Shtyhet sërish seanca, skenar për lirmin e Shullazit nga burgu

Mungesa e Emiliano Shullazit në sallën e gjyqit detyroi gjykatën të shtyjë përsëri seancën gjyqësore të ballafaqimit dhe pyetjes së dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja. Ky i fundit, ishte i pranishëm në sallën e gjyqit gati për të dëshmuar. Por mungesa e Emiliano Shullazit me arsyetimin se është sëmurë bëri që gjykata të ndërpresë seancën gjyqësore. Edhe avokatët, të ndodhur në sallën e gjyqit kërkuan shtyrjen për të qenë i pranishëm Shullazi në procesin gjyqësor. Gjykata ndërpreu seancën për të 12 herë, duke caktuar orën 14:30 të pasdites së 24 shkurtit, për vazhdimin e seancës. Ylvi Beqja, pritet të dëshmojë për kërcënimet dhe gjobat që banda e Shullazit ia ka vendosur.
Edhe në seancën e kaluar, Shullazi nuk është paraqitur në sallën e gjyqit me pretendimin se ishte shtruar në spital. Procesi gjyqësor i Emiliano Shullazit po zvarritet me dashje për të përgatitur lirimin e tij nga burgu. Skema është ajo e sajimit të një diagnoze të një sëmundjeje imagjinare. Me Shullazin po përdoret e njëjta skemë si ajo e lirimit nga burgu të ish-kapobandës së Durrësit, Lulzim Berisha, i cili i bëri kërkesë Gjykatës që të lirohej nga burgu, sepse vuante nga një sëmundje e rëndë.
Shullazi është shtruar në një spital privat ditën e djeshme, dy orë para fillimit të seancës gjyqësore, gjoja për shkak të problemeve shëndetësore. Pas kësaj sajese me porosi të Ramës, pritet që mjekët nën presion direkt të organizatës kriminale të paraqesin një raport, ku të shkruajnë se gjendja e tij është e rënduar dhe se ai nuk mund të qëndrojë në qeli. Pas këtij raporti, nën presion direkt të kreut të qeverisë, Gjykata pritet të vendosë masën “arrest shtëpie” për Shullazin.
Dëshmitari i mbrojtur, Ylvi Beqja pritet të dëshmojë për kërcënimet dhe gjobat që është detyruar t’ia paguajë bandës së Shullazit, për të cilat Shullazi dhe anëtarët e bandës së tij janë arrestuar.

Artikulli paraprakKorrupsioni, arrestohet ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve
Artikulli tjetërVrasja në Belgjikë, 16 vite burg për mikun e Mark Frrokut