Simeone: Dua finalen, s’më intereson rivali

Diego Simeone do të ketë përballë një kundërshtar që e njeh shumë mirë, por që në Ligën e Kampioneve nuk i sjell kujtime të bukura. Saktësisht, ndaj tyre ka humbur në mënyrë të vuajtur dy finale, njërën në kohën shtesë dhe tjetrën me penallti. Bilancit i shtohet edhe një eliminim në gjysmëfinale, me vetëm një gol të shënuar në dy takime, ai i Havier Hernandezit në të 88-ën. Gjithsesi, tekniku argjentinas i Atletikos nuk dorëzohet dhe është gati për të kaluar pengesën e radhës.
“Motivimi është i qartë, po ashtu si edhe objektivi, që ka të bëjë me kualifikimin në finale. Të njëjtën gjë kërkojnë edhe rivalët tanë. Cilado që të ishte skuadra përballë nesh, nuk do kishte ndryshuar asgjë në synimin që kemi. Aktualisht jemi në gjysmëfinalet e kompeticionit në mënyrë të padiskutueshme nuk do kënaqeshim me kaq. Dy ndeshje larg finales dhe tre larg trofeut. Kemi besim që mund t’ia dalim, po ashtu siç jemi të vetëdijshëm që është mjaft e vështirë”, u shpreh Simeone në konferencën e djeshme për media para sfidës së kampionatit ndaj Espanjolit.
“Futbollistët e mi janë profesionistë dhe nuk shpërqendrohen nga duelet e dy kompeticioneve. Aktualisht e kemi mendjen te sfida me Espanjolin, pasi ka një rëndësi të madhe. Ju garantoj gjithashtu që edhe dy ndeshjet e zhvilluara sivjet në kampionat kundër Realit, nuk kanë për të influencuar psikologjikisht. Forma, motivimi dhe atmosfera janë më ndryshe. Tashmë kemi më tepër eksperiencë në Champions dhe dimë se si të administrojmë emocionet”, përfundoi deklaratën e tij kreu i pankinës së Atletiko Madridit. Ata renditen në vendin e tretë të La Liga-s, dhjetë pikë më pak se kryesuesit.

Artikulli paraprakSot luhet “El Clasico”
Artikulli tjetërRonaldo, “makthi” i Atletico Madrid