Si po grabiten pronat e qytetarëve të Tiranës për kullat e oligarkëve

Edi Rama nuk njeh asnjë normë morale dhe është i gatshëm të shkatërrojë çdo gjë, kur bie fjala për pasurimin e tij personal, dhe të enturazhit të tij klientelist. Me anë të veglës së tij në krye të Bashkisë së Tiranës, po planifikon shkatërrimin total të saj, duke ndërtuar kulla shumëkatëshe sipas planit francez dhe atij belg, që më shumë se një herë është denoncuar si plan korruptiv, dhe që rëndom do të përdoret për klientët e tij dhe për pastrimin e parave të drogës nëpërmejt ndërtimeve shumëkatëshe. Kemi të bëjmë me një skemë mafioze të grabitjes së pronës së qytetarëve që në fillim shpronësohen për interes publik dhe më pas ua jep atyre oligarkëve për të ndërtuar kulla shumëkatëshe. Një skemë e pastër korrupsioni, e cila po ndodh me trojet publike në Tiranës. E njëjta skemë po ndodh kudo, edhe me terrenet sportive, për të cilat ish-pronarët kanë marrë shuma qesharake dhe më pas këto janë dhënë për ndërtim, siç është rasti në disa zona në Tiranë tek anekset e Stadiumit “Qemal Stafa”, apo tek Stadiumi “Dinamo”, ku Erion Veliaj dhe Edi Rama kanë planifikuar të bëjnë ndërtime së bashku me grupet mafioze që ata përfaqësojnë, si fjala vjen grupi “Hakmarrja për Drejtësi”, e cila kohët e fundit mori dhe pafajësinë dhe të drejtën për t’u kthyer në vend të pjesëtarëve të arratisur.

A po përdoren trojet publike të Tiranës për pastrimin e parave të drogës?!

Ndërkohë duket se Tirana me planin e ri urbanistik po kthehet në një lavatriçe të stërmadhe të pastrimit të parave. Të ardhurat e drogës pritet të investohen në kullat që po ngre Erion Veliaj në çdo cep të Tiranës. Narkotrafikantët pritet të jenë dhe blerësit kryesorë aty, dhe ky nuk është një hamendësim. Ekspertët e fushës shprehen se ngritja e vrullshme e kullave, dhe qendrave tregtare vetëm tek ky arsyetim të çon. Tirana dhe tani është e tejmbushur me qendra tregtare, ku shumë dyqane po mbeten bosh. Ato biznese që kanë dashur të jenë pjesë e tyre, janë bërë me kohë, ndërkohe që nuk ka ndonjë shtim marramendësh të ardhurash që të lejojë një ekspansion të tillë për ndërtime të këtij lloji. Erion Veliaj duket se është vënë me një qëllim në atë post. Edi Rama gjatë kohës që ka qenë në krye të Bashkisë e është përmendur jo pak herë dhe brenda partisë së tij se e kish kthyer këtë institucion në lavatriçen më të madhe të pastarimit të parave. Akuza këto që i janë bërë jo vetëm nga opozita, por dhe nga ish-kryetari i PS Nano, por dhe nga anëtarë të tjerë brenda partisë së tij. Ky ishte dhe qëllimi që ai këmbënguli që të vendosej në krye të saj një tjetër megalloman, i cili bën sikur punon për të fshehur marrëveshjet që ka me mafiozët, natyrisht nën mbikëqyrjen e liderit shpirtëror në krye të qeverisë, për të cilin e përsërit shpesh e shpesh se shpreson shumë t’i ngjajë. Në fakt, Edi Rama s’e ka për herë të parë që të dorovisë krimin e organizuar me troje publike dhe sheshe ndërtimi për të shmangur kështu ndonjë nga ish-pronarët e bezdisshëm që mund t’i bëjnë ndonjë të pabërë me gjykatat. Për shembull, ish-fushën e stërvitjes së ekipit “Dinamo” mbrapa stadiumit “Qemal Stafa” ia ka dhuruar djemve të Hajredin Shytit, drejtues të organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”. Një fakt ky i denoncuar nga ish-Kryeministri Berisha. Edhe aty një sipërfaqe e konsiderueshme ku pritet të ndërtohet një ose më shumë kulla shumëkatëshe. A mund të vihet më shumë se kaq në funksion të krimit i gjithë shteti?! Të gjitha trojet e sipërpërmendura ndodhen në zonë, ku një metër katror e kalon shifrën e mijëra eurove për metër katror. Viti 2016 ishte ndër më të begatët për sa i përket mbjelljes dhe eksportit të hashashit, kjo për atë pjesë të trafikantëve që kanë lidhje të ngushta me pushtetin. Eksperiencat e mëparshme kanë treguar se, paraja e fituar nga droga mënyra më e mirë për t’i pastruar është sektori i ndërtimit dhe kryesisht Tirana dhe bregu i detit, pasi si çmimi ashtu dhe kërkesa është më e lartë. Pyetja që shtrohet është, a po përdoren trojet publike të Tiranës, nga krimi i organizuar dhe trafikantët për të pastruar paratë me anë të ndërtimit?!

Grabitja te hotel “Tirana”

Mbrapa hotel 15 katëshit, ka qenë ndërtuar nënstacioni elektrik që në vitin 2004, pra, para 13 vjetësh. Pronarët e tokës janë paguar me shifra qesharake, pasi shpronësimi është bërë për interes publik, nga shteti dhe ligji parashikon që në këto troje të ndërtohen vetëm ndërtesa që i shërbejnë jetës komunitare. Në asnjë rast, Ligji nuk parashikon që prona private të shpronësohet nga shteti me çmime qesharake për tju dhënë më pas privatit të ndërtojë aty qendra tregtare. Në tetor të vitit të shkuar, OSHEE nisi çmontimin e këtij objekti në pronësi të saj, pasi sipas drejtorit Ardian Çela, do i hapej rruga Unazës së Re të Tiranës. Por çfarë ndodhi? Pas miratimit të planit të ri urbanistik, para dy ditësh mësohet se pikërisht në atë vend, do të ngrihet një kullë 110 metra e lartë, nga disa persona të afërt me kryeministrin dhe kryetarin e Bashkisë. Pronarët me paratë e tokës së tyre nuk arritën dot të blinin as një apartament, ndërsa në një rast tjetër do të ishin aksionerë të 28-35 për qind të vlerës së ndërtimit sipas negociatave që do të kryheshin. Por me sa duket, kjo nuk do të ndodhë. Pjesa e tyre së bashku me gjithë investimin miliona eurosh aty do të bëhet pronë e Edi Ramës dhe Erion Velisë, që tashmë i janë turrur pronave publike, por dhe atyre private për t’i grabitur në interes të një grupi të caktuar njerëzish. Duket se çdo gjë, madje ndërtimi i ri i sheshit, dhe hapja e Unazës së Re dhe çdo investim që bëhet fsheh mbrapa një aferë të pisët korrupsioni, e cila me ardhjen e pinokut të Bashkisë nuk di të ndalet.

Grabitja tek Bulevardi i Ri

Me sa duket e njëjta gjë po ndodh dhe në Bulevardin e Ri. Kohët e fundit u fol për një kullë 350 metra të lartë me vlerë 250 milionë dollarë, të cilat sipas mashtruesit të Bashkisë do të financohet nga arabët. Kulla do të jepet në truall pa pronarë. Por dihet tashmë se, zona në fjalë nuk ka truall pa pronarë. Një skemë tjetër po aq e ligë, po përdoret dhe në këtë vend. Toka në fjalë është shpronësuar shpejt me arsyetimin se do të përdoret për “godinat e reja të Bashkisë”. Në fakt me daljen në dritë të projektit u mësua se zyrat e reja të Bashkisë do të jenë brenda qendrës tregtare 350 metra të lartë. Pra, në do të kemi zyrat e Bashkisë brenda një qendre tregtare.  Pronarët e tokës, do të duhet të shohin se si në tokën e tyre bëhet biznes, ndërsa ata shpronësohen me rreth 20 mijë lekë metrin katrorë, për ta shitur më pas Erion Velia dhe Edi Rama mijëra të tjera. Janë 25 mijë metra tokë në këtë vend, që janë shpronësuar për interes publik, por çuditërisht po i jepen privatëve. Ky korrupsion bëhet hapur në mes të ditës dhe askush nuk flet. Në këtë megaaferë janë përfshirë të gjitha institucionet e shtetit, të cilat kanë përgatitur dhe dokumentacionin përkatës për këtë qëllim. Në një vend tjetër, pra, atje ku sundon ligji do të përfundonin pas hekurave të gjithë personat e përfshirë në këtë skemë mafioze, e cila për çudinë e të gjithëve bëhet pikërisht nga ata që kërkojnë me çdo kush vettingun dhe Reformën në Drejtësi.

Besnik Aliaj: Investimet për t’i shërbyer oligarkëve

Arkitekti dhe anëtari i Këshillit Bashkiak, Besnik Aliaj, e ka denoncuar si një skemë mafioze, dhe në shkelje të Kushtetutës miratimin e planit të ri urbanistik dhe ngritjen e kullave shumëkatëshe, sidomos në pjesën e Tiranës së vjetër ku mbyllen hapësirat për zhvillimin e qytetit. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ai shprehet se nga ky plan urbanistik do të konstatohen “hata” të mëdha. “Nga janar-dhjetori 2016 ky plan u hartua në fshehtësi të plotë dhe në kundërshtim me disa ligje dhe Kushtetutën. Alibia e “konsultimit” dhe miratimi në Këshillin Bashkiak ishin në shkelje të plotë të ligjeve në fuqi dhe u krye brenda 48 orëve.  Pas nxitimit për ta miratuar planin në ditët e pushimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri ku thuajse gjithë qyteti, media dhe institucionet ishin “pa mendje” ose thjesht nuk ishin prezent … Kaluan gati 4 muaj heshtje e plotë dhe dje pa asnjë transparencë e krejt papritur plani u miratua si dash kurbani elektoral … Pa u tharë mirë boja e firmës miratuese dolën në qarkullim edhe imazhet e para të disa prej shumë kullave që synohet të ndërtohen dhe që do të shkatërrojnë përfundimisht çdo shpresë për përmirësimë të qenësishme të jetës dhe hapësirës publike, si dhe të rrugëve më kritike të aksesit në Tiranë. Edhe “investimet” e fundit në bulevard shesh e park nuk janë për t’i shërbyer komunitetit, por në funksion të plotë të këtyre investimeve e për të rritur vlerën e spekulimit imobiliar të oligarkëve! Unë timen e bëra duke kontestuar me forcë publikisht këtë plan! Tani mbetet të verifikohen me kujdes një ditë nga organet ligjzbatuese diferencat midis dokumentit të planit të miratuar me urgjencë në Këshill Bashkiak në dhjetor 2016 me dokumentin final të planit të miratuar në KKT në prill 2017! Jam i bindur që do të konstatohen hatara të mëdha! Zoti e shpëtoftë Tiranën dhe qytetarët e saj më tej nga vizioni mafioz i kastës së pangopur politiko-oligarke që hartoi dhe miratoi një “plan” alibi me fasadë të jeshilosur ala renziane prej Italie …”, thotë Aliaj.

Artikulli paraprakBasha për Ramën dhe Metën: Fund teatrit me grabitjen e shqiptarëve!
Artikulli tjetërKorea e Veriut i trembet sulmit amerikan