Siria, ministri i Jashtëm gjerman kërkon zgjidhje politike

Gabriel e ka quajtur në një intervistë për gazetën gjermane “Bild am Sonntag” ndërhyrjen me gaz kimik si “krimin më të rëndë të luftës” dhe një “akt barbar”. Pas këtij sulmi qëndron regjimi i Presidentit sirian, Bashar al-Asad. “Unë jam i sigurt se për këto krime, herët apo vonë, Asadi do të nxirret para drejtësisë. Asadit i ka kaluar koha”.
Të martën si pasojë e sulmeve me gaz kimik janë vrarë në Chan Scheichun më shumë se 80 persona. Qeveria siriane konteston përdorimin e gazit. Ndërsa SHBA në natën e të premtes ka reaguar me sulme ndaj pozicioneve siriane, prej të cilave mendohet se është hedhur gazi kimik. Ishte ky sulmi i parë amerikan kundër ushtrisë siriane. Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar para Kongresit se sulmet kanë pasur për objektiv dobësimin e aftësisë së ushtrisë siriane për përdorimin e armëve kimike dhe frikësimin e udhëheqësisë irakiane, që të mos përdorë sërish armë të këtilla.

Ngrihen tensionet SHBA-Rusi
Sjellja e Uashingtonit ka ngritur tensionet edhe mes SHBA dhe Rusisë, sepse Moska është një partner tradicional i Presidentit të Sirisë, Asad. Në një tekst për gazetën “Tagesspiegel”, Gabriel shkruan se shumë njerëz janë frikësuar nga një luftë mes fuqive të mëdha. Por ai është i sigurt se një shkallëzim dhe konflikt të këtillë nuk do të ketë. “Megjithatë ndjenjat e njerëzve janë të drejta – situata në rrafshin ndërkombëtar kaherë nuk ka qenë kaq shqetësuese”.
Ministri i Jashtëm gjerman u ankua edhe për shkak të gjendjes diplomatike në botë. “KS i OKB është zhvlerësuar për shkak të sjelljes së disa anëtarëve, të cilat bllokojnë të gjitha zgjidhjet”. Gabrieli tha se për gjendjen në Siri do të bisedojë me kolegët e tij nga G7.

“Duke ruajtur qetësinë”
Me rëndësi është që “të gjitha palët të ruajnë qetësinë”. Pa Rusinë nuk mund të ketë ndonjë zgjidhje të konfliktit. Gabriel u shpreh i bindur se edhe Rusia do të rimendojë qëndrimet e saj. “Nuk mendoj se Rusia tërë kohën do të mbrojë Asadin”, thotë Gabriel.
Ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson e ka anuluar vizitën e tij të parashikuar për ditën e hënë në Moskë. Në një kumtesë ai kritikoi mbështetjen e Asadit nga Rusia. “Zhvillimet në Siri e kanë ndryshuar rrënjësisht gjendjen”, thotë Johnson. Moska ka kumtuar se sjellja e ministrit të Jashtëm britanik është e pakuptueshme.

Artikulli paraprakApeli ndaj opozitës: Bëni çdo përpjekje për të ndalur manipulimin e votave
Artikulli tjetërBerisha: SHBA duhet që me ligj të bllokojë korruptimin politik të Soros