Si mashtroi Rama për Rrugën e Arbrit, tarifë 4 euro për makinat

Tre ditë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht se Rruga e Arbrit nuk do të jetë me pagesë. “Nuk është koncesion, se u është bërë mendja koncesion. Jo nuk është PPP. Është Project Financing, që do të thotë se ata ndërtojnë rrugën dhe ikin. Aty s’vihet as ‘Toll’ (sportel ku paguhet hyrja apo dalja në autostradë), as marrin në administrim rrugën, asgjë. Pra, nuk është rrugë me lekë. Është rrugë që do të bëhet nga kompania dhe do të paguhet nga buxheti i shtetit. Dhe është pronë e shtetit. Dhe do të administrohet nga shteti. Tjetër gjë nëse më vonë do të duhet apo do të duan që ta japin në administrim tek një privat. Kjo është një çështje tjetër”, tha ai në “Report TV”. Por në relacionin e kompanisë “Gjoka Konstruksion”, mbi të cilin asaj iu dha bonusi me 10% të pikëve, thuhet se kalimi i makinave do të jetë me pagesë. “Gjoka Konstruksion” ka kërkuar që tafira për çdo makinë të jetë rreth 4 euro. Ajo ka përllogaritur që të marrë 53 milionë euro të ardhura për një periudhë 10–vjeçare dhe t’i ndajë ato në masën 50% me shtetin, thuhet në relacionin e kompanisë. “Duke aplikuar një tarifë mesatare prej 4 eurosh/makinë të ardhurat nga pagesa e kalimit të rrugës do të jenë rreth 53 milionë euro për një periudhë 10-vjeçare. Gjysmën e kësaj shume prej 26.5 milionë eurosh e përfiton kompania dhe kjo vlerë zbritet nga shuma totale e të ardhurave nga shteti. Çdo e ardhur mbi këtë vlerë i takon direkt buxhetit të shtetit. Vlera prej 246 milionë eurosh është vlera totale për pagesat e shtetit, plus pagesat nga tarifat e kalimit të makinave. Çdo e ardhur që i takon shoqërisë nga pagesat e kalimit të makinave, 50 për qind e shumës, zbritet nga pagesa që do të bëjë shteti, pra shteti paguan diferencën për të arritur te vlera 246 milionë euro”, shpjegohet në relacionin e vendimit. Qeveria, sipas relacionit, e ka pranuar propozimin e kompanisë për ta bërë rrugën me pagesë. Ajo vlerëson se nëse të ardhurat nga rruga nuk realizohen, risku do të merret nga kompania. “Nga studimi i fizibilitetit rezulton se shoqëria ‘Gjoka Konstruksion’ ka marrë përsipër pjesën më të madhe të risqeve dhe së bashku me to koston e tyre. Gjithashtu, kompania merr përsipër riskun e mosrealizimit të 50 për qind të të ardhurave të pritshme nga pagesat e përdoruesve të rrugës”, shpjegohet në relacion. Relacioni përgënjeshtron deklaratën publike të kryeministrit, sipas të cilit kompania do ta ndërtojë rrugën dhe do të largohet dhe se ajo do të jetë pa pagesë. Kompania ka kërkuar të menaxhojë për të paktën 10 vjet segmentin e ri që do të ndërtojë në zonën malore mes Tiranës dhe Klosit dhe po ashtu edhe tunelin. Relacioni përgënjeshtron kryeministrin edhe për faktin nëse bëhet fjalë për koncesion apo PPP. “Nëse do t’i referoheshim mënyrës se si janë shpërndarë risqet sipas këtij propozimi rezulton se kjo mënyrë përmbush parimin e shpërndarjes efektive të riskut, duke e bërë këtë projekt të Partneritetit Publik Privat të realizueshëm”, shkruhet në relacionin e kompanisë që mori bonuesin e qeverisë me 10% të pikëve, duke e bërë atë praktikisht të pakonkurrueshme në këtë garë. Kryeministri hodhi poshtë edhe dyshimet se kjo rrugë do t’i rëndojë më shumë buxhetit të shtetit nëse i jepet një kompanie të huaj në këtë formë. “Gjoka Konstruksion” ka përllogaritur kosto në 250 milionë euro, 190 prej të cilave do të paguhen prej saj dhe 60 nga qeveria. Por “Gjoka Konstruksion” do të marrë edhe afro 45 milionë euro të tjera interesa për 15 vjet për investimin që do të bëjë, duke e çuar koston e rrugës praktikisht në 295 milionë euro.

Lapsi.al

Artikulli paraprakMjekët në emigrim, Shqipëria me më pak doktorë në rajon
Artikulli tjetërStrasburgu rrëzon sërish Ramën dhe tre kandidatët