Sigurimet, emigrantët në pozitë të vështirë

Shumë prej emigrantëve shqiptarë në Greqi që nuk kanë mundur të ripërtërijnë Lejen e Qëndrimit, kryesisht për shkak të mungesës së sigurimeve, sipas  Kodit grek  të  Emigracionit, mund të përfitojnë Leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme.
Por, për një kategori të gjerë emigrantësh, që kanë humbur vendet e  punës, është vështirë të sigurohet blerja e ditëve të siguracionit. Njoftimet nga Athina flasin se së fundi Ministria e Brendshme greke ka shtyrë afatin për blerjen e ditëve të siguracionit për gjithë ata emigrantë që kanë paraqitur dokumentet për marrjen e Lejeve të Qëndrimit për arsye të jashtëzakonshme. Autoritetet greke e kanë lidhur shtyrjen e afatit me mospërcaktimin ende të praktikave që do të ndiqen prej Entit Grek të Sigurimeve, IKA për blerjen e ditëve të sigurimit. Ministria e Brendshme greke ka përcaktuar se deri në nxjerrjen e një qarkoreje për këtë çështje të mos refuzohen aplikimet e emigrantëve për lejet e reja të qëndrimit. Ndërkaq, siaps njoftimeve të shtypit që del në gjuhën shqipe në Athinë, Enti i Siguracioneve të Bujqësisë është një tjetër alternativë ku emigrantët shqiptarë mund të blejnë ditët e sigurimeve që kërkohen në kriteret e marrjes së lejeve të qëndrimit. Gazeta “Tribuna shqiptare” që del në Athinë shkruan  se, ky Ent e ka nxjerrë tashmë qarkoren me gjithë praktikat e blerjes së ditëve të sigurimit. Por tarifa vlerësohet nga emigrantët tepër e lartë, rreth  1.865 euro, për 150 ditë siguracioni. Kjo tarifë është vetëm për  vitin aktual, pasi në vitet e ardhshme tarifa ndryshon në rritje, pas reformës së sigurimeve shoqërore që pritet të hyjë në fuqi, megjithë protestat e mëdha të fermerëve në mbarë Greqinë.
Sipas ndryshimeve që u bënë në Ligjin grek për Emigraionin, Lejet e Qëndrimit për arsye të jashtëzakonshme lëshohen nga Administrata e Decentralizuar greke (ish-Periferia) dhe jo nga Drejtoria e Emigracionit në Ministrinë e Brendshme, në Athinë. Përfitues të këtyre lejeve  të qëndrimit  janë emigrantët, të cilët kanë patur qoftë edhe një leje qëndrimi përfundimtare, e cila ka skaduar brenda 10-vjeçarit të fundit dhe vërtetojnë me dokumente të ndryshme se kanë krijuar lidhje të forta me vendin, duke bërë të domosdoshëm qëndrimin e tyre në Greqi. Një kategori tjetër janë emigrantët që kanë patur të paktën 5 vjet qëndrim të ligjshëm në 10 vitet e fundit në Greqi. Kushtet që parashikohen për përfitimin e kësaj leje janë: Së pari, çdo emigrant që aplikon duhet të ketë një libër shëndeti personal ose familjar. Në rast mungese të librit të shëndetit jepet mundësia për blerjen e ditëve të punës me qëllim ripërtëritjen e tij. Praktika e blerjes së ditëve të punës nga IKA mbetet ende pezull. Së dyti, çdo emigrant duhet të paguajë një taksë prej 300 euro. Sipas Kodit të Emigracionit kjo Leje Qëndrimi është 2-vjeçare, por e lehtëson çdo emigrant në praktikat e mëtejshme të statusit të qëndrimit në Greqi.

Artikulli paraprakFundi i izolimit
Artikulli tjetërJanë 700 mijë metra kub lëndë drusore e masakruar nga pyjet