Shtëpia e Bardhë, një agjenci përgënjeshtrimi për Fake News

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare amerikane, H.R. McMaster tha të martën se informacioni për terrorizmin dhe kërcënimet ndaj aviacionit ndërkombëtar që Presidenti Donald Trump u kishte dhënë diplomatëve rusë javën e kaluar ishte “krejtësisht i rregullt” dhe nuk komprometonte burimet e zbulimit.
Zoti McMaster përsëriti qëndrimin e një dite më parë se, premisa e njoftimeve të mediave amerikane sipas të cilave zoti Trump i kishte dhënë informacion tepër sekret ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe ambasadorit të Moskës në Shtetet e Bashkuara, Sergey Kislyak në një takim në Shtëpinë e Bardhë, ishte e rreme.
“Nuk jam fare i shqetësuar, tha zoti McMaster, i cili kishte qenë i pranishëm në takimin e Zyrës Ovale. Biseda ishte krejtësisht e përshtatshme për kontekstin dhe mendoj se përputhej plotësisht me standardet e partnerëve tanë të zbulimit”.
Sipas njoftimeve të medias, së pari në “Washington Post” dhe më pas në publikime të tjera, komentet e zotit Trump për një sulm të mundshëm terrorist me avion nga Shteti Islamik, kishin aq shumë hollësi saqë mund t’u kishte dhënë të dërguarve rusë informacion të mjaftueshëm për të përcaktuar burimin: një qeveri, e cila ka një marrëveshje për këmbim informacioni zbulimi me Uashingtonin dhe që nuk dëshironte që Shtetet e Bashkuara t’ia jepnin këtë informacion Rusisë.
Gazeta “New York Times” citonte një zyrtar aktual dhe një të mëparshëm të thoshin se burimi ishte Izraeli, një nga aleatët më të ngushtë dhe të afërt të Amerikës në rajon. “Presidenti nuk ka komprometuar asnjë burim”, tha zoti McMaster.
Ai hodhi poshtë njoftimet se zoti Trump mund të kishte nxjerrë pa dashje burimin e informacionit. “Presidenti as nuk e dinte se nga vinte informacioni”, shtoi ai.
Komentet e këshilltarit të sigurisë kombëtare erdhën disa orë pasi Presidenti Trump mbrojti “të drejtën e tij absolute” për të ndarë informacion me dy diplomatët rusë.
Zoti Trump shkruante në orët e para të mëngjesit në Twitter se donte t’u jepte atyre “fakte që kishin lidhje me terrorizmin dhe sigurinë e aviacionit” dhe ta nxiste Rusinë “të intensifikonte luftën”, kundër Shtetit Islamik dhe terroristëve.

Mashtrimi tjetër për takimin Trump-Comey

Sipas lajmeve të publikuara në shtypin amerikan, Presidenti Donald Trump i kërkoi në muajin shkurt ish-drejtorit të FBI-së, James Comey të mbyllte një hetim mbi lidhjet e këshilltarit të shkarkuar të sigurisë kombëtare, Michael Flynn me Rusinë, por Shtëpia e Bardhë tha se njoftimet nuk ishin të vërteta.
Sipas njoftimeve, Presidenti Trump ia bëri kërkesën zotit Comey gjatë një takimi vetëm për vetëm në Zyrën Ovale. Sipas një shënimi që zoti Comey mbajti pas takimit, siç raportojnë mediat, presidenti i tha: “Shpresoj se ju mund ta lini këtë çështje të kalojë”, duke iu referuar hetimeve rreth zotit Flynn.
Hollësitë e shënimeve të zotit Comey u njoftuan për herë të parë nga gazeta “New York Times” dhe më pas u konfirmuan nga “Washington Post” dhe media të tjera.
Në një deklaratë të bërë më pas nga Shtëpia e Bardhë thuhej se njoftimet nuk ishin “një portretizim i vërtetë ose i saktë i bisedës midis presidentit dhe zotit Comey”. Në të thuhej se presidenti vërtet kishte shprehur në mënyrë të përsëritur pikëpamjen e tij se zoti Flynn është “njeri i mirë”, ai në asnjë rast nuk i kërkoi zotit Comey apo ndonjë tjetri të mbyllte ndonjë hetim që kishte lidhje me këshilltarin e sigurimit kombëtar.
Presidenti Trump e shkarkoi zotin Flynn në muajin shkurt, pasi këshilltari i sigurisë kombëtare nuk u tregoi të vërtetën zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë rreth kontakteve të tij me Rusinë.
Dorëheqja e zotit Flynn erdhi pak orë pas njoftimeve se Departamenti i Drejtësisë e kishte paralajmëruar qysh më parë Shtëpinë e Bardhë se këshilltari i sigurimit kombëtar mund të bëhej objekt shantazhesh për shkak të kontakteve të tij me ambasadorin rus, Sergej Kislyak përpara se zoti Trump të merrte detyrën më 20 janar.
Një zëdhënëse e FBI-së nuk pranoi të komentojë mbi hollësitë e shënimeve të zotit Comey.

Artikulli paraprakKoreja e Jugut paralajmëron luftë
Artikulli tjetërNegociatat amerikane që sollën marrëveshjen