Si u dyfishuan punonjësit në Bashkinë e Lushnjës

Myslim MURRIZI

Nisur nga çfarë keni shkruar aty, por dhe duke dëgjuar meshën e z. Rama në pjesën e parë të fjalës së tij prezantuese, si dhe predikimin e mëpasëm për një harmoni fetare, dje m’u duk vetja se isha ulur në kishë dhe jo në Kuvendin e Shqipërisë.
E përpara kisha një ateist të thekur, të konvertuar në prift, që çfarë predikoi aty, do ta kishin zili të gjithë klerikët shqiptarë.
Thashë me vete: kur e dëgjon çfarë predikon, lumë shqiptarët, kur e di se çfarë bën, mjerë shqiptarët.
Duke parë programin dhe përbërjen e qeverisë, “sukseset që keni arritur gjatë katër viteve që kaluan” dhe çfarë do të bëni në këtë mandat që keni marrë, dua të shpreh, në emër të 17 mijë votuesve opozitarë lushnjarë, një realitet që është ndryshe nga çfarë ju na keni paraqitur.
Së pari, qeveria juaj është një përzgjedhje me kujdes e bijve të baballarëve dhe e sekserëve më të mirë të eurove dhe dollarëve.
Si trashëgimtarë të ish-bllokmenëve dhe disa prej jush si ish-bashkëpunëtorë apo pjesë aktive e Sigurimit të Shtetit, përcillni para shqiptarëve imazhin e rilindjes së neobllokmenëve dhe vazhdimësinë e origjinës nga vini.
Pjesa tjetër, e cila për hir të së vërtetës nuk ka asnjë lidhje me kontributin 27-vjeçar të socialistëve të vërtetë, është në qeveri sepse di të vjedhë më mirë, më hapur dhe ndan me transparencë çfarë vjedh me padronin që i ka punësuar.
Gjithsesi kjo është e drejta juaj që të qeverisni me kë të doni, derisa ora e derdhjes së zullumit t’ju trokasë në derë.
Populli thotë: se peri këputet ku është më i hollë, zullumi këputet duke u trashur.
Pashë me vëmendje sukseset tuaja imagjinare që paskeni arritur katër vitet që kaluan.
Megjithëse, ishin të shumta, unë po ndalem në dy-tre prej tyre.
Se për t’u marrë me të gjitha, aq shumë sa paskeni bërë ju, do të duhej një javë.
Por ju jeni me llambë të kuqe e drita ndezur, sepse padroni do të ikë në Amerikë, por dhe ju jeni disi të uritur sepse keni gati 4 muaj që nuk e keni ngjyer gjëkundi ngaqë u zëvendësuat përkohësisht dhe se si ju duket që të rrini 4 muaj pa ndonjë tender apo koncesion.
Paskeni patur sukses se i hoqët njollën Shqipërisë për drogën kur luftuat Lazaratin dhe pa dashje ju derdh boja në të gjithë hartën e Shqipërisë përveç Lazaratit, e për pasojë Lazarati ngeli si njollë e bardhë, ndërsa i gjithë vendi u nxi nga hashashi.
Bile aq shumë e nxitë vendin nga hashashi, sa pjesë të blozës tuaj, këtë vitin e fundit kanë qërruar Europën dhe aroma e kanabisit u ndje përtej oqeanit, duke bërë të mundur që të zgjoheshin dhe ato që nga kjo aromë ishin si të dehur prej 3 vitesh rresht, e gati i kishte kapur një gjumë i thellë.
Nga suksesi juaj ka rreth dy vjet që njësia matëse kilogram për kanabisin, është hequr nga fjalori zyrtar i policisë.
Bile gjatë muajve të fundit edhe kuintali nuk po dëgjohet më, por vetëm ton.
Nuk latë militant enverist, komunist, ekstremist pa rikthyer me urgjencë në polici, edhe pse jo pak prej tyre ishin shkarkuar për shkelje gjatë qeverisë tuaj 1997-2005.
Sot në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit keni plot 357 drejtues të lartë ish-oficerë dhe operativë të Sigurimit të Shtetit.
Sukses tjetër i juaji paska qenë reforma territoriale dhe bllokimi i ndërtimeve pa leje.
A e dini ju, që rrethi i Lushnjës kur ka patur 14 komuna dhe 2 bashki, ka patur gjithsej 710 punonjës?
Po sot me dy bashki, a e dini se sa ka?
Janë plot 1299 punonjës, ku 902 Bashkia Lushnjë (nga 550 që kanë qenë) dhe 397 Bashkia Divjakë (nga 160 që kanë qenë).
Vetëm për Bashkinë Lushnjë nga afro 11 milionë euro që është buxheti nga taksat e qytetarëve, më shumë se 7 milionë euro janë: paga për sigurimet dhe shpenzimet operative, e për çdo vit vijnë duke u rritur, sidomos gjatë fushatave se shtohen dhe 150-200 punonjës me kontratë për t’ju marrë votat, pastaj i heqin.
Pra, suksesi i reformës tuaj territoriale-elektorale qëndron vetëm tek shpenzimet e rritura për zyrtarët dhe hallet e shtuara për qytetarët.
Ju mburreni se keni prishur pasuri të shqiptarëve dhe keni burgosur hallexhinj që kanë rregulluar një derë apo dritare pa ju pyetur ose nuk kanë patur mundësi të paguajnë faturën e dritave.
A ju premtuat atyre legalizim falas?
Sa keni legalizuar?
A mund të më thoni se, sa nga ato që ju shpërndatë legalizimet për shou, kanë marrë çertifikata pronësie në hipotekat e famshme tuajat?
Vetëm në rrethin Lushnjë, nga ura e Rrogozhinës deri në urën e Kuçit dhe kufij me Fierin, keni rrënuar pa asnjë lloj shkaku mbi 25 milionë euro pasuri djerse, mundi dhe gjaku të qytetarëve lushnjarë.
E përse?
Çfarë investimi bëtë aty që ju pengonin këto?
Vetëm ferra e gërmadha.
Dhe habia qëndron: se kur ishin klientë të qeverisë, nuk keni prishur, edhe pse janë ngjitur me rrugën e për të kaluar autobusi pasagjerët duhet të ulin kokat se mos jua kap ballkoni.
Ndërsa atyre që nuk njiheshin me ju apo nuk derdhën bakshish tek ju, jua hodhët në tokë edhe pse ishin mbi 150 metra larg rrugës, siç ishte rasti tek rrotondo e Çermes dhe e Grabianit.
Po gjatë këtij viti elektoral e sidomos gjatë fushatës elektorale, pse bëtë rolin e babaxhanit duke lejuar të ndërtohet pa leje?
Apo ju duheshin votat?
E pastaj na doli Hakiu në televizor e dha urdhër të arrestohet nënë Hatixhja që po vendoste një plastmas si tendë lavazhi në Rrugën e Elbasanit?
Po hallexhinjtë që burgosët për 5-10-20 apo 30 mijë lekë të vjetra drita të papaguara dhe bizneset klientë të oborrit tuaj apo dhe vetë institucionet shtetërore nuk i hynte gjemb në këmbë edhe pse kishin miliona detyrime tek OSHEE, sukses e quani?
Edhe për të ndjerin Qamil Zela që e çuat në vetëvarje për 35 mijë lekë të vjetra drita të papaguara, mburreni se është sukses?
Nuk e di, por qofshit ju që jeni dhe mos harroni edhe pse jeni ateistë shumica, por flisni si meshtarë, duhet ta dini mirë që Zoti ndëshkon dhe haramin nuk e ka gëzuar askush në këtë dynja.
Në listën e gjatë të sukseseve tuaja, vend shumë të rëndësishëm zinin arritjet madhore në fushën e bujqësisë.
Dhe po ashtu pashë me kujdes edhe çfarë ka planifikuar ministri për këtë katër vjeçar.
Ju thoshit që për katër vitet që shkuan keni investuar për bujqësinë 16.5 miliardë lekë ose afro 150 milionë dollarë.
Pra, mesatarisht nga 37.5 milionë dollarë në vit ose 0.38 për qind e PBB.
E para kjo është shifër qesharake kur mendon që bujqësia është pothuajse sektori më i madh i ekonomisë tonë dhe i vetmi sektor prodhues në vend.
Po ju kaq lekë ia dhatë koncesion Vilmës dhe Klodit për chek up-in dhe zierjen e tenxhereve e shiringave!!!!
A keni pyetur ndonjëherë se si kanë dalë fermerët gjatë këtyre 4 viteve?
Kanë fituar?
Kanë dalë jek e jek?
Apo kanë rënë brenda se nuk kanë marrë dot as lekët që kanë shpenzuar?
Ju thoni që keni bërë investime dhe do të bëni edhe më shumë gjatë këtij mandati, bile paskeni planifikuar 25.5 miliardë lekë ose rreth 230 milionë dollarë.
Pra, rreth 58 milionë dollarë në vit nga afro 38 që kishit investuar gjatë mandatit të parë.
Po kujt keni planifikuar t’ja bëni peshqesh 230 milionë dollarët gjatë këtyre katër viteve?
Se nga ato 150 milionë dollarët e parë, asnjë kokërr nuk shkoi tek fermerët, por vetëm tek sekserët.
Lushnja është rrethi që ka 51 mijë hektarë tokë bujqësore, nga rreth 500 mijë hektarë që ka e gjithë Shqipëria.
Ka afro 35 mijë fermerë dhe rreth 15 sekserë.
Ka 90 km gjatësi kolektor vaditës, ka afro 1000 km kanale të para dhe të dyta vaditëse (120 të para, 870 të dyta), si dhe 460 km kanale të para dhe të dyta kulluese (120 me 340).
A mund të më thoni se sa metra (se kilometra nuk bëhet fjalë), nga këto kanale të para dhe të dyta, vaditëse dhe kulluese që janë nën administrimin e Ministrisë së Bujqësisë nëpërmjet Bordit të Kullumit keni rregulluar, riparuar apo rindërtuar me 150 milionë dollarët e harxhuar?
Zero metra keni bërë për 4 vjet.
Nuk po flas për rreth 2800 km kanale të treta vaditëse dhe kulluese, se ato janë nën administrim të pushtetit lokal, e me këto lloj bashkish elektorale që keni bërë ju, as i bie radha të merren me kanalet e bujqësisë.
Po grante për bujqësinë, sa fermerë lushnjarë kanë marrë?
Gjatë 7 viteve të qeverisjes së PD-së, vetëm në rrethin e Lushnjës kanë përfituar nga skema e granteve për bujqësinë 4800 fermerë dhe jo me teser partie.
Gjatë 4 viteve të qeverisë tuaj kanë përfituar vetëm 5 sekserë, që nuk kanë lidhje me bujkun dhe bujqësinë, por janë tregtarë grumbullues dhe përfitojnë nga puna dhe djersa e fermerëve.
E po t’i shikosh se kush janë këta janë të gjithë militantë të partisë së Ministrisë së Bujqësisë, të cilëve ju keni dhënë si qerasje nga 300 mijë euro secilit.
Nuk po flas më për blegtorinë, se edhe për vaksinat e dermatozës i shpërndatë me teser partie, bile më duket se kërkuat që dhe lopët që do të vaksinoheshin të ishin anëtarë të partisë së ministrisë ose ndryshe le të ngordhnin.
Edhe këtë sukses e quani?
Të paktën ju z. Niko mos i detyroni lopët të ndryshojnë parti po kanë nevojë për vaksina, por toleroi se nuk e kanë emrin në listën e votuesve.
Megjithëse në fushatë ja futet pak partisë së Ministrisë së Bujqësisë, se dhe ju ndatë jo pak lopë si peshqesh për votat, por gjoja si kompensim për ato që kishin ngordhur.
Ju mashtruat fermerët që të pajiseshin me NIPT dhe kartë fermeri se do ju rimbursonit TVSH.
A e dini që edhe TVSH në emër të fermerëve e kanë marrë sekserët, pra ato 15 grumbulluesit?
Edhe ato po kanë qenë të partisë ose janë “kollitur” tek ustai, se jo të gjithë e kanë marrë!
A e dini që këtë vit në pikun e prodhimit të shalqirit, një kilogram shkoi 30 lekë të vjetra, dy herë më pak se kostoja?
Po që ka rreth dy muaj nga 15 korriku që nuk është eksportuar nga Lushnja asnjë kile prodhim bujqësor dhe gati të gjitha magazinat grumbulluese kanë vënë kyçin?
Me këto çmime të shalqirit, domates, specit, karotës, lakër e lulelakër, patates dhe çdo lloj prodhimi tjetër bujqësor që mbillet në Lushnjë, alternativa që shtrohet sot para fermerëve është: të mbjellë apo të mos mbjellë fare, sepse po mbolli del me humbje.
Ju premtuat naftë pa akcizë dhe ju dhatë naftën më të shtrenjtë në Europë.
Ju premtuat heqjen e TVSH për imputet bujqësore dhe sot ato jo vetëm që i blejnë shumë më shtrenjtë se ç’kanë qenë, por i marrin dhe të skaduara (dapi ka qenë 40-50 mijë kuintali, sot është 75-80 mijë, urea dhe nitrati vijnë rifuxho dhe shiten 40 mijë lekë kuintali të skaduara, superfosfati vjen nga Egjipti me 30 mijë lekë kuintalin i skaduar).
Ju premtuat subvencion dhe nuk ju dhatë asnjë lekë, bile gjatë fushatës u justifikuat se kishit ortak tjetër tek timoni dhe tepsia, e ai nuk ju la ta bënit.

Artikulli paraprakLista e zezë e tatimeve, kompanitë me 72 milionë euro borxhe
Artikulli tjetërGjakpirja nuk është metaforë, janë 1.5 miliardë dollarë që Rama i‘u ka marrë shqiptarëve