Si po mashtron qeveria me portalin e infermierëve

Ndërsa çdo vit qindra infermierë po braktisin Shqipërinë nga mungesa e vendeve të punës, Ministria e Shëndetësisë do të hapë një portal për punësimin e tyre, sikurse u veprua edhe me mësuesit. Por përfaqësuesit e infermierëve, thonë se portali nuk zgjidh problemet me të cilat ndeshet kjo kategori, ndërsa ngrenë edhe dyshime për mënyrën e funksionimit të tyre. “Në situatën që janë infermirët nuk duket e vendit një hapje e portalit, sepse nuk është zgjidhje për papunësinë. Thjesht portali gjëja e parë që do veri në dukje është numri i madh i të papunëve që do jetë dhe sa sorollatje kanë kaluar ata. Edhe mënyra përmes portalit e përzgjedhjes së infermierëve për punësim nuk është se është shumë e drejtë, sepse profesioni i infermierit nuk ka vetëm anën teorike, por ka të bëjë shumë edhe pjesa praktike e tyre. A do të ketë një komision të drejtë zgjedhje për profesionistët që do fillojnë punë dhe më kryesorja është, kjo gjë e shmang korrupsionin e punësimit apo jo”, thotë Jaçaj. Kreu i Shoqatës së Infermierëve, Elson Jaçaj, pohon se hapja e portalit është shmangie nga problemet reale që kanë punonjësit infermieror, duke nisur që nga pagat e ulëta, kushtet e punës, korrupsioni për të gjetur punë e deri te mungesa e aftësive profesionale, ku për çdo vit qindra të diplomuar në fakultete të ndryshme të vendit licencohen për të dhënë shërbim. “Pavarësisht ikjes, gjë që duhet të ishte shqetësimi i parë i ministrisë, që pse po largohen kaq shumë, pse infermieri po ikën nga vendi i tij? Gjë që dihet që është mungesa e pagave të mira, kushtet e këqija të punës. Është turp në vendin tonë një infermier të paguhet me atë pagë që deri tani paguhet. Do të thotë që për ne hapja e portalit është thjesht një shmangie e fokusit nga problematikat kryesore. Infermier ka plot të papunë, sepse ka aq shumë fakultete infermierie në vendin tonë, të cilat nxjerrin çdo vit infermier. Sot fitojnë infermierinë 300 veta, diplomohen 300 dhe marrin licencë 300”. Shoqata e Infermierëve thotë se shqetësimet për situatën e infermierëve, veçanërisht sa i takon pjesës kurrikulave universitare, të cilat nuk janë të njehsuara në të gjitha fakultetet, shtuar edhe mungesën e praktikës mësimore, i ka ngritur disa herë pranë institucioneve përgjegjëse, por nuk është gjetur asnjë rrugë bashkëpunimi dhe jo më zgjidhje.

Artikulli paraprakTesti final i vulgaritetit anti-Trump
Artikulli tjetërPo plas flluska bombë e ndërtimeve