“Shumë larg për të qenë si Evropa”, Çollaku: Enverizmi ka mbetur si kulturë politike, PD është përgjegjëse

Deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku theksoi se PD nuk arriti të bëjë ndryshimin e fortë që synonte të sillte lëvizja e studentëve të Dhjetorit. Në një aktivitet në kuadër të 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, Çollaku theksoi se enverizmi nuk u ‘vra’ dot dhe ka mbetur ende si një kulturë politike në vend.

“Nuk arritëm ta bëjmë dot ndryshimin e fortë. Në 8 Dhjetor morën pluralizmin, në shkurt përmbysën statujën e Enver Hoxhës por ne nuk e vramë dot enverizmin. Dhe e gjithë çfarë ndodhi më pas dhe ku jemi sot është një provë e saj. Enverizmi ka ngelur si kulturë politike midis nesh.

PD është përgjegjëse për këtë. Ne studentët e kohës kemi përgjegjësinë tonë se dështuam të marrin në kontroll partinë. Çfarë ndodhi më pas, lejuam që këtë formacion që të madh dhe të fuqishëm si PD e ’90-ës ta shohim që ta humbasim pak nga pak.

Në ’92 arrita të gjej një mundësi për të shkuar me studime në Itali dhe për disa vite si gjysmë emigrant dhe gjysmë student, u riktheva në Shqipëri nga ’95. Kisha lënë PD gjigande, të lirë, ku njihja shumë njerëz, një PD që ëndërroje, por gjeta një PD tjetër që ishte kthyer në një parti më të konsoliduar. Kishte momente ku më dukej e kundërta e Partisë së Punës por disa momente të tjera që tentonte të imitonte Partinë e Punës.“, tha mes të tjerash Çollaku.

“Jemi shumë larg aspiratës për të qenë si evropiane. Jo vetëm në çështjen e modernitetit, e të jetuarit mirë. Për këtë ne jemi dështuar të jemi pjesë e Evropës“, shtoi ai.

Artikulli paraprakGjërat që duhet të bëni para se viti të përfundojë
Artikulli tjetërNga dhjetori në dhjetor