Shtatë holandezë dëshmi për vrasjen e trefishtë te “Zogu I”

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të marrë dëshminë e 7 qytetarë holandezë për vrasjen e trefishtë të dy viteve më parë në Bulevardin “Zogu i Parë”. Ngjarja ka ndodhur me 27 maj 2015. Të akuzuarit janë dy shqiptarë dhe një italian. Konkretisht vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi, si edhe italiani Salvatore Letizia, të cilët akuzohen nga Prokuroria për Krime të Rënda se kanë kryer veprime aktive në konfliktin e armatosur, ku mbetën të vdekur shtetasit Mentor Lufi (Doçi), Gerti Goxhaj dhe Besnik Sulku.
Gjatë seancës së të premtes tek Krimet e Rënda, të pandehurit Klejvi e Markelian nuk pranuan të pyeten para gjykatës, duke lejuar administrimin e deklarimeve të dhëna në fazën e hetimit.
Në përgjigjet e tij para prokurorëve, në dhjetor të vitit të kaluar, Klejvi Doçi përjashtonte veten nga masakra, duke u vetëkonsideruar si dëshmitar i pjesshëm në ngjarje.
Ai mohonte kategorikisht të kishte lidhje me vrasjen e Durim Sulkut në Holandë. “Unë i pata thënë xhaxhait tim Mentor Lufi, që nëse procedohej, do ta merrja unë përsipër vrasjen e Durim Sulkut në Holandë. Ditën e arrestimit nuk e dija që xhaxhai kishte vdekur”, kishte pohuar ai. I pandehuri tjetër Markelian Doçi mbante qëndrim pohues për vrasjen e Sulkut në bulevard.
Në lidhje me vrasjen në Holandë, ai pretendoi se do të shprehet në një moment të mëvonshëm.
Në seancën e radhës së procesit, Gjykata do të thërrasë si dëshmitarë në proces shtatë shtetas holandezë. Ata do të pyeten në lidhje me vrasjen e Durim Suklut në një parking mjetesh në Roterdam. Çdo seancë e këtij procesi gjyqësor ndiqet nga Gjysere Sulku, nëna e dy të vrarëve Besnik e Durim Sulku. Ajo shpreson në dënimin e të pandehurve.
Në masakrën e majit 2015, përveç Mentor Lufit u vra edhe Gerti Goxhaj dhe atentatori Besnik Sulku. I pandehur në të njëjtin proces është edhe Salvatore Leticia, i dyshuar si anëtar i “CAMORRA”-s.
E pranishme në seancën gjyqësore, e ëma e dy vëllezërve të vrarë Sulku apeloi për drejtësi. “Drejtësia të japë dënimin maksimal për autorët. E vështirë t’i shoh vrasësit e djemve në Gjykatë. Drejtësia mos korruptohet e t’i dënojë autorët. Nuk e di çdo bëj nëse drejtësia s’dënon autorët”, u shpreh Gysleren Sulku.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda është arritur në përfundimin se ngjarja e ndodhur në muajin maj 2015 në Tiranë është vijim i një konflikti të nisur më parë po në kryeqytet, në dhjetor 2014 dhe që ka vazhduar në Holandë, në prill 2015 e më tej është shoqëruar me ngjarjen për të cilën akuzohen tre të pandehurit.

 

Artikulli paraprakPlagoset me thikë një person në Peqin, autori në arrati
Artikulli tjetërManjani, dëshmitar në gjyqin për ish-drejtorin e Burgjeve