Shtatë platforma për ta kthyer Shqipërinë në normalitet!

Nga Red VARAKU

Të premten Lulzim Basha tregoi kolonat e platformës antikorrupsion. Ai theksoi se politikanët me pranga në duar janë kontributi më i rëndësishëm për mirëqeversjeje dhe se lufta kundër krimit, trafikut të drogës dhe korrupsionit është një prioritet kryesor.

Ai informoi publikun se Partia Demokratike ka marrë dhe ka ekspertizë të huaj, të specializuar për hartimin e një programi të posaçëm për hetimin dhe rikuperimin e pasurive të tjetërsuara dhe të vjedhura te shqiptarëve.

Ky ishte një lajm i mirë dhe një zhvillim i ri që tregon se opozita ka kaluar nga faza e denoncimeve dhe ka hyrë në një fazë tjetër, atë të prezantimit të një alternative tjetër për qeverisjen e vendit.

Ajo po përballet me betejën më të madhe, sepse në këtë kohë ajo ka si detyrë jo vetëm shembjen përfundimisht të ngrehinës së tranzicionit shqiptar, por njëkohësisht ka edhe përgjegjësinë e hedhjes së themeleve të një ngrehine të re post-tranzicion.

Një ngrehinë që të paktën duhet të garantojë siguri dhe prosperitet për shqiptarët për 20-30 vitet e ardhshme.

Është e qartë që ka vetëm një mënyrë për të mundur një model qeverisjeje, dhe kjo realizohet jo vetëm përmes diskretitimit të modelit aktual, por mbi të gjitha përmes prezantimit të një modeli tjetër alternativ bashkë me platformat përkatëse.

Kjo rrugë për prezantimin e platformave që opozita ka nisur të premten duhet të vazhdojë. Është pikërisht koha që opozita bashkë me ekspertët e saj më të mirë vendas apo të huaj , të ulet në një dialog të hapur me shqiptarët dhe të hartojnë një plan imediat për të dalë nga kriza, por njëkohësisht të prezantojë edhe modelin alternativ për të rikthyer vendin në shinat e ligjshmërisë dhe normalitetit, për të ndalur pikiatën ekonomike si dhe për të frenuar largimet masive të shqiptarëve, ashtu siç bëri këtë të premte me prezantimin e kolonave të platformës anti-korrupsion.

Sigurisht, që këto duhen reflektuar edhe në ofertën politike në zgjedhjet e ardhshme, por përgjigja për këto çështje duhet të jetë sa më e kuptueshme dhe e qartë edhe për atë shumicë që nuk ka lexuar kurrë një program politik.

Modeli alternativ i qeverisjes duhet që t’i japë përgjigje në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë këtyre shtatë çështjeve, të cilat më pas duhet të kthehen në platforma politike dhe në prioritete të qeverisjes për PD.

Së pari, një platformë për përzgjedhjen e njerëzve dhe kandidatëve. Ajo duhet të qartësojë si do të përzgjidhen njerëzit që do ta realizojnë këtë projekt? PD e ka tashmë një plan të hartuar me ndihmën e konservatorëve britanikë dhe ka ardhur koha për të nisur implementimin e saj.

Së dyti, një platformë për pamundësimin e karrierës së ushtarëve të krimit dhe kasnecëve të oligarkëve në poste shtetërore . Pra, të sqarojë mënyrën se si do të pamundësojë karrierën e ushtarëve të krimit ose kasnecëve të oligarkëve në poste kyçe të shtetit.

Së treti, një platformë anti-mafia për oligarkinë. Si do të luftohet oligarkia, monopolet dhe bizneset që janë sot plotësisht në duart e klientëve të Ramës ,sepse ata posedojnë pasuri të jashtëzakonshme, fakt që e bën shumë të vështirë eliminimin e tyre?

Së katërti, një platformë antikorrupsion. Kësaj çështjeje në fakt, i dha përgjigje shteruese në konferencën për shtyp që u zhvillua disa ditë më parë.Pra, u sqarua me hapa konkretë si do të veprohet me dosjet e korrupsionit, mënyra se si do të anulohen kontratat e paligjshme, apo klienteliste të realizuara përmes PPP dhe si do të ndëshkohen përgjegjësit. Po ashtu, si do të rikthehet çdo cent i vjedhur tek populli.

Së pesti, platformë të emergjencës për të dalë nga kriza ekonomike. Si do të dalë nga humnerat e mëdha të buxhetit që do të gjejë, nga vjedhjet, nga PPP dhe borxhet e jashtëzakonshme?

Së gjashti, një platformë për reformimin e administratës. Si do të reformohet administrata? Çfarë do të ndodhë me administratën e fryrë dhe të superkorruptuar ? Si do ta kthejë ai administratën nga një administratë e fasadës, në një administratë të thelbit, më të përgjegjshme, më të ndershme, por mbi të gjitha më me integritet?

E shtata, por në fakt e para për nga rëndësia, një platformë për mënyrën se si do të ndëshkohen përgjegjësit dhe aktorët kryesorë që kanë mundësuar këtë situatë kriminale në vend.

Këto janë shtatë platforma të rëndësishme, që do të shërbejnë për të rikthyer vendin në shinat e ligjshmërisë dhe normalitetit, për të ndalur depresionin dhe pikiatën ekonomike dhe si dhe për të frenuar hemorragjinë e largimeve masive të shqiptarëve.

 

Artikulli paraprakTahiri kërkon t’i shpëtojë burgut! Pranon gjykimin e shkurtuar, nxehet me prokurorët në sallën e gjyqit…
Artikulli tjetërShpërthen Stresi: Rama q**** në by*** me Vuçiçin!