Shtatore përjetësore heroizmi

Nga Niko GJONI

E ëmbël dhe e bukur
Është të vdesësh për Atdhe
Dhe të lirë të lësh pas vetes
Fëmijët, shtëpinë dhe çdo gjë tjetër…
Homeri

Emocione të shumta përjetuan demokratët shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve, në përurimin e shtatores së Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari. Sa herë kemi kaluar para memorialit, në vendin ku ra dëshmori dhe kemi lexuar fjalët e tij që tronditën diktaturën komuniste në vend: “Sot deklaroj para jush shpalljen e pluralizmit politik dhe lindjen e demokracisë në Shqipëri”, Dhjetor 1990.
Liria e vërtetë është më e çmueshme se ari dhe argjendi dhe jeta s’vlen aspak kur mungon liria. Këto i shikojmë të skalitura në veprën e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari. Ai flet hapur dhe trimërisht para të gjithëve në Parlament, duke thënë: “Nuk largohem nga pikëpamjet e mia antikomuniste”…
Ishte 12 shtatori, ajo ditë që hapi lajmin ogurzi të vrasjes në pabesi të deputetit, trimit, vizionarit të paepur. Një natë me shi, kur nga mbledhja e PD, del pasi e njoftuan se e kërkonin disa “Miq”. Ishin ata që e kishin frikë trimin dhe kërkonin eliminimin fizik të tij me çdo kusht. Por vrasja nuk e shuajti dot jetën e Azemit. Trimi nuk vdes…
Njeriun e drejtë dhe me karakter nuk mund ta thyejnë as kryelartët e as tërbimi i tiranëve. Karakteri është energjia konstante e vullnetit dhe Azemi ishte një i ri me karakter. Inteligjent dhe trim i sprovuar tashmë në rrugën kilometrazhe të historisë në të cilën po ngjitej. Sekreti i jetës nuk qëndron në të jetuarit, por edhe që të dish përse jeton.
Këtë Azemi e tregoi me zerin e tij të fuqishëm kudo dhe kurdoherë. Në Parlament, ai mori disa pozicione drejtuese dhe fjala e tij digjte rutinën komuniste, vemjet e mbetura nga diktatura më e egër 50-vjeçare.
Po kush ishte Azem Hajdari?
Në vitin 1993, përfundoi studimet në degën e Filozofisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1995 diplomohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Studenti Azem Hajdari ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik.
Ai ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, partia e parë opozitare, dhe Kryetar i Komisionit Nismëtar të kësaj partie. Azem Hajdari ishte deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë, që nga viti 1991 e deri sa u vra në shtator të vitit 1998. Në vitin 1993, Azem Hajdari diplomohet në degën e Filozofisë në Universitetin e Tiranës.
Në vitin 1995, ai merr diplomën e dytë atë të jurisprudencës në po të njëjtin universitet. Nga viti 1993-1994 studioi gjuhën angleze dhe Filozofi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1996 ka studiuar për politikën e mbrojtjes dhe të sigurisë në Garmish, Gjermani. Aktiviteti i tij politik nuk ka qëndruar asnjëherë në heshtje.
Nga shkurti i vitit 1991 deri në shtator të vitit 1993, deputet dhe kryetar i Partisë Demokratike, anëtar i komitetit drejtues. Jeta e tij parlamentare ka qenë aktive. Kështu, për katër vite me radhë pas rënies së komunizmit, Azem Hajdari ishte kryetar i Komisionit parlamentar për Rendin dhe SHIK-un. Ishte një ndër oratorët më të fuqishëm të Parlamentit shqiptar. Në nëntor të vitit 1996 ka qenë President i Unionit Tregtar të Pavarur.
Në janar të 1997 u zgjodh kryetar i Komisionit parlamentar të Mbrojtjes. Mbas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste të Shqipërisë në vitin 1997, Azem Hajdarit iu bënë disa atentate përpara se të vritej në shtatorin e vitit 1998. Atentati i pari ndodhi në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit. Azem Hajdari tentohet të vritet me bombë, por atentati dështoi.
Dy muaj më vonë, atij iu zu pritë në Qafën e Buallit në Sarandë, ndërsa në 18 shtator 1997 mbetet i plagosur i qëlluar me pesë plumba nga deputeti i Partisë Socialiste, në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë.
Më 14 shkurt 1998, iu organizua një pritë në Milot, ku makina e tij e blinduar u qëllua me breshëri. Së bashku me Azemin në makinë ishte edhe djali i tij 14-vjeçar në atë kohë, Kiri. Atentati i fundit përpara se të vritej, Azemit iu bë më 3 qershor 1998 në Tropojë, ndërkohë që mbeti i plagosur ish-drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar. Më 12 shtator 1998, vritet pabesisht para selisë së Partisë Demokratike.
Për të gjitha këto do të flas historia kombëtare dhe përherë e më tepër vemjet e mbetura komuniste s’kanë çfarë të thonë. “E vërteta ndrin dhe tregon. Azemi jetoi dhe luftoi për të vërtetën. E vërteta, virtyti, liria janë tri gjërat e vetme për të cilat duhet ta duam jetën. Dhe Azemi i përjetoi të trija këto prandaj mbeti në pjedestal të luftës për lirinë e fjalës, të luftës kundër rregjimit më të egër komunist, të luftës për të këputur zinxhirët e robërisë të burgosurve politikë, të cilët s’bën gjë tjetër veçse kërkuan një botë të lirë, një jetë të vetën, pa diktaturë.
Jetën e jetoi me qëllimin e lartë për të hapur kufijtë e Shqipërisë, për t’u lidhur me botën perëndimore, ëndërr dhe shpresë për intelektualët shqiptarë, për të gjithë. Azemi krijoi në Parlament të folurin ndryshe, jashtë kuadrateve të sfondit komunist, jashtë frikës dhe imponimit. Fjala e tij lëshonte shkëndija jete dhe tregonte hapësirat e reja që i përkisnin Shqipërisë sonë. Nëse Azem Hajdari nuk do të vritej atë shtator, ai do të ishte lider i Partisë Demokratike, lider i Demokracisë. Megjithatë vepra e jeta e tij flasin se ai i tillë do të mbetet përjetësisht.
Shtatorja flet. Shtatorja do të flasë ndër breza për këtë hero legjendar që bëri histori me jetën e tij, që solli epokë të re. Çdo gjë të madhe dhe me vlerë e bëri në emër të detyrës, sepse ai e dinte mirë se çdo gjë e vogël dhe e zymtë bëhet në emër të interesit. Ai e shikonte të dielltë rrugën e zhvillimit të demokracisë në vend. Jo vetëm shokët e tij deputet, por gjithë që e njohën dhe patën rastin të bisedojnë me Azemin tregojnë me nderim për fjalën e tij miqësore, për vërtetësinë e tyre. Ai dinte si fliste me të gjithë, bindte për atë që ishte e drejtë dhe e duhur. Vështrimet e brezave kryqëzohen në vështrimin e shtatores së Heroit, duke dhënë forcë dhe frymëzim për të nesërmen edhe më të mirë.
Shtatorja e trimit është vendosur në qytetin e tij Bajram Curri, në krah të trimave të tjerë që luftuan për liri dhe demokraci. Vështrimi i tij do të mbetet frymëzim për brezat dhe fjala e tij lehonë që nuk do të shuhet kurrë. Në këtë rrugë do të shikojmë zhvillimin dhe lumturinë tonë për të cilat dha jetën Heroi.

 

Artikulli paraprakNga tespia në tepsi
Artikulli tjetërHabilajt shitën në Itali armët që mblidhte Tahiri