Si degradoi Nikolla sistemin arsimor

Arsimi nuk është i orientuar mjaftueshëm sipas tregut. Ky fakt është përsëritur edhe nga vetë kryeministri Edi Rama, por edhe nga opozita. Për televizionin SCAN deputeti i PD Luçiano Boçi u shpreh se Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit është shkëputur nga tregu i punës dhe këtë, sipas Boçit, e tregon mënyra e financimit të Arsimit të Lartë si edhe procesi i pranimeve në universitet. Sipas tij, ministria dhe universitetet duhet të nisin menjëherë studimin e tregut.
“Përfaqësuesit e ministrisë e kanë shmangur fjalën tregu i punës, thjesht ruajnë togfjalëshin diplomë cilësore, por dhe sot nga mënyra si është menaxhuar procesi i pranimeve në universitet, nga mënyra sa financohen, si financohen universitetet shqiptare, nga mënyra si është penguar zhvillimi i Arsimit të Lartë, duhet të kishte nisur studimin, të paraqitesh si njohuri, si dije për vetë studentët. Sigurisht edhe vetë universitetet duhet të jenë efektivë, të ngrenë ekipet e tyre dhe të kenë prognozën e tregut të punës dhe të orientohen vetë ata në nxjerrjen e diplomës dhe hapjen e degëve të reja sipas tregut të punës”.
Boçi sugjeroi që bursat e ekselencës të selektohen nga ato universitete, të cilat lëshojnë diploma që kërkohen më shumë nga tregu.
“Bursat e ekselencës për studentët e shkëlqyer të selektohen nga Fakultetet e Politeknikut, Inxhinierisë, sepse shoqëria, vetë ekonomia kërkon pikërisht investime në këto drejtime dhe ajo që vihet re në mënyrë subjektive këto bursa dedikohen për ato diploma që mund të ruajnë cilësinë e tyre të paktën të përafërt dhe në ambientin universitar shqiptar. Një diplomë juridiku është më e vlefshme të realizohet në Shqipëri se sa të realizohet diku tjetër apo të financohet nga shteti shqiptar diku tjetër”.
Sipas Institutit të Statistikave 37% e shqiptarëve që ndjekin Arsimin e Lartë studiojnë për t’u bërë ekonomistë apo jurist, duke sjellë një konkurrencë të fortë në këto degë, por njëkohësisht sjellin mungesa për profesione të tjera, për të cilat tregu ka nevojë.

Artikulli paraprakAtdheun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri-tjetrin!
Artikulli tjetërBasha: Protesta jonë axhendë e Uashingtonit dhe e Brukselit