Si u transportua me makinë policie mina që do vriste biznesmenin Lamaj

Mina e telekomanduar që u përdor nga bandat në vrasjen e Vajdin Lamajt, është transportuar me një “Mitsubishi Pajero” policie. Sipas të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi, ishte vetë ai që e siguroi lëndën plasëse, ndërsa krimi u krye për llogari të Lulzim Berishës.

“Kam pasur lidhje shoqërore me shtetasit Lulzim Berisha, Indrit Taullai dhe Plaurent Dervishaj. Lulzim Berishën e kam njohur në 1994. Ndërsa shtetasit Plarent Dervishi dhe Indrit Taullai i kam njohur më vonë sepse ishin njohje dhe miqësi e ngushtë e Lulzim Berishës.

Kujtoj se ka qenë muaji Shkurt i vitit 2005 besoj nga mesi i muajit më ka telefonuar nga numri i tij celular Lulzim Berisha. Luli më tha gjej nga ato të “nëntat” që ishin kallëpe tritoli, ku bëhej fjalë për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër, atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im mbante me vetë fëmijët dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrisja fëmijë.

Luli ishte në dijeni të kësaj ngjarje sepse i kisha treguar vetë. Më kërkoi një minë për veten e tij. Për të përgatitur minat me telekomandë më ka ndihmuar nipi im u vrarë në vitin 2002 dhe J për ngjarjen e Dibrës. Pas kërkesës së bërë nga Luli unë mora në telefon A i cili tregonte mina.

I shkova në shtëpi dhe i thashë se më duhej një minë me telekomandë dhe ai më tha prit se do ta gjej. U fut brenda në shtëpi dhe doli pas 45 minutash dhe më dha minën. Pasi mora minën telefonova Luli dhe i thashë hajde merre. Më tha do të marr pas pesë minutash dhe më tha do të vijë një mik i joni ta marrë. Pastaj erdhi një automjet “Mitsubishi Pajero” policie me sirenë sipër dhe me katër porta.

Pasi më mori A, ikëm në Durrës tek piceria e Lulit në Durrës. Me vete kisha edhe minën me telekomandë që kisha marrë. Për këtë minë kam paguar 1600 euro.Kur shkova tek piceria e Lulit kam gjetur Lulin, Lentin dhe një person tjetër që qëndronte si roje te dera. Në piceri u ulëm tek një nga tavolinat dhe diskutuam për montimin e minës dhe gjetjen e një eksplozivi. Telefonova J dhe i kërkova të vinte në
Durrës. Rreth orës 10-1 të darkës kanë ardhur tek piceria në Durrës J dhe pas tij A.Z me lëndën plasëse në një qese ku ishin 6 ose 8 tubete me dinamit, brumë me ngjyrë të kuqerremtë”, ka deklaruar ai.

I penduari I drejtësisë ka rrëfyer, se montimi i bombës më pas është bërë në shtëpinë e motrës së Lulzim Berishës. Në dosjen e siguruar nga SHQIP thuhet se më pas Indrit Tullai ja ka dorëzuar Emiljano Shullazit, I cili mendohet se ka mbaruar porosinë.

“Pas pak kohe Luli, Lenti, Indriti, J dhe unë shkuam te shtëpia e motrës së Lulit që quhej J. Ishte një shtëpi trekatëshe me shkallë nga jashtë në oborrin e saj ishte parkuar një makinë BMË X5 me ngjyrë të zezë. Në kat të parë ishte një garazh ku u futëm për të përgatirur lëndën plasëse.”, ka deklaruar ai.

Artikulli paraprakRevista “Forbes” e shpall kancelaren Angela Merkel gruan më të fuqishme në botë
Artikulli tjetërFutbollisti turk: Erdogan na urdhëroi të mos ktheheshim në fushë kundër PSG