Si e ktheu Hoxhallari banesën në ambient torturash për vjelje gjobash

Banesa luksoze e Aurel Hoxhallarit, personi i akuzuar nga policia se ka organizuar dhe porositur vrasjen e Devi Kasmit, dyshohet se është përdorur edhe si ambient për të torturuar e shantazhuar shumë persona me qëllim vjeljen e gjobave. Pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë, të cilat ishin vendosur në të gjithë perimetrin e vilës njëkatëshe, ekspertët kanë mbledhur të gjithë shenjat e gishtërinjve të personave që kanë qëndruar në banesë. Dyshimet janë se në ambientet e brendshme të saj, banda kriminale e drejtuar nga Aurel Hoxhallari, i cili ndodhet në arrati, ka torturuar e shantazhuar disa persona me qëllimin e vetëm për të përvetësuar para. Këto shtetas nuk kanë bërë kallzim në polici nga frika e ndonjë hakmarrje të mundshme të bandës kriminale, e cila kishte si pjesëtarë edhe personat e arrestuar si Elton Halipaj, Malvin Dinellari dhe Elton Hoxhallari.
Banesa e Aurel Hoxhallarit vijon të qëndrojë e rrethuar si skenë krimi nga forcat e policisë. Brenda vilës luksoze, e cila ndodhet në Kodër Mëzes u gjentën arsenal i vërtetë armësh, si snajpera, automatikë, pistoleta, mina me telekomandë e deri te raketahedhës. Këto armë theksojnë burime nga policia e kryeqytetit, dyshohen se mund të jenë përdorur edhe në disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në vend gjatë dy viteve të fundit.
Grupi hetimor ka dërguar për këqyrje balistike pranë laboratorit të policisë shkencore për të ekzaminuar nëse ato armë përputhen me krimet e pazbardhura të ndodhura në Tiranë, Vlorë, Durrës apo edhe në Shkodër.
Ndërkohë Prokuroria ka zbardhur edhe procesverbalin e vrasësit me pagesë të ardhur nga Greqia, Efthymiou Efthymious. Ai ekzekutoi në mënyrë mafioze mbrëmjen e 29 janarit Devi Kasmin poshtë shtëpisë së këtij të fundit në lagjen “Kongresi i Manastirit”. Nga dokumenti shihet se 41-vjeçarit grek i janë sekuestruar një shumë parash, prej rreth 2 mijë euro, pasaportë greke me emrin e tij, patentë greke, celular, kartë debiti, etj.

Hoxhallari: Jam dakord me akuzën për vrasjen e Devi Kasmit

Elton Hoxhallari, një nga bashkëpunëtorët e grupit kriminal që organizoi dhe kreu vrasjen e Dëfrim Kasmit e ka pranuar akuzën e vrasjes me paramendim. Ai ka firmosur procesverbalin ku me shkrimin e tij pohon “Jam dakord me akuzën”. Elton Hoxhallari u arrestua në kuadrin e operacionit “Enigma” lidhur me vrasjen e Kasmit më 29 janar 2018 në rrugën “Petro Çani” në Tiranë. Sipas Policisë së Shtetit, “shtetasi Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpunëtor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastrukturës për realizimin e vrasjes”.
Pas operacionit të arrestimit të ish-policit grek, policia bëri të ditur se shtetasi i shpallur në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal. Shtetasi Elton Halipaj ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit.
Shtetasi grek Efthymiou Efthymious, dyshohet në rolin e ekzekutorit të shtetasit D.K. si vrasës me pagesë. Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen. Shtetasi Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes.

Killeri grek: Kam qëndruar disa herë në vilën e Hoxhallarit

Shtetasi grek Efthymoios Efthymiou, i cili është arrestuar për ekzekutimin e Devi (Dëfrim) Kasmit në Tiranë, ka pohuar njohjen e tij me organizatorin e vrasjes, tani person në kërkim, Aurel Hoxhallarin. Ai ka deklaruar se ka qëndruar disa herë në vilën e tij në Mëzez, ndërsa vetë kishte marrë një banesë me qira. “Aurelin e kam njohur kur ishte emigrant në Itali”, ka deklaruar shtetasi grek. Killeri grek ka pajtuar avokatin shqiptar, Saimir Visha për t’u mbrojtur.
Killeri grek Efthymiou Efthymious që dyshohet se u pagua për vrasjen e Devi Kasmit kishte me vete një sasi të konsiderueshme parash kur u arrestua dhe disa dokumente. Në procesverbalin e policisë që publikon Shqiptarja.com shkruhet se 41-vjeçari kishte me vete lekë dhe euro, pasaportë, patentë greke dhe celular me kod që ende nuk është hapur. Policia arriti të zbardhë ngjarjen dhe të vendosë në pranga disa prej anëtarëve të bandës që ekzekutoi Kasmin, ndërsa porositësi i vrasjes, Altin Aurel Hoxhallari është ende në kërkim.

Artikulli paraprakTaulant Balla vendos gjoba për çdo vend pune dhe legalizimi
Artikulli tjetërDokumenti i BE: Vendi i kapur nga krimi