Shtrenjtohet me 5 lekë çmimi i naftës

Shtrenjtohet me 5 lekë tregu i karburanteve në vendin tonë. Në pikat me pakicë, nafta shitet me 162-163 lekë për litër, ndërsa benzina arrin deri në 165 lekë për litër. Tregtarët ia faturojnë këtë rritje të re të çmimit ecurisë së tregjeve ndërkombëtare. Në këto të fundit ari i zi ka kapërcyer kuotën e 51 dollarëve për fuçi. Çmimi i naftës i është rikthyer rritjes në Shqipëri. Në një pjesë të pikave të shitjes me pakicë, çmimi është rritur me 5 lekë për litër. Nafta ka arritur në 162-163 lekë për litër, ndërsa benzina shitet nga 163-165 lekë për litër. Rritja e çmimit reflekton ecurinë e tregjeve financiare ndërkombëtare. Në këto të fundit ari i zi ka arritur në 51 dollarë 23 cent. Tregtarët e karburanteve e kishin paralajmëruar rritjen e çmimeve në tregun e brendshëm. Sipas tyre, në rast se nafta në botë do të kapërcente kuotat e 50 dollarëve për fuçi, atëherë çmimi do të rritej edhe tek ne. Operatorët deklarojnë se në tregun e brendshëm është reflektuar vetëm një pjesë e rritjes së çmimit të naftës në botë. Sipas tyre, që nga janari çmimi i naftës në bursa është dyfishuar, ndërsa tek ne çmimi është rritur me vetëm 8%. Sipas të dhënave të Global Petrol Price, të përditësuara më 6 qershor, Shqipëria renditet e 30-a në botë në listën e vendeve më të shtrenjta për karburantin, duke qenë në nivele të përafërta me shtete të tilla si Danimarka dhe Zvicra. Sipas operatorëve të tregut, arsyeja kryesore e çmimeve të shtrenjta tek ne lidhet me nivelin e lartë të taksave, që përbëjnë gati 70% të çmimit.

Artikulli paraprakDiaspora përmirëson standardin jetësor të Kosovës
Artikulli tjetërKalendari i skandalit të përgjimeve, provat që paralajmërojnë arrestime