Shqiptarja kapet me 3.8 kg kokainë

Një 25-vjeçare shqiptare është arrestuar nga policia italiane në Peruggia, pasi është kapur me rreth 4 kg kokainë. Droga ishte fshehur në çantën e djalit të saj 4-vjeçar. Gruaja është mbajtur nën vëzhgim sapo ka dalë nga një ndërtesë në pronësi të një çifti shqiptar, me gjithë djalin e saj. Prania e fëmijës nuk i ka penguar policët të ushtrojnë kontroll ndaj 25-vjeçares.
Forcat e policisë kanë gjetur në brendësi të çantës së saj, një tjetër çantë shpine që kishte brenda 3 kg e 800 gram kokainë, të ndarë në 3 pjesë në formë drejtkëndore, secila me peshë rreth 1.1 kg dhe të mbështjella me letër celefoni si dhe 7 topa të tjerë me peshë 500 gram gjithsej.
25-vjeçarja shqiptare, e cila ishte e papunë kishte edhe 3400 euro me vete që dyshohet se vinin nga aktiviteti ilegal i trafikut të drogës.
Ajo është arrestuar në flagrancë dhe është dërguar në paraburgim, ndërsa i biri është marrë nga shërbimet sociale. Dje në mëngjes, kur është bërë edhe seanca për vlerësimin e arrestit për 25-vjeçaren ajo është nxjerrë në arrest shtëpie pikërisht për shkak të domosdoshmërisë për t’u kujdesur për të birin.

Artikulli paraprakMaskat grabisin 800 mijë lekë në dyqan në Tiranë
Artikulli tjetërKapen në Holandë me 330 kg kokainë 2 shqiptarë