Si e rrit dhe e ul qeveria inflacionin?

Inflacioni në janar arriti nivelin më të lartë të kohëve të fundit me rreth 2.8% nga 1.5% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ky nivel kaq i lartë i dedikohet kryesisht rritjes së çmimeve që erdhi për shkak të motit tepër të ftohtë që bëri gjatë muajit janar, ku vendi u përfshi i gjithi nga reshjet e dëborës. Ndikim pati edhe rritja e çmimit të gazit për shkak të vendosjes së akcizës 8 lekë për litër.
Instituti i Statistikave bëri të ditur se rritja vjetore e çmimeve në muajin janar është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me + 2,33 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +1,17 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,15 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar secili me nga + 0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar secili me nga +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Komunikimi” dhe “Shëndeti” kanë kontribuar secili me nga + 0,01 pikë përqindje.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin janar 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,8%, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2%, “Argëtim e kulturë” me 3,1%, “Transport” me 2,8%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,9%, etj. Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 24,8%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 8,8%, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 6,6%, “qumësht, djath e vezë” me 4,9%, etj. Nga ana tjetër, çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyra” u ulën me 1,8%, pasuar nga nëngrupi “mish” me 0,5%.
Ndryshimi mujor i indeksit është + 1,5%. Krahasuar me muajin dhjetor 2016, rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,7 %. Ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me -1,0%.

Artikulli paraprakProblem për sipërmarrjen tarifat e fshehura
Artikulli tjetërKLSH zbulon kaosin në menaxhimin e parqeve kombëtare