Shtyhet shitja e “NBG” pas denoncimit të “RD” për Lindën

Këshilli Drejtues i Bankës Kombëtare Greke (NBG Albania) pritet të vendosë nëse do të pranojë një nga ofertat e bëra për të blerën bankën, apo do të shtyjë me disa muaj procesin.
Shoqëria e Sigurimeve Eurosig, Banka Amerikane e Investimeve (ABI) dhe Banka e Parë e Investimeve (FIB) janë tre institucionet financiare që kanë dorëzuar ofertat për blerjen e NBG-së dhe janë në pritje të shpalljes së fituesit.
Por, “Monitor” ka mësuar nga burime pranë ofertuesve se një tjetër skenar që po diskutohet është ai i shtyrjes së procesit, kjo për dy arsye kryesore. Së pari, tre ofertat e dorëzuara kanë qenë më të ulëta sesa priste banka. Ofertën më të lartë e ka bërë Eurosig, i dyti është ABI dhe e treta është FIB. Së dyti, krahas ofertës së ulët, bankat që kanë paraqitur ofertë janë relativisht të vogla, ndërsa Eurosig nuk ka përvojë në sistemin bankar. Mësohet që preferenca është mes ABI dhe FIB.
Në rast se asnjë nga ofertat nuk pranohet, procesi do të rihapet sërish dhe mund të zgjasë edhe për disa muaj të tjerë. Megjithatë, për momentin nuk është marrë ende asnjë vendim.
NBG, me seli qendrore në Greqi njoftoi para disa muajsh të shesë bankat më të vogla në Serbi, Shqipëri dhe Qipro, si pjesë e angazhimeve për të cilat është rënë dakord me rregullatorët. Në muajin gusht, NBG njoftoi mbi nënshkrimin e një marrëveshjeje me ??P Bank Romania për shitjen tek OTP të pjesës së saj të aksioneve prej 99.28%, që zotërohej tek dega e saj rumune, Banca Romaneasca dhe të një portofoli të huave me risk të korporatave.
Në fund të tremujorit të dytë 2017, totali i aktiveve të NBG në Shqipëri ishte 40.5 miliardë lekë, duke përbërë 2.8% të totalit të aktiveve të sistemit bankar, ndërsa banka ka 4.8% të stokut të kredive sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave.
Banka Amerikane e Shqipërisë zinte 2.7% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptare në fund të tremujorit të dytë 2017 (ish-Crédit Agricole që në 2015-ën u ble nga NCH Capital).
First Investment Bank (FIB) zinte 1.3% të totalit të aktiveve në Shqipëri, por banka mbështetet nga mëma në Bullgari, ku FIB është e treta në sistemin bankar bullgar, sipas madhësisë së aktiveve.

Lajmi për shtyrjen e shitjes, një ditë pas denoncimit të “RD”

Lajmi për mundësinë e shtyrjes së shitjes së Bankës “NBG” ka ardhur vetëm një ditë, pasi “RD” publikoi faktin se banka e Linda Ramës është banka kryesore që mund të blejë NBG. Gazeta ngriti një sërë pikëpyetjesh mbi këtë transaksion të familjes kryeministrore të përshirë në drejtimin e ABI-Bank. Dyshimi kryesor që ngrihet mbi Ramën dhe financieren e tij bashkëshorte që synon edhe bankën e dytë në vend është ajo e pastrimit të parave të korrupsionit dhe të trafikut të drogës. Në një raport konfidencial OSBE raportonte një vit më parë se pasuria e kreut të qeverisë e fshehur në parajsat fiskale arrinte në 200 milionë euro. Në fakt raportimet e korrupsionit dhe të drogës flasin për një pasuri shumë herë më të lartë të Ramës në parajsat fiskale. Kreu i qeverisë ka gjetur tani edhe mënyrën më të thjeshtë se si mund të bëjë këtë pastrim parash, duke shtrirë dorën e zgjatur të korruptimit edhe tek sektori bankar, i cili sot nuk mund të konsiderohet aspak i pavarur nga qeveria, e cila konsiderohet problem kryesor në pastrimin e parave në rajon.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakSkema e re e vjedhjes së 50 milionë eurove me ARMO-n
Artikulli tjetërRritet ndjeshëm konsumi i ilaçeve nga plakja e popullsisë