Si fitonte kontrata “Baroni i drogës” kur ishte në kërkim

Emrin e Klement Balilit, të ashtuquajtur “Eskobar i Ballkanit”, e dëgjonin prej më shumë se një viti në lajmet e mediave, por banorët e fshatrave Piskovë e Grabovë në Përmet, mësuan vetëm pak javë më parë se, tokat në zonën ku ata jetojnë i kanë marrë me qira njerëzit e të shumëkërkuarit nga Delvina. Një vit më parë, në korrik të vitit 2016, pikërisht në kohën kur politika ziente nga akuzat e kundërakuzat për lidhje me të ashtuquajturin “Eskobar i Ballkanit”, Ministria e Bujqësisë lidhte kontratë qiradhënie për 90 hektarë tokë me një kompani nga Delvina me afat 90-vjeçar.
Të shqetësuar, banorët e Piskovës u ankuan në Këshillin Bashkiak. Ata thonë se nuk kishin asnjë njoftim se tokat pranë banesave të tyre kishin dalë në ankand. “Nuk na tha askush që tokat u dhanë me qira”, shprehet Aleks Kosta, banor i Piskovës. “Banorët e këtyre fshatrave kanë reaguar. Nuk janë pyetur dhe ndjehen të përjashtuar nga ndonjë lloj tenderi që është bërë. Le të investigohet për këtë”, thotë Miranda Habili, kryetarja e Këshillit Bashkiak.
Mungesën e informimit në institucionet e pushtetit vendor për këtë ankand e konfirmon edhe sekretari i Këshillit Bashkiak. “Këshilli Bashkiak kërkoi sqarim nga kryetari i Bashkisë, i cili sqaroi se dhe ai nuk kishte asnjë njoftim për zhvillimin e këtij ankandi”, thotë Veli Mehmeti, sekretar i Këshillit Bashkiak.
Kryeplaku i fshatit Piskovë thotë se, ka dëgjuar se tokat i kanë marrë të afërmit e Balilit, por është mosbesues. “Tokat e fshatit Psikovë, ato që nuk janë ndarë me Ligjin 7501, i zotërojnë po ato njerëz të fashtit që i kanë pasur me qira. Kanë dalë një herë fjalë gjatë fushatës se tokat u janë dhënë atyre Balilëve, por nuk e di si është shprehur ai sekretari i Komunës në fshatin Piskovë, por fakti është që nuk ekziston një mundësi e tillë”, shprehet Engjëll Zoto, kryeplak i Piskovës.
Këshilli Bashkiak diskutoi dhe me 10 korrik i kërkoi Kryeministrit Rama të anulojë këtë kontratë qiraje. Këshilli thotë se është bërë një padrejtësi nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. “E cila ka dhënë me qira shoqërisë “Alb Universal” në zotërim të Albin Balilit, njeri i afërt i Klement Balilit, një sipërfaqe toke bujqësore prej 90,466 hektarë me kontratë 90 vjet”.
Kompania “Alb Universal 95”, me qendër në Delvinë, është nën administrim të zonjës Xhesjana Ballaci, e cila e mori në zotërim në janar të vitit 2016 nga shtetasi Albin Balili. Tashmë, gjithçka është në dorë të Kryeministrit. Edi Rama ka nisur turin e dëgjesave me njerëzit, por a do ta dëgjojë ai edhe këtë ankesë të banorëve të Piskovës?
Ndërkohë, hetimet ndaj Balilit kanë ngecur. Burime pranë organit qendror të akuzës thonë se hetimet ndaj 45-vjeçarit janë në vendnumëro që prej të paktën katër muajsh. Ky ngërç i hetimeve, siç shpjegojnë burimet, vjen për shkak se autoritetet greke nuk u janë përgjigjur ende prokurorëve të Krimeve të Rënda mbi kërkesën për t’i bashkangjitur dosjes provat shtesë.
Sipas burimeve, letërporosia është përcjellë në kohë rekord nga Krimet e Rënda, ku kërkohen akte të tjera të dosjes, sikurse janë procesverbalet e këqyrjes së ngarkesës së hashashit të bllokuar nga policia greke në fund të prillit 2006. Po ashtu, autoritetet greke duhet të përcjellin edhe deklaratat e të dyshuarve si skafistë, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj. Siç rezulton nga përgjimet, të dy ata udhëzoheshin në telefon nga Balili për të transportuar një ngarkesë hashashi nga Saranda drejt Greqisë.
Prokuroria pretendon se në dosjen voluminoze, pala greke të shpjegohet sesi u zhvillua operacioni antidrogë 2016, që u finalizua me 21 të arrestuar në total, 16 në Greqi dhe pjesa tjetër në Belgjikë, Bullgari dhe Itali. Por në dosje janë të administruara gjithashtu edhe përgjimet ku pretendohet se Balili flet me anëtarët e rrjetit për transportin e drogës, gjatë kohës që ai ishte zyrtar i Drejtorisë së Transporteve.

Artikulli paraprakTrafikantët e 30 tonelatave të drogës lirohen nga Xhafa
Artikulli tjetërRaporti i DASH, korrupsioni mban peng të gjitha institucionet në Shqipëri