Shume vonë zonja ambasadore për drogën dhe BE-në

Ambasadorja e Bashkimit Europian ka pranuar dje pas tre vitesh deklarata të forta të opozitës dhe liderit të saj Basha se nuk do të ketë integrim në Bashkimin Europian pa luftën ndaj drogës. Vlahutin ka folur dje për të parën herë për drogën si kusht të BE, ndërkohë që ka heshtur përgjatë këtyre tre viteve që vendi është kthyer në një plantacion gjigant droge.
Gjatë fjalës së saj në Shkollën Europiane Verore, ambasadorja Vlahutin tha se, Komisioni Evropian do të jetë gati të bëjë hapat e tjerë për të çelur negociatat, pasi të nisë zbatimi i Vettingu-t dhe të luftohet kanabisi në vend.
Vlahutin u shpreh se asgjë nuk ndryshon për një vend pasi hyn në BE, por se gjërat duhet të ndryshonin përpara futjes në Europë, dhe për të arritja e kësaj varet nga vendosmëria për sundimin e ligjit, si dhe lufta kundër drogës.
“Për çeljen e negociatave muajt në vijim do të jenë shumë të rëndësishëm, kyç. Është e qartë për të gjithë çfarë lipset që të ndodhë sa i takon 5 prioriteteve kyçe, por në veçanti lidhur me të gjithë aspektet e ligjit dhe në veçanti me luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë asgjësimin e kultivimin e tregtisë së kanabisit”, tha Vlahutin.
Deklarata e përfaqësueses së BE në Tiranë është mjaft e vonuar. Kjo për arsyen se sot shoqëria shqiptare po vuan pasojat e shndërrimit të vendit në një plantacion droge, ku rinia është prekur tashmë nga ky virus, ndërsa Europa po kupton se si janë fuqizuar rrjetet kriminale të trafikut të drogës përgjatë këtyre viteve, duke u kthyer në një shqetësim të madh edhe për vetë Bashkimin Europian.
Kjo duket të ketë qenë edhe arsyeja që ka detyruar ambasadoren Vlahutin të flasë për drogën. Vende si Holanda kanë në tryezën e politikës së vendit të tyre marrjen e sanksioneve ndaj Shqipërisë për të rivendosur vizat, si ndëshkim për rritjen e kriminalitetit të grupeve shqiptare në këtë vend.
Ajo çfarë mbetet e paqartë për Bashkimin Europian në këtë ditë është kabineti i ri qeverisës dhe shkrirja e Ministrisë së Integrimit për të cilën ambasadorja Vlahutin ka ngritur pikëpyetje dhe ka kërkuar sqarime nga Rama.
“Ka ende disa paqartësira lidhur me ndryshimet që do të kemi sa i takon mekanizmave të bashkërendimit të BE. Ndaj unë do të kem disa takime në ditët në vijim në mënyrë që të kemi mundësinë të kuptojmë plotësisht dhe të biem dakord si do të funksionojë, organizohet dhe bashkërendohet axhenda europiane”, tha ambasadorja Vlahutin.
Zyrtarja e Brukselit ka kërkuar sundim të vërtetë të ligjit në Shqipëri për të gjithë dhe ka prekur tangent problemin e emigrantëve, duke kërkuar nga qeveria e re që ekonomia të sigurojë kushte për të gjithë ata që duan të jetojnë me dinjitet në këtë vend.
“Asgjë nuk ndryshon ditën kur një vend bëhet shtet anëtar i BE-së, por procesi i shndërrimit ndodh gjatë gjithë rrugëtimit.
Ky proces nuk ka të bëjë me deklarata, fjalë apo madje me dëshira, por varet nga vendosmëria për të ndryshuar dhe modernizuar atë që është në fakt sundimi i vërtetë i ligjit, ose siguria sociale, kujdesi për të gjithë në shoqëri. Fakti që ekonomia do të sigurojë për të gjithë ata që dëshirojnë të punojnë në mënyrë që ta jetojnë jetën me dinjitet dhe në paqe”, tha Vlahutin.
Ajo ka dalë kundër atyre që i konsideron si gjysmë zgjidhje të politikës. “Ndryshimi nuk mund të vijë me anë të gjysmë zgjidhjeve. Integrimi europian nuk do të mund të arrihet nëse të gjithë nuk ecin përpara dhe Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë talentet. I gjithë vendi duhet të ecë përpara. Asnjë interes privat apo publik nuk mund të jetë më i rëndësishëm se interesi i të gjithë vendit. Shqiptarët kanë mjaft sa i takon zënkave, dëshirojnë të kenë rezultate dhe të jetojnë si e gjithë Europa”, tha Vlahutin.

Enton DACI

Artikulli paraprakSkandal, 2 mijë euro për një dëftesë të shkollës së mesme
Artikulli tjetërDebati për Akademinë, Rama do ndërtesën