Shtetrrethim në Shkozë, policia ngujon banorët

Banorët e Shkozës në kryeqytet u zgjuan dje në shtetrrethim. Qindra forca policie të armatosur gjer në dhëmbë rrethuan Shkozën dhe mbyllën në banesa 153 familjet që do t’u shemben shtëpitë. Pa asnjë lajmërim policia ka zbarkuar në zonë, kur banorët nuk kanë marrë asnjë njoftim për prishjen e objekteve për rehabilitimin e lumit të Lanës. Ata janë zënë në befasi.
Në operacion nuk ishte vetëm Policia e Rendit, por edhe forcat e Repartit Shqiponja dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, (FNSH). Dhjetëra furgona të forcave speciale qëndronin në rrugën aty pranë dhe nuk lejonin të futeshin as gazetarët. Kudo kishte policë të armatosur rëndë. Banorët e Shkozës u kapën në befasi që në mëngjes, pasi iu ishte premtuar se do të arrinin në një akord me autoritetet. Që në orët e para të mëngjesit, fadromat janë futur brenda në lagje të shoqëruar nga forca të shumta policie.
Forcat e rendit nuk lejonin asnjë nga banorët të dilnin nga shtëpitë e tyre, ndërsa forcat e Repartit Shqiponja të armatosur me automatik nuk lejonin asnjë qytetar t’u afrohej banesave që do të shembeshin nga fadromat e INUK. Disa banorë u shprehën se, policia nisi sulme nga të gjitha anët, duke ushtruar një terror të paparë ndaj qytetarëve të pambrojtur.
Osman Hysa, përfaqësues i 153 familjeve që preken nga ky projekt, foli për sulm dhe “dhunë” të ushtruar nga forcat e policisë. Ai tha për mediat se, zona ku do të bëhen shembjet u rrethua nga dhjetëra forca të policisë që në mëngjes herët. Policët pasi rrethuan zonën nuk lanë asnjë nga banorët që të dalin nga banesa.
“Rreth orës 08:00, u befasuam nga ardhja e madhe e forcave policore. Ishim mbledhur si banorë dhe po prisnim që do të na vinin. Qindra forca policore, të të gjitha strukturave, na shtynë, na detyruan që hynim në shtëpi. S’na njoftoi njeri që të hiqnim plaçkat, por vijnë pa kuptuar dhe pa papandehur. Ne nga dita e protestës dhe deri sot kemi pasur kontakt me deputeten e zonës, zonjën Elona Gjebrea, na vuri në gjumë se nuk do të na ndodhte asgjë. Kjo është situatë e paprecedentë, vijnë me armë dhe të gjitha mjetet sikur të jemi armiq. Banorët nuk lejohen që të dalin nga banesa. Policët kanë bllokuar të gjithë banesat dhe nuk të lënë të dalin prej aty. Asnjë nga familjarët nuk ka një letër në dorë për prishjen e objekteve. Na kanë zbarkuar policët në zonë, nëpër pallate, rrugica e ngado sheh vetëm policë të armatosur”, tha Hysa.
Ndërsa pak ditë më parë, ata u ulën këmbëkryq në rrugën tek “Ura e Shkozës” dhe nuk lejuan qarkullimin e automjeteve për disa orë. Banorët shprehen se presin përgjigje nga shteti për dëmshpërblim, para se t’ju shemben shtëpitë e ndërtuara me mund e sakrificë. Nga ky projekt pritet të preken të paktën 153 banesa. Mes tyre ka banesa të ndërtuara para viteve ‘90, të tjera me leje të rregullta ndërtimi, por edhe banesa që kanë qenë në proces legalizimi.

Situatë e tensionuar

Një situatë e tensionuar ka shoqëruar gjatë ditës së djeshme banorët e Shkozës, teksa fadromat e IKMT kanë shembur banesat e para. Të gjitha familjet që do t’u shemben banesat kanë qëndruar të ngujuar në banesat e tyre.
“Situata është e nderë për ne banorët. Nuk ka asnjë konfrontim me forcat e rendit. U gjendëm të rrethuar nga forcat e policisë dhe FNSH. Erdhën mbi 100 forca policore dhe na thanë, futuni brenda sepse ne mbështesim IKMT për prishjen e banesave. Nuk na ka ardhur asnjë paralajmërim paraprak. Gjendja e banorëve është e tensionuar”, u shpreh një nga banorët që kishte mundur të dilte nga shtetrrethimi.
Dje, rreth orës 10:00, fadromat e INUK të rrethuar nga forcat policore me kallashnikovë nisën shembjen e banesës së parë vetëm pak metra larg Urës së Shkozës. Mes banorëve fatkeqë që po u shemben shtëpitë është edhe një nënë me foshnjen 1 javëshe që aktualisht mbetet në qiell të hapur.
“Qeveria na ka dhënë urdhër që të dalim nga shtëpia. Asnjë lloj letre nuk na ka sjellë. Shtëpinë e kam me letra që në vitin 1985 dhe shteti po na nxjerr nga shtëpitë tona. Veliaj ka qenë kur ne kemi bërë mitingje dhe na ka thënë që mos dilni nga shtëpia pa dëmshpërblim, bashkë me Saimir Tahirin. Sot, unë fëmijën e kam 1 javë dhe më jepet urdhri të dal nga shtëpia. Policia po na trajton sikur ne jemi terroristë, nuk na lejojnë të kalojmë aty”, u shpreh ajo me lot në sy.
Banorëve nuk u jepet asnjë sqarim, as nga qeveria dhe as nga Bashkia e Tiranës. Para zgjedhjeve kreu i Bashkisë, Erion Veliaj dhe deputetët e PS u premtuan banorëve se nuk do t’u preken shtëpitë pa u dëmshpërblyer sipas tregut. Ndërsa tani kanë dërguar forca të shumta policore të armatosur gjer në dhëmbë dhe po i trajtojnë si kriminelë këta banorë që ndodhen në shtëpitë e tyre.

Berisha: Qindra banditë me uniformë, terror në Shkozë

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ashpër për terrorin policor të ushtruar ndaj banorëve të Shkozës. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se Shkoza ndodhet në shtetrrethim. Ai ka kërkuar ndalimin e terrorit shtetëror dhe u ka kërkuar mediave të bëjnë punën e tyre për informimin dhe jo të mbajnë anën e shtetit e dhunës.
“Shtetrrethim në Shkozë. Qindra policë e banditë me uniformë kanë rrethuar Shkozën dhe banorët e saj, që po mbrojnë shtëpitë e tyre nga arbitrariteti dhe dhuna shtetërore. Policia ka bllokuar linjat e autobusëve. U bëj thirrje mediave të mos bllokojnë lajmet, por të qëndrojnë në anën e viktimave!”, shkruan Berisha.
Një javë më parë, policia u përplas me banorët që kundërshtonin prishjen e banesave të tyre për të lejuar zbatimin e projektit të zgjerimit të rrugës. Pre e dhunës policore ranë edhe gratë e fëmijët. Një i mitur u mbajt në Komisariatin nr.1 të policisë derisa ai u detyrua të fshijë videon që kishte filmuar me celular ku policia tërhiqte zvarrë një grua shtatzënë që kishte dalë për të protestuar kundër shembjes së banesave.
Para pak ditësh banorët u ulën këmbëkryq në rrugën tek “Ura e Shkozës” dhe nuk lejuan qarkullimin e automjeteve për disa orë.

PD pranë banorëve: Do të ndjekim deri në fund këtë çështje

Partia Demokratike deklaroi se gjendet pranë banorëve duke e cilësuar antiligjor vendimin për shembjen e banesave pa asnjë dëmshpërblim. Deputetja e PD, Grida Duma, ishte pranë banorëve në Shkozë në mbështetje të 153 familjeve që po u prishen shtëpitë. Duma tha se, është e pafalshme për shtetin shqiptar sesi mund të nxjerrë në rrugë këta njerëz pa asnjë dëmshpërblim dhe pa u dhënë kohën e mjaftueshme për të liruar shtëpitë. “Kam dokumentet tuaja të pronësisë. Unë e di shumë mirë që ju i njihni detyrimet tuaja si qytetarë që projekti të bëhet, por nuk mund të bëhet projekti mbi jetët e njerëzve. Të parët njerëzit, pastaj janë projektet dhe rrugët. Ju keni çertifikata pronësie. Dhe gjithçka që duhet t’u japë ky shtet është: 1. Kohën e mjaftueshme për të dalë. 2. Pasi të dilni duhet të njoftoheni se ku do të shkoni, si do të trajtoheni. Ju po dilni në rrugë”, u shpreh deputetja e zonës, Grida Duma.
Deputetja demokrate kërkoi shpronësimin e banorëve me vlerën e tregut dhe njohjen e legalizimit për një pjesë të tyre. Duma garantoi se, PD do të ndjekë deri në fund këtë çështje ligjërisht dhe politikisht.
“Janë 153 familje. Njëri rast nuk i ngjan tjetrit. Ka banorë që kanë ndërtuar shtëpitë që prej 20 e ca vitesh, kanë leje ndërtimi që në 50-vjeçarin e parë të monizmit, kanë çuar dokumentet për legalizim për truall. Ashtu siç ka dhe banesa me çertifikata pronësie. Banorët kërkojnë normalisht shpronësimin me vlerën e tregut të pronës së tyre. Atyre që nuk e kanë të legalizuar duhet t’u njihet legalizimi se e kanë paguar me mandate që janë në dosje arkëtimi. Janë premtuar para fushatës zgjedhore. Banorët kërkojnë që legalizimi t’u njihet dhe mos të përjashtohen në bllok vetëm pse nuk duan t’i paguajnë. Sot nuk dinë nëse do të trajtohen apo jo me statusin e të pastrehit. Janë totalisht të tmerruar. Do të bëjmë gjithçka që është e mundur ligjërisht dhe politikisht për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve si taksapagues dhe qytetarë jo për ta bërë këtë një betejë politike të kotë”, u shpreh Duma.

Rexhep POLISI

Artikulli paraprakSjellje prej pushtuesi ndaj banorëve në Shkozë
Artikulli tjetërFaqja e pare