Si u emërua shef policie një i dënuar me 10 vite burg në Itali

Një i dënuar me 10 vite burg në Itali është emëruar në Policinë e Shtetit. Dritan Xhindoli është emëruar në Polici dhe ka mbajtur disa poste të rëndësishme, si nëndrejtor i Policisë Kufitare në Vlorë, shef në Sektorin e Krimeve, Shef i Krimeve të Rënda në Tiranë dhe i Njësisë Operacionale të Policisë së Tiranës, etj. Edhe pse ai ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte dënuar me vite burg nga drejtësia italiane, ai vijonte të kryente funksione të rëndësishme në Policinë e Shtetit. Pas kërkesave të vazhdueshme të drejtësisë italiane, Xhindoli është arrestuar para një jave, por lajmi u mbajt i fshehtë nga Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme.
Xhindoli akuzohet nga autoritetet italiane për kryerjen e veprave penale si “vjedhje dhe falsifikim dokumentesh”. Ai është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Bolonjës, në Itali, por nga viti 2014 urdhëri për arrestimin e tij është mbajtur i fshehtë. Xhindoli ka mbajtur një sërë postesh drejtuese në Policinë e Shtetit. Nga viti 2014-2015, ai ka qenë shef në Sektorin e Krimeve. Ndërsa së fundmi, specialist në Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Policia mbajti të fshehtë arrestimin

Arrestimi i oficerit të Krimeve të Rënda, Dritan Xhindoli e ka përfshirë policinë në një skandal edhe më të madh. Përveç mbajtjes së fshehtë të dënimit të Xhindolit në Itali me 10 vite burg, policia ka mbajtur të fshehtë edhe arrestimin e tij.
Dritan Xhindoli, i cili ka mbajtur kohët e fundit detyrën e oficerit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është arrestuar një javë më parë në Durrës për shkak të dënimit me 10 vite burg nga Gjykata e Bolonjës, por ky arrestim është mbajtur i fshehtë nga policia dhe vetë Ministria e Brendshme e drejtuar nga Fatmir Xhafa.
Dritan Xhindoli është i dënuar me 10 vite burg në Itali, për akuzat e ‘mashtrimit’ dhe ‘falsifikimit të dokumenteve’, por ka bërë një karrierë të suksesshme në Policinë e Shtetit në 4 vitet e fundit, duke nisur nga oficer në zv/drejtor i Kufirit të Policisë në Vlorë e deri në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Si u mbajt i fshehur ky skandal i madh dhe si arriti Xhindoli të merrte së fundmi postin më të lartë të karrierës së tij? Kjo është një pyetje për të cilën SHKB thotë se po heton dhe ka vënë nën hetim zyrtarët, por pa thënë asgjë lidhur me: Kush janë këta zyrtarë që po hetohen (?!)
Ajo që dimë me siguri është se, ndonëse vendimi është marrë nga autoritetet italiane tre vjet më parë, shpallja e Xhindolit në kërkim zyrtarisht është bërë më 9 qershor të vitit 2017, atëherë kur Xhindoli sapo ishte emëruar zv/drejtor i Kufirit të Vlorës.
Pikërisht në këtë moment, autoritetet italiane i kanë kërkuar llogari autoriteteve tona lidhur me faktin që një i shpallur në kërkim nga drejtësia emërohej në një post kaq të rëndësishëm. Në këto kushte, fill pas kërkesës zyrtare të 9 qershorit të vitit 2017, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar nisi punën për arrestimin e Xhindolit, i cili është vënë në pranga vetëm një javë më parë, ndërsa dy ditë para se të arrestohej, dha edhe dorëheqjen nga policia.

Xhindoli hetonte bandat?!

Si shef i Sektorit të Krimeve të Rënda e më pas si Specialist në Drejtorinë e Krimeve të Rënda, Xhindoli është zyrtari që është marrë me dosjen e bandës famëkeqe të Julian Sinanajt, bandës së tritolit, 7 anëtarët e së cilës kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke porositur vrasje jo vetëm ndaj rivalëve, por duke terrorizuar edhe qytetarët shqiptarë përmes shpërthimeve me tritol. E njëjta bandë, shpërtheu edhe në banesën e ish-deputetit Ardian Kollozi.
Tanimë, Julian Sinanaj është dënuar me 30 vite burg. Gjithashtu, trupi gjykues dha dënimin maksimal, burgim të përjetshëm edhe për Anton Mëhillaj, i cili konsiderohet si “kreu” i bandës, ndërsa Genis Mëhillaj u dënua me 10 vite burg. Krimet e Rënda i dënuan pjesëtarët e tjerë të bandës me përkatësisht 8 vjet Ndriçim Gjokonajn, 19 vjet Marjon Mitron, 8 vjet burg Albin Mexhajn dhe 5 vjet burg biznesmenin Ilir Karçini.

Artikulli paraprakThaçi në Shtëpinë e Bardhë, takim me Mike Pence
Artikulli tjetërPolitikanë të përgjuar për lidhjet me krimin