shoqëri për të operuar në kushte normale.
Sipas KLSH në këto kushte u iniciua edhe reforma në sistemin energjetik që u shoqërua me rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe ashpërsimin e masave për debitorët e energjisë elektrike. Sforcimi solli një përmirësim të bilancit vjetor të OSHEE-së, megjithatë humbjet mbeten ende në nivele të larta dhe çmimi me të cilin operon OSHEE në treg, jo gjithmonë reflekton kostot. Bashkë me gropën e zezë të borxheve duket se është mbuluar edhe abuzimi i madh që është bërë me këtë sektor dhe e vetmja zgjidhje është rritja e çmimit të energjisë për të mbuluar kostot.
Raporti vijon duke thënë se në të shkuarën qeveria ka injektuar nga buxheti para për KESH, OSHEE dhe OST, ndërsa ka paralajmëruar liberalizimin e tregut, duke nisur me shkëputjen e biznesit të madh nga marrëdhënia e detyruar kontraktuale me OSHEE. Gjithsesi qeveria doli shumë shpejt jashtë parashikimeve të saj për të ulur TVSH-në e energjisë siç kishte premtuar dhe me shumë gjasë do të kërkojë sërish rritje të çmimit të energjisë janarin që vjen.

BoldNews.al

Artikulli paraprak5 kushtet e Brukselit që rrëzojnë Ramën
Artikulli tjetërKosova e pret ende Januzajn