Shqiptarët paguan 130 milionë për shkarravinat e Ramës në Bienale

Javën e fundit u përcoll me bujë ekspozita personale/private e artistit Edi Rama në Bienalen e Venecias. Por një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se qeveria e Kryeministrit Edi Rama e ka financuar me fonde publike këtë bienale.
Raporti i siguruar në rrugë zyrtare nga “Hashtag.al”, zbulon se në intervalin kohor mars-tetor 2016, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka kryer një sërë prokurimesh të paqarta dhe të dyshimta publicitare, me kompani të huaja dhe shqiptare. Pjesë e kapilarëve të financimit ka qenë dhe “Fondacioni Bienalja e Venecias”.
Historia nis në mars 2016, kur ish-ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, vendosi një fond prej afro 500 mijë dollarë në dispozicion të spoteve publicitare për promovimin e Shqipërisë. Ky ishte projekti i quajtur “Albania go on your ëay”.
Ministria e Ekonomisë lidhi kontratë me një kompani të huaj, e cila mori përsipër që të shfaqte spotin promovues gjatë kampionatit evropian të futbollit “Euro 2016”.
Shteti shqiptar pagoi 95 mijë euro për të drejtat e transmetimit të kësaj reklame, por siç zbulon raporti i KLSH-së, spoti nuk u transmetua në Francë për shkak të disa komplikimeve me afatet e kontratës.
Dhe çfarë bën ministria pas kësaj?
E sposton transmetimin e këtij spoti në tetor për llogari të “Bienales së Venecias”.
Lexoni me vëmendje çfarë konstaton raporti i KLSH-së:
“Spoti rezulton se është përdorur për promocion gjatë Festivalit të Venecias dhe jo gjatë kampionatit evropian”.
Më tej raporti zbulon:
Nga auditimi ekziston komunikimi elektronik me kompaninë”Outdoor Revolution” me seli në Londër, me AKT(Agjencia Kombëtare e Turizmit), përfaqësuar nga ish-drejtori i marketingut në AKT, ku është pranuar, “silver package 12×30” spote në ditë, për 11 ditë. Në këtë ofertë, del e paqartë që është spoti prej 10 sekondash, i cili u prodhua nga kompania fituese “Publicita shpk”, për t’u publikuar në Euro 2016 apo kemi të bëjmë me ndonjë spot tjetër. Në faturën e sjellë nga kompania e huaj, “Rapture Entertainment Limited” Londër, flitet për një spot 30 sekonda.
Nga auditimi i dosjes fizike kompania, e cila ka ekskluzivitetin për transmetimin e spotit është “Outdoor Revolution” me këto të dhëna: “Fondazione La Bienale di Venezia” dhe nuk jepet asnjë dokumentacion ligjor dhe asnjë argumentim faktesh për lidhjen që kanë këto kompani “të përzgjedhura nga AKT-ja”.
Thënë në mënyrë të përmbledhur, gjetjet e audituesve zbulojnë kryesisht se:
-Ministria e Ekonomisë ka bërë një “mish-mash” kontratash me disa kompani të huaja për transmetimin e spotit promovues në Euro 2016, me vlerë rreth 95 mijë euro.
– Ministria dështoi me realizimin e këtij spoti në Francë, por tre muaj më vonë, bëri transferimin e të drejtave të spotit promovues për në Bienalen e Venecias.
– Kontratat dhe procedura si e kreu këtë transferim duket e paqartë dhe për audituesit e KLSH-së, të cilët shprehin në mënyrë eksplicite mungesën e dokumenteve dhe faturave në ministri.
-Ato pak dokumente të siguruara nga KLSH-ja zbulojnë se kontrata e lidhur në tetor me kompaninë angleze “Outdoor Revolution” shkonte për llogari të “Fondacionit Bienalja e Venecias”.
-Ministria e Ekonomisë nuk ka ofruar dokumentacion të plotë për të treguar në mënyrë të detajuar se sa fonde publike ka përfituar “Fondacioni Bienalja e Venecias”, ndërsa KLSH-ja shprehet se projekti total i ministrisë për reklamat promovuese ishte rreth 500 mijë dollarë.
Ndonëse ka financuar një spot promovues për vendin, Ministria e Ekonomisë e ka mbajtur të fshehtë këtë fakt dhe nuk e ka deklaruar në asnjë zëdhënie publike.
Raporti i KLSH-së e vendos kryeministrin Edi Rama në një konflikt të pastër interesi, pasi audituesit kanë vërtetuar se ekspozitat private të Edi Ramës janë realizuar në një bienale, e cila merr financime nga fondet publike të qeverisë shqiptare.
Për më tepër, Ministria e Ekonomisë ka refuzuar të detajojë kontratat që ka lidhur me kompanitë private sa i takon këtij financimi.

“Hashtag.al”

Artikulli paraprakKu ka ngecur koncesioni 13 miliardë lekë i laboratorëve?
Artikulli tjetër18 mijë kredi të këqija në Përmbarim